Lutja e nënës së Havzi Nelës: Mos ma varni djalin!

0

Shkruan Kastriot Dervishi

Në praktikën e Presidiumit të Kuvendit Popullor të shqyrtimit të faljes së jetës, vihet re se Havzi Nela nuk ka bërë kërkesë.

Nëna e tij, Xhevahire Nela, i drejtohet Presidiumit më 26.2.1988. Po atë ditë kanë bërë telegram edhe “motrat, nipat dhe mbesat” e tij. Këtë telegram e ka nënshkruar Refije Vesel Seitaj. Sigurisht, asnjë telegram nuk u mor parasysh.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira Laskaj, vulosi dënimin e tij me varje në litar.

Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të drejtuar Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin e poetit Havzi Nela.

Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit.

Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Ekzekutimi i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike.

Poezi nga Havzi Nela

Po, o nanë, po,
N’emën të ligjit jam arrestue,
E duert m’i kthyen prapa policët e zi,
N’hekur me tutjus m’i kanë ngujue!
Me gazin 69 u pamë sy ndër sy,

Si me keqardhje m’u ba se më vështroi,
E kur lëshova kambën mbrenda me hy,
M’u ba se psherëtiu, m’u ba se rënkoi!
Ndoshta e ndjeu veten fajtor,

Pse erdhi e më mori përsëri!
Ndoshta i gjori ishte lodhë,
Gjithkah n’udhtim nëpër Shqipni.
Gjithkund tue shkue nëpër atdhe,

Sa djem nanash kështu po i merr!
Si nji kuçedër në “Shqipnin’ e re”
Emni i tij ka futun tmerr!
Ti mos u druej, o Nana ime,
Sido të bahet jam pa faj,

Qëndro malsore, mbahu trime,
Mos e mbyll jetën me vaj!
Djali yt s’ka me t’turpnue,
Gjinin tand s’do ta tradhtojë,

Shqiptar i ndershëm ka me qëndrue,
Po prehnin tand do ta kërkojë.
Ka me dasht me t’pasun pranë,
Ta vështrosh, ta ledhatosh,

E nji fjalë t’ambël me ia thanë,
Plagët zemrës t’ia shërosh!
Pusho, mos qaj, o nanë e mjerë,
Ti me mue s’je kënaqun kurrë.

N’merak e mall ke qenë përherë,
Qysh i vogël dhe sot burrë!
Qysh nand’ vjeç m’ke nxjerrë prej shpie,
Jetim, pa babë, bukën me nxjerrë;
M’shkule nga prehni prej vorfnie,

Vetë jam rritun derë më derë!
Tri ditë bashkë s’i bamë në votër,
Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë;
Kurrë s’u ulëm në nji sofër,
Kurrë, o Nana ime, kurrë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu