Presidenti francez Emmanuel Macron i kërkoi homologut të tij kinez Xi Jinping që të ndërhyjë me dhe të bindë Vladimir Putin që të ndalojë luftën në Ukrainë dhe të kthehet në tavolinën e negociatave.
“Presidenti i Republikës i ka kërkuar Kinës që të ndihmojë në përcjelljen e mesazheve tek presidenti Putin në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi dhe të kthehet seriozisht në tryezën e bisedimeve”, thanë shërbimet e presidencës franceze.
Xi nga ana e tij, shprehu “mbështetjen e tij për përpjekjet e ndërmjetësimit evropian”, veçanërisht ato të presidentit francez, dhe “përsëriti kundërshtimin e tij të vendosur ndaj përdorimit të armëve bërthamore” nga Rusia në tokën ukrainase.
Macron është shprehur ndër të tjera se dëshiron të vizitojë Kinën gjatë 2023, nëse kushtet epidemiologjike lejojnë, duke pasur parasysh politikën “zero COVID” të Pekinit. Kujtojmë që dy udhëheqësit u takuan në Bali në margjinat e G20, Macron i bëri thirrje Xi që të dy vendet të bashkojnë forcat kundër luftës në Ukrainë, duke theksuar se “stabiliteti” global është gjithashtu në interesin e Kinës.






