Zbardhen detaje të reja në lidhje me operacionin që la çuar në ndalimin e 8 mjekëve dhe zyrtarëve të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.
Këta persona, së bashku me disa farmacistë akuzohen se kanë marrë ilaçet e kimioterapisë nga spitali onkologjik i QSUT-së dhe i kanë shitur nëpër farmaci private.
Nga ana Sektorit per Hetimin e krimit eko dhe financiar ne DV P Tirane në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale Tiranë, nën drejtimin e Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë pas një pune disa mujore në kuadër të procedimit penal nr.5071/2023 është bërë i mundur finalizimi i operacionit ‘Kobalti’.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë ‘Arrest shtëpie’ dhe detyrim paraqitje si më poshtë vijon:
1. Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT), i akuzuar për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ me masën e sigurisë ‘Arrest shtëpie’.
2. Emiljano Lela (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT), i akuzuar për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ me masën e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’.
3. Alketa Ymeri (Pere) (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) e akuzuar për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ me masën e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’.
4. Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik), e akuzuar për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ me masën e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’.
5. Halil Gashi, i akuzuar për ‘Fshehje të të ardhurave’ me masën e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’.
6. Florian Marku, administrator i Flori Farma i akuzuar për veprën penale te ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabande’ dhe ‘Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabande’.
7. Është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore ‘Megis’ dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.
Për shtetasen Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë ‘Detyrim Paraqitje’e akuzuar për veprën penale ‘Shpërdorim Detyre’ nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi kjo shtetase ka qënë jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi.
Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror ‘Nënë Tereza’ si mjekë onkologë dhe duke përdorur detyrën e vetë nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre. Gjithashtu në spitalin ‘Nënë Tereza’ ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendosej në dhomën adapte.
Është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash kontrabandë të dyshuara dhe të falsifikuara dhe një shumë lekësh prej 10000 Euro në subjektin farmaceutik ‘Flori Farma’.
Materialet proçeduriale ju kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetasve sipërpërmendur, për veprat penale të ‘Kontrabandë me mallra të tjerë’ Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’ , ‘Ruajtja dhe depozitimi i mallrave që janë kontrabandë’, dhe ‘Shpërdorim detyre’.