Në Shqipëri Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri njoftoi sot thirrjen për ditën e premte të mbledhjes për të shqyrtuar rastin e kryebashkiakut të Vorës, i cili sipas Prokurorisë ka fshehur në deklarimin e të shkuarës së tij, arrestimin dhe hetimin e tij në Greqi në janar të vitit 2003.
Përpara njoftimit të mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Demokratike, përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, i kishte kërkuar këtij institucioni të trajtonte pa vonesë këtë çështje, dhe të miratonte, rezultatet e verifikimit të Prokurorisë, në bazë të të cilave kryebashkiaku i Vorës, sipas saj, duhet të shkarkohet menjëherë nga detyra.
Prokuroria shqiptare u vu në lëvizje pas denoncimit nga Partia Demokratike, e cila publikoi dokumente mbi arrestimin e zotit Kajmaku në Greqi, nën emrin Jorgo Toto dhe hetimin e nisur ndaj tij. Kryebashkiaku socialist mohoi në mënyrë të përsëritur mohoi akuzat e PD-së , duke këmbëngulur se nuk është arrestuar ndonjëherë në Greqi e duke folur për një “sulm politik” ndaj tij. Por krahasimi i shenjave të gishtërinjve mes atyre të marrë nga autoritetet greke në 2003 dhe atyre të zotit Kajmaku, vërtetuan se bëhej fjalë për të njëjtin person.