Kryeministri po tallet me shumicën e popullit

0

 Shkruan Ermal Mulosmani

Kryemnistri Edi Rama në një takim me gazetarë, ditën e sotme, pasi lajmëroi për një platformë interaktive online për anëtarët e Partisë Socialiste, u pyet edhe për seancën plenare që do të zhvillohet ditën e nesërme në Parlament.

Sigurisht, më shumë sesa platforma online e lidhjes së “bazës me superstrukturën socialiste”, interesi i publikut ishte bash për atë seancë, pyetja dukej e porositur dhe e mezipritur.

Draftet “Gjiknuri” për “lista të hapura” ishin shpjeguar gjerë e gjatë nga çdo faktor politik në këtë vend se ishin matematikisht e kundërta e asaj që i thërriste Gjiknuri. Pra ishin votime të hapura për deputetë të mbyllur. Kur u hodhën fillimisht në publik, askush nuk mendoi se ky ishte drafti që do votohej si rezultante e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Të gjithë mendonin se kjo ishte një shashkë provokuese për të rritur pazarin e një kompromisi të ardhshëm. Kjo logjikë bazohej sidomos në presionin e numrit të votave në Parlament për të kaluar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Duheshin 84 vota dhe promovuesit më të mëdhenj të listave të hapura (deputetët zëvendësues të listave të PD-LSI) do të ishin barrikada e PS-së për këtë qëllim. Pra, të gjithë shpresonin për një draft kompromisi që do pengonte versionin e tmerrshëm “Gjiknuri”. Ai version ishte votim i hapur për të mundësuar një sondazh kombëtar të kandidatëve të Kryeministrit (ose Kryetarit të Partisë). Pra, Kushtetuta ishte ndryshuar për të përftuar një sondazh pëlqimi mbi kandidatët e Kryetarit e jo (larg qoftë!) si një mjet për të korrigjuar propozimet e Tij!

Mu desh të shkoja dy muaj mbrapa në kohë, të gjeja fjalimin e Kryeministrit për “dobinë e listave të hapura”. Citoj Kryeministrin siç shprehet në videon më poshtë :

Do të votohet në respekt të Marrëveshjes së 05 Qershorit nga njëra anë dhe në respekt të më shumë se 80% të shqiptarëve nga ana tjetër që duan të zgjedhin edhe deputetin jo vetëm Partinë nga ana tjetër dhe këto të dyja janë një fakt me të cilin të gjithë miqtë dhe partnerët tanë duhet të jetojnë”.

Cit Edi Rama video më poshtë min 00.35-01.00.

Pak më vonë, në të njëjtin fjalim, Rama me një ton të ngritur, solemn tashmë deklaron:

Jam i bindur se mjegulla e përhapur përmes dizinformimeve si dizinformimi i madh sikur ne po pengojmë koalicionet, përmes gjysëm të vërtetave e përmes klithjeve e lotëve të atyre që janë jashtë, do të shpërndahet më herët se vonë, por ndërkohë nuk do ta pengojë Parlamentin e Shqipërisë që pa u mbyllur ky sesion parlamentar –këtu ka një rritje të tonalitetit drejt solemnes- të votojë një ndryshim historik i cili i shërben Shqipërisë dhe zgjedhësve shqiptarë që siç thotë i palodhuri Myslym Murrizi duan jo vetëm të votojnë por edhe të zgjedhin.

Retorika të tilla në mbrojtje të të drejtës legjitime të shqiptarëve “për të zgjedhur e jo për të votuar” dhe lavde të pakursyera për Murrizin u dëgjuan me dhjetëra herë ato ditë. Vetëm në diskutimin 48 minutësh, në Parlament, për të motivuar miratimin e Marrëveshjes së 05 Qershorit, nga goja e Kryeministrit u dëgjua mbi 12 herë emri i Myslymit. Zëdhënësi i fuqishëm i ndryshimit, përfaqësuesi parlamentar i dëshirës mbarëpopullore për të zgjedhur e jo votuar ishte në delir. Bënte sikur e kishte mendjen tjetërkund, sikur po mbante shënime por një orëtakim të tillë me lavdinë as në ëndërr nuk e kishte parë. Ia kishte vënë këmbët në këpucë të madhit fare, nuk ia miratonte marrëveshjen pa “lista të hapura”. Lideri ishte pajtuar me Murrizin dhe me vullnetin popullor, “mbi 80%” siç e quajti vetë Rama, që, kërkonte të ndikonte listën e tij dhe të kolegëve kryetarë partish. Pjesë e atij “uragani ndryshimi” isha edhe vetë. Atë kohë, megjithë rezervat e dyshimet e gjithë opozitarëve për hapjen e listave, besoja akoma se zgjedhësi shqiptar fitoi diçka nga këto kundërshti partish. Fitoi të drejtën e vet për të parapëlqyer të njëjtat prioritete si Kryetari por, për t’i prishur renditjen atij. Kaq pak. Fare fare pak. Ishte aq pak sa, menduam të gjithë se Rama e bëri zemrën gur e na e dha. Sigurisht për këtë arritje tonën historike pagoi opozita. Asaj iu ndalua të kishte koalicione parazgjedhore me lista të ndara. Kjo do të fuste sherr e ndasi në kampin opozitar, do të fironte ndjeshëm votën e tyre. Ky ishte në fakt thelbi i kompromisit, ndalimi i koalicioneve, me lista të ndara, përçarja dhe firoja e votës opozitare.

Mirëpo sot Kryeministri tha tjetër gjë. Sot u kujtua se ka qenë shërbëtor i Opozitës deri tani. Me një ton të qetë, të ulët, të avashtë por të sigurtë deklaroi që nesër do të votojë draftin e Gjiknurit, propozimin që i mundëson popullit votimin  por jo edhe zgjedhjen e opsioneve. Pra votoi krejt të kundërtën e fjalimeve të tij kur do ndërronte Kushtetutën.

Me 24 Korrik kur duheshin votat e surrogatëve për Marrëveshjen e 05 Qershorit (sa për sy e faqe) përdori ndërkombëtarët dhe premtimin se në 30 Korrik (6 ditë më vonë) do të hapte listat. Kur erdhi 30 Korriku përdori “dëshirën e mbi 80% të shqiptarëve për të zgjedhur e jo votuar” ndërsa tani që ka siguruar siç duken bathët 84 votat e duhura i vë flakën “dëshirës së më shumë se 80% të shqiptarëve”.

Kjo tallje publike me publikun, kundërshtarin, ndërkombëtarët, premtimin publik nuk kishte ndonjë precedent. Kjo është shenja më ëe sinqertë e euforisë despotike që e ka përfshirë Kryeministrin. Kur një shumicë tallet me kundërshtarin dhe gabimet e tij është edhe faji i kundërshtarit. Kur e njëjta tallet me ndërkombëtarët është edhe faji i tyre. Por kur një forcë politike tallet me “më shumë se 80 % të shqiptarëve” faji është i gjithi i këtyre të fundit.

Retorika viktimizuese e manipulatorit dhe mashtruesit është veçanërisht rënduese në sytë e viktimës. Sot viktima të lojës së poshtër të Ramës dhe Gjiknurit janë përveç PD-së dhe opozitës edhe “më shumë  se 80% e shqiptarëve” që i citoi pareshtur kur na rrokanisi kokën “shqiptarët duan të zgjedhin jo të votojnë”.

Gazeta Express

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu