Tashti duket sikur Rama dhe Berisha janë njësoj

0

Shkruan Evi Kokalari

E vetmja gjë që kuptova nga kjo video është që mbas 32 vitesh, lojtarët kanë ngelur po ata: Edi Rama dhe Sali Berisha!!

Fatkeqësia është se PD-ja jo vetëm që s’ka ndërmënd të bëhet konservatore, por kryesia e saj, mbuloi të gjitha manipulimet që j’u bënë “votës së lirë” në Këshillin Kombëtar dhe në garën e Forumin Rinor, dhe jo vetëm kaq – por për t’ju thënë të gjithëve se “ne bëjmë ç’të duam”, dekoruan njëriun më mediokër, mashtrues dhe strumbullarin e manipulimeve, me kandidaturën “fituese” për t’u përballur me Veliajn.

Ndërkohë shesin primaret si koshër (proces të pastër d.m.th).

Audio e mëposhtme, më bëri të ri-analizojë personin që kisha vënë në piedestal dhe për të cilin kisha dhëmbshuri si për një baba të dytë.

Tashti duket sikur Rama dhe Berisha janë njesoj! Ata janë vegël e një regjimi që e ndërtuan vetë. Ata në fakt, janë themelues të regjimit post-komunist!

Dy-tre mandate të tjerë mes Ramës dhe Berishës, do përfundojmë seriozisht në një regjim të dytë 45-vjeçar.

Me pak fjalë, kjo biseda e 1991 bëhet pikërisht në prag të shkatërrimit të një regjimi, dhe në prag të ndërtimit të një regjimi zëvëndësues. Eshtë kaq e thjeshtë!!

Nuk do t’i shkruaja kurrë këto fjalë po qe se Berisha do ta kishte mbajtur fjalën dhe do ta konvertonte PD në një parti konservatore, ku vota e lirë vërtet do të mbrohej.

Nuk do ti kushtonte gjë ta bënte. Ai vetë, është 78 vjeç. Karrierën politike e kishte të mbyllur. U kthye në betejë, prej damkës se DASH. Ne – të gjithë në krah!

Berisha kishte mundësinë të ndërtonte trashëgimin e tij politike, që do të ngelej në histori duke mundësuar një opozitë të fortë kundër korrupsionit më pervers në Ballkan – atë të Edi Ramës.

Thonë se shpresa vdes e fundit. Dhe unë vazhdoj të shpresoj që Berisha do bëjë një kthim 180 gradë duke hapur partinë dhe duke sjellë rreth vetes intelektualë, sepse vetëm ata mund të fitojnë garat elektorale.

Dhe nëse kjo nuk ndodh dy-tre muajt e ardhshëm, një parti e re opozitare është e pa-evitueshme, dhe në terrenin politik të sotshëm, sinqeriteti dhe integriteti janë te vetmet virtyte që do fitojnë.

Njerëzit janë të lodhur me sagën 32 vjeçare, ku Rama & Berisha dramatizojnë opozitarizmin ndaj njëri-tjetrit.

Në fakt, bazuar sërish tek audio, lind pyetja a është Rama vërtet ideologjikisht socialist, apo thjeshtë e kishte kuptuar që PD-ne s’ja merrte dot Berishës, kështu që i ju vu Nanos?

Po ta analizosh pak më thellë, duket sikur beteja nuk është për mbrojtje parimesh, por është thjeshtë ego pushteti. Ndryshe PD-ja sot, realisht do të ishte Parti Konservatore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu