Rrajzat* e Yuri Kim dhe Rrajat e Edi Ramës

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Ambasadori i ri Amerikan vonohet, jo se Babloku ka mundësi ekonomike efikase, epike, dhe teknologji astrlogjike, për t’ia vënë telin në hundë, si Charles McGonigal-it, që mafies mos t’i gërryhet toka nën këmbë me forcën tradicionale të Shtetit të Lirive dhe të drejtave njerëzore, por pengesë është një zënkë të vogël.

Flitet se është duke sqaruar ca muhabete me ambasadoren Yuri Kim nëpër terminologjinë e gjuhës shqipe, si me thënë, ç’janë Rrajzat dhe Rrajat dhe si kapet peshku?!

More, vërtetë si kapet peshku këtej, se kjo specie është kërcënim jo vetëm për shqiptarët, por edhe për europianët dhe amerikanët?!
-With raiza, a type of worm, -po skipëtarët e skipërojnë, me rrajza, një lloj krimbi, kështu kapet peshku në Skipëri -u ftillua në fill të bisedës ambasadorja Yuri Kim.

Për peshkimin qenë zënë edhe Edi Rama me ambasadoren.

Njëri gjuante nga njëra anë e lumit të SPAK-ut, tjetri nga ana tjetër. U bënë qesharak, kur Babloku e hidhte grepin në anën e kundërt, tek këmbët e Yurit, kurse Yuri tek këmbët e Bablokut.
Edhe peshkatarët ashtu bëjnë, secili mendon se peshku i madh rri në anën tjetër.
Po të mos dalim nga tema, ta mbledhim mendjen që na e bëri lëmsh ajo ngatërresa, cili nga prokurorët është më pak hajdut, Edvin Kondili, Arben Kraja apo Altin Dumani, se llafi ishte për të kapur peshk të madh?!

– I understand you madam… ose, meqë është e bukur edhe gjuha skipe, ju kuptoj zonjë…, ndërhyri Kostelançik, -por këta republikanët kanë dyshime se rrajzat e tua kanë ngordhur e po kapin vetëm rraja që në pak ditë lëshohen ujrave të korrupsionit si peshq shumë të vegjël.
Në fakt, shpjegimi për rrajat është ende i vështirë.

Në fjalorin tonë, kemi vetëm 50 000 fjalë, e megjithatë ka mbivendosje, njëlloj si tek pronat që mbi 80 për qind, të fortët e pushtetit, ua kanë grabitur të dobtëve, pronarëve.

Nëse fshatarët betohen se gjuajnë peshk edhe me rrajë, 4 Klanet mafioze kanë rënë dakord me Skënder Gjinushin, që fjala rrajë, të shpjegohet si “Peshk me trup të gjerë, me lëkurë të fortë, që e ka kokën si të breshkës”.

Këtë shqetësim duket se ka edhe ambasadori David Kostelançik, janë peshk i madh apo i vogël, se nuk e sqaron fjalori.
Fjalori dhe fjala, krimbat dhe peshku, janë tema e ditës.

Sa të bien ata dakord ata për gjuhën tonë, le t’i japim të drejtë drejtësisë, që fisin Rraja që publikisht dhunoi barbarisht fisin Maja, të mos e kualifikoi as si krimba që ndjellin peshkun pas, as si peshk të madh, siç betohet gjithë fshati se janë, por si peshk të vogël që bëri një sherr të vockël në një gurore gjigante, ku kalohet koha e lirë dhe lirohen vidhat e logjikës nga zërat e zhurmshëm të ujit që po shteron lumenjtë krimit që shkarkohen në Liqenin e Surrelit.
Nëpër leksionet e stresit rri fshehur entuziazmi.

Ende i besohet ambasadores Yuri Kim dhe shkollës së aromave, se sa më të qelbur të jenë rrajzat, më mirë është, ndërsa për ambasadorin e ri, ende nuk mund të kemi mendim, ka të drejtë apo jo që merret me mësimin e gjuhës dhe terminologjinë e fjalorit, kush janë Rrajzat dhe kush Rrajat?!
-Sometimes, it’s not about catching more fish; it’s about working smarter, -ju përgjigj ambasadorja një pyetjeje tjetër.

-Prapë ju kuptova zonja Kim, ju po shpjegoni se “ndonjëherë, nuk bëhet fjalë për të kapur më shumë peshk; ka të bëjë me të punuarit më zgjuar”, po ç’tu bëj republikanëve që i duan gjithë peshqit e Ballkanit në tepsi, dhe vetes time që i njoh kur ishin fukarenj këta pasanikët, nëvizoi në bllokun e përgjegjësive bri pjatancës me peshk, ambasadori David Kostelançik.

Edhe pse fshatarët lëpijnë gishtat nëpër enigma, ne duhet të shkruajmë vetëm ato që i dimë mirë, se po u zëmërua Babloku, ta ndërron sportelin pesë me gjashtën, si dikur paraardhësit e tij të diktaturës, që kur ta ndërronin qelinë katër me pesën në hetuesi, kishe shkuar për lesh.
Babloku thjeshtë ka ndërruar numrat dhe ambientet ku persekuton gazetarët që nuk shiten dhe kundërshtarët politikë.
Nëjse, më mirë të prekim hundën, pastaj prapanicën për syrin e keq dhe të rrimë tek mendimi tradicional, se era vërtetë e keqe shijohet nga peshqit, e si fundore të zgjedhim germat në tastierë kur themi, po, ne i njohim mirë Rrajzat e Yuri Kim dhe Rrajat e Edi Ramës./Pamfleti

*Rrajzat- krimba toke për të ushqyer grepin …

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu