Sali Berisha sot në gjykatë ditën e parë të fushatës elektorale, GJKKO pritet të marrë vendimin

0

Gjykata e Posaçme pritet të zhvillojë ditën e sotme (11 prill) seancën e caktuar paraprake për aferën e dosjes “Partizani”, ku i pandehur dhe nën akuzë është marrë nga SPAK prej më shumë se një viti kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, dy ortakët në biznes, noterja dhe zyra noteriale e familjes

Ky proces formal procedurial në GJKKO po zvarritet tej çdo limiti ligjor, duke thyer edhe të gjitha rekordet e seancave paraprake ndër tre dekada, pasi prej muajsh gjyqtarja nuk po merr dot një vendim për ta kaluar ose jo dosjen në gjykim.
Ekspertët thonë se ky është një zhvillim i paprecedentë juridik, sepse këto lloj seancash nuk marrin më shumë nga një muaj procedura. Madje afatet e tij po shkojnë njëlloj si një gjyq themeli, teksa sot, pikërisht në ditën e hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, do pritet nëse seanca do zvarritet përsëri për shkak të saj, apo dosja do kalojë për gjykim.

Si proces juridiko-ligjor, GJKKO ka edhe dy opsione të tjera për çështjen; pushimin e saj, ose kthimin për plotësim hetimesh, me një afat shtesë për SPAK-un.

Opsioni shtesë është që seanca të shtyhet përsëri për një datë tjetër dhe mundësisht pas fushatës elektorale, pikërisht me këtë motiv.

Seancat shtyhen pa fund që prej fillimit të këtij viti, herë për shkak të mungesës së avokatëve dhe herë të tjera në faktorë ekstra procedurialë. E premtja e sotme shënon fiks edhe 7-mujorin e marrjes të pandehur të Sali Berishës, në akuzë për korrupsion pasiv, të kryer në bashkëpunim me dhëndrin, i cili akuzohet edhe për pastrim parash. N
ëse të pandehurit nuk vijojnë me të njëjtën strategji shtyrjeje dhe zvarritjeje, siç kanë bërë për rreth 6 muaj, pritet që më në fund vendimi të merret nga gjyqtarja Flojera Davidhi.

Procesi vjen në këtë pikë pas gati 4 vite e gjysmë nga nisja e hetimeve dhe pasi Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë u morën të pandehur, ndërsa seanca e parë paraprake u zhvillua që më 24 tetor.

Kalimin në gjyq e vonuan kërkesa pa fund të avokatëve mbrojtës të palëve, që morën dhe kohë për t’u njohur me materialet. Kohë e cila u zgjat me lexim të qindra faqeve pretendime po nga avokatët, si një tendencë e qartë për ta zvarritur një proces që duket sikur po e çonin në “kalendat greke”.

Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masë sigurie, i pari “detyrim paraqitje” dhe i dyti “arrest shtëpie”, ndërsa kalimi në gjyq do të ishte përballja e parë e vërtetë e të dyve me sistemin e drejtësisë.

Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.

Paralelisht SPAK ka vënë në sekuestro preventive pasuri të shumta që i përkasin Jamarbër dhe Argita Malltezit, sekuestro e konfirmuar deri në Gjykatë Kushtetuese, ku përfshihen dhjetëra apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, të cilat do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit.

Ndërkohë një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit dhe verifikime nëse familjarët e tij kanë përfituar nga vendimet e tij si me rastin marrjes së truallit të Kompleksit Partizani dhe ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu