Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se është arritur një marrëveshje paraprake me Kinën pas dy ditësh bisedimesh në Londër mes zyrtarëve të lartë të të dy vendeve. Sipas tij, marrëveshja pret miratimin përfundimtar nga ai vetë dhe Presidenti kinez, Xi Jinping.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump u shpreh se marrëveshja përfshin furnizimin e Shteteve të Bashkuara me metale të rralla dhe të lehtësimin e aksesit për studentët kinezë në institucionet arsimore amerikane. ‘Magnetet e plota dhe çdo metal i rrallë i nevojshëm do të furnizohen paraprakisht nga Kina. Po kështu, ne do t’i ofrojmë Kinës atë që është rënë dakord, përfshirë studentët kinezë që do të përdorin kolegjet dhe universitetet tona, gjë që gjithmonë më ka pëlqyer!’, shkroi Trump. Theks i veçantë iu vu edhe çështjes së tarifave, ku Trump sqaroi se Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një normë totale tarifore prej 55%, ndërsa Kina do të aplikojë tarifa përkatëse prej 10%.