Kryeministri Edi Rama me sa duket është distancuar nga mbrojtja ndaj kryebashkiakut të ri të Shkodrës, Valdrin Pjetrit pas akuzave konkrete të Opozitës Shqiptare të lidhjes së tij me krimin si dhe fshehjen e dënimeve nga gjykatat e huaja ndaj tij.
Në reagimin e tij, Rama shprehet se deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht, deklaratë me të cilën duket se ai ka vendosur për ta përjashtuar nga strukturat e partisë por edhe nga detyra si kryebashkiak i ri deri në momentin kur të kryhen të gjitha hetimet. Por një gjë e tillë pritet të bëhet e ditur ditën kur do të vendoset për të konstituar Këshillin Bashkiak si dhe betimin ose jo të Pjetrit në krye të qytetit verior.
“Jo Valdrini,po vëllai im të jetë,s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale.Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual! I edukuar,i zoti,i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar,po kjo s’mjafton më!Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin,po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht. E me këtë rast,të tërë ta fusin mirë në kokë:Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt!Shkoj në luftë për çdo ide,qëllim a shok armësh,po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky,as marr më,as lejoj më t’i marrë PS!”, shkruan Rama.
Sekretari i Përgjithshem i PD, Gazmend Bardhi ka publikuar sot “prova autentike për dënimin në Itali, Firence të drejtuesit politik të Edi Ramës në Shkodër”.
“Kjo që shikoni këtu është kartela elektronike e të dhënave kriminale e nxjerrë nga sistemi elektronik i kuesturës së Firences nga të cilat rezulton se Valdrin Luigj Pjetri, lindur në Shqipëri, është arrestuar në flagrancë me shtetasin Altin Doda në 27 janar 2003 në Firence.
Në 28 janar 2003 përpara gjykatës Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë duke nënshkruar marrëveshjen për dënimin tij të menjëhershëm.
Ai është dënuar nga gjykata e Firences në 12 qershor 2003 për shpërndarje prodhim i lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim.
Për shkak të marrevëshjes së nënshkruar te bashkepunimit, gjykata ka urdhëruar pezullmin e dënimit.
Më 3 shkurt 2003, Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe në 4 shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian”, tha Bardhi qe nxorri edhe dokumentet italiane”.
DOKUMENTET E DËNIMIT SIPAS SISTEMIT TË KUESTURËS SË FIRENCES








Dita e sotme sikurse të gjitha ditët e fundit, ka qenë e mbushur me reagime të shumta lidhur me akuzat e PD-së për Pjetrin të cilin e akuzojnë se ka pasur një të shkuar kriminale dhe për këtë edhe ka qenë dënuar në Itali.
Por Pjetri vazhdimisht i ka mohuar akuzat ndërkohë që PD ka publikuar dy dokumente, atë të dekriminalizimit, të plotësuar nga vetë kryebashkiaku i ri i zgjedhur me 30 Qershor ku kishte gënjyer sipas saj, dhe sot ka publikuar gjithashtu vendimin e një gjykate italiane me të cilën provojhet e shkruara kriminale sipas opozitës e Valdrin Pjetrit.






