Presidenti i Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar se ish kryeprokurori në Hagë, që ia ngriti aktakuzën krerëve të UÇK-së, Jack Smith, mund të kthehet në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Presidenti Trump ka alarmuar se Jack Smith mund të ketë rrezik për njerëzit në Hagë, duke aluduar për krerët e UÇK-së.
“Në historinë e vendit tonë, asgjë si kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Dhe unë i fitova këto raste dhe të tjerat janë në proces për t’u fituar. I çmenduri Jack Smith është duke u kthyer në Hagë, ku mund të ekzekutojë njerëz. Ai është vendi ku ai është dashur të qëndronte. Mendoj se është i rrezikshëm edhe duke qenë atje.”, ka deklaruar Trump.
Trump tutje thotë se në një mënyrë, Smith, e kishte ndihmuar për t’u zgjedhur.
“Atë që ata ma kanë bërë mua në aspektin e shfrytëzimit të mjeteve si armë – aktakuza, hetime dhe gjithçka tjetër dhe në fund ndoshta kjo më ndihmoi, sepse unë mora më së shumti vota që ndonjë republikan ka marrë ndonjëherë në histori.”, tha Trump më tutje.
Trump edhe më herët e kishte akuzuar rëndë Jack Smithin, njeriun që ia ngriti aktakuzën Thaçit e të tjerëve. Trump e ka quajtur Smithin si të “sëmurë mendërisht”.
Donald Trump para një muaji kishte deklaruar se nëse fiton zgjedhjet në muajin nëntor, do ta shkarkonte prokurorin federal që po heton nëse ai ka tentuar të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, duke sugjeruar më vonë se këshilltari i posaçëm mund të dëbohej nga vendi.
Kur u pyet gjatë një interviste nëse do ta falte ose do ta shkarkonte këshilltarin e posaçëm, Jack Smith, ai u përgjigj “është shumë e lehtë. Do ta shkarkoja brenda dy sekondave”.
“Unë nuk mendoj se do të më akuzonin për shkarkimin e Jack Smithit”, tha 78-vjeçari, shkruan skynews.
Në një intervistë tjetër për radion WABC, Trump shkoi më tutje duke deklaruar se duhet të dëbohet Smith.
Ai tha se SHBA-ja duhet të “heqë qafe vrasësit, kriminelët dhe ata me çrregullime mendore. Duhet t’i largojë nga vendi. Jack Smithin duhet ta hedhim me ta – njerëzit me çrregullime mendore. Jack Smith duhet konsideruar si një person me çrregullime mendore dhe duhet dëbuar nga vendi”, tha kandidati republikan për president të SHBA-së.
Smith është jurist me përvojë, i cili ka shërbyer si kryeprokuror në tribunalin ndërkombëtar në Hagë, ku ka hetuar dhe ka ndjekur penalisht krimet e supozuara të luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Smith është duke udhëhequr çështjen penale federale kundër Trumpit rret përpjekjeve për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i fitoi Joe Biden.
Në muajin nëntor të vitit 2022, prokurori i përgjithshëm Merrick Garland e emëroi Smithin si këshilltar të posaçëm të pavarur, përgjegjës për mbikëqyrjen e dy hetimeve penale ndaj Trumpit.
Ai e la pozitën e Kryeprokurorit pak kohë para se të fillojë gjykimi të cilin Smith e cilësonte si rastin më të rëndësishëm. Ai i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
“Prokurori i posaçëm, Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë” – thuhej në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.