Pengu i shumëfishtë dhe ekonomia e luftës brënda PD-së.

0

Shkruan Zef Ndreka

Nisur nga lëvizjet dhe mos veprimet politike, mund të themi me zë të lartë se Lulzim Basha është pengu i shumëfishtë.
Është pengu i Berishës, i Ramës, i perëndimorëve dhe së fundi i vetvetës.
Të përpiqemi ti analizojmë.
Lulzim Basha ka qënë dhe do të mbetët pengu i Berishës në politikë.
Ai është i destinuar në çdo rrugë e formë të ndaj fatin politik të e tij me fatin politik të Berishës. Janë të shumta argumentet për këtë.
Është fakt se Berisha e ka përzgjedhur si shokun e së bijes Argitës dhe e katapultoi ne majat më të larta të politikës e shtetit, pa asnjë kontribut real politik deri në vitin 2005. Në këtë kohë, Basha u zgjodh deputet e më pas vazhdoi katapultimet e tjera qeveritare si Ministër i Infrastrukturës e Transportit, Ministër i Jashtëm, Ministër i Brëndshëm e më vonë në zgjedhjet vendore, me 10 vota diferencën me Ramën u zgjodh Kryebashkiak i Tiranës.
Me dorëheqjen e Berishës në vitin 2013 pas humbjes me mbi 1 milion vota përballë socialistëve, Basha u përzgjodh po nga Berisha për të drejtuar PD-në, duke marrë drejtimin e saj.
Të gjitha këto poste, Basha i ka provuar por falë dëshirës, vullnetit, qëllimit dhe strategjisë së përzgjedhjes nga ish kryeministri Berisha.
Duhet theksuar se gjatë qeverisjes Berisha 1 e sidomos Berisha 2, korrupsioni me paratë publike, me pronat, me pasuritë kombëtare të nëntokës e mbitokës, me ujrat e hidrocentralet, me naftën dhe mineralet etj, arriti majat dhe pikërisht për këtë shkak edhe u damkos PD-ja nga shumica dërrmuese e shqiptarëve në vitin 2013, duke kaluar në opozitë për të mos e marrë më vetën.
Gjatë qeverisjes së Berishës, ka shumë skandale që po hetohen, por për publikun ende sot nuk janë zbardhur:
– Marrëveshja e detit me Greqinë që nuk duhet të kalojë lehtë.
– Shpenzimet dhe korrupsioni në “Rrugën e Kombit”.
Janë pikërisht këto dy skandale që realisht duhen hetuar qartë, por janë të vetmet që nuk artikulohen as nga Berisha, as nga Basha në akuzat e ndërsjellta mes tyre.
Te gjithë e kujtojmë shpalljen non grat-a të Berishës familjarisht nga Amerikanët dhe Britania e Madhe, dhe Basha në rolin e Kryetarit të PD-së i imponuar nga presioni Amerikan, mori vendimin përsonal për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, në shkelje të hapur me rregullat e funksionimit të grupit, kur vendimi duhej të merrej nga shumica e deputetëve. Më pas, gaboi sërish duke anashkaluar Kryesinë e PD-së për një vendimmarrje të tillë, madje duke e quajtur vendim përsonal në interes të PD-së!
Këto veprime të njëanshme të Bashës janë bërë enkas, sigurisht në marrëveshje me Berishën me të cilin janë takuar e qëndruar gjatë në vilën e Lalzit ku është hartuar strategjia e luftës së ardhshme politike dhe ku janë caktuar vijat e kuqe ku nuk duhet të preket.
Kështu, Berisha dhe Basha, hartuan atë që quhet ekonomia e luftës!
Asnjeri të mos dëmtohet, por të fitojnë çfarë munden e të mbajnë peng grupimet e tyre, njëri nga foltorja e tjetri nga PD-ja zyrtare e vulës.
Marrëveshja e tyre ka përcaktuar qartë pikat ku do të kundërshtohen, ku do përplasen, ku do shahen dhe ku nuk do të prekin njëri-tjetrin.
Dhe kështu ka ndodhur e po ndodh.
Basha, me rastin e largimit të përkohshëm të Berishës nga grupi parlamentar të PS-së, deklaroi pak a shumë se do të ndjekë rrugën e Berishës dhe do ta këtë atë si busull per te ardhmën, por ishte presioni amerikan që ja ka imponuar atë vendim!
Por teorinë e ekonomisë së luftës ku bazohet “konflikti” brënda Partisë Demokratike, e njeh më mirë dhe e aplikon më me sukses Berisha.
Të godet për të fituar. Të ndajë çfarë është për tu ndarë, por pa e eliminuar njeri-tjetrin!
A nuk ka ndodhur pikërisht kështu?!
Basha u dorëzua pas sulmit kafshëror të godinës qendrore të PD-së me 8 janar. Ajo ishte dita kur Basha realisht i pafuqishëm, megjithë mbështetjen e hapur në dukje të Amerikanëve, filloj të mendoje ekonominë e luftës. Llogaritë e tij ia imponuan lënjen fushë të lirë Berishës deri më 6-Mars kur u zhvillua zgjedhjet vendore në 6-Bashki. Rezultati skandaloz i PD-së zyrtare, por edhe i Foltorës së Berishës, ishte justifikimi i dorëheqjes së Bashës nga Kryetar i PD-së, duke e lënë postin vakant edhe pse i dorëhequr, për tu rikthyer sërish në krye të PD-së, tashmë zyrtare.
Zhdukja prej një viti e Bashës, humbja një nga një e deputetëve që rrëshqitnin nga foltorja, dukej qartë se ishte pjesë e marrëveshjes se fshehtë me Berishën, për ti lënë kohën e mjaftueshme për të pushtuar godinën falë një vendimi absurd të gjykatës së Tiranës i cili u rrëzua më pas nga gjykata e Apelit, për tu forcuar politikisht me shumicë deputetësh nga grupi i PD-së, përherë në funksion të luftës me vendimin e DASH-it dhe të Britanisë së Madhe dhe drejtësinë shqiptare.
Lulzim Basha, dhe PD-ja zyrtare, tani ka përfunduar vetëm me 7 deputetë, sa për tu mbajtur si grup parlamentar.
Fshehja dhe heshtja e Bashës në luftën politike tashmë është dekonspiruar.
“Borgjet” që i ka patur babai të tij shpirtëror i ka larë, por në kurriz të demokratëve dhe të ardhmes se Shqipërisë.
Por edhe Rama ka influencat e tij në ekonominë e luftës Berisha-Basha. Ai mban peng opozitën me faktorizimin dhe luftën që bën me non grat-ën, dhe ushqen sa për të mbajtur gjallë PD-në vetëm zyrtarisht per fonde e ndoshta benefice të vogla.
Por Basha tashmë shikohet edhe si peng i perëndimorëve. Ai duket i pa vendosur, i pa fuqishëm për të fituar betejën me opozitën për tu bërë alternativë pushteti.
Jo më kot, hera herës dalin në skenë financimet ruse, për të cilin realisht nuk flet hapur as ai, as Berisha. Të dy e dijnë shumë mirë skemen e financimit dhe kush ka financuar.
Ashtu siç mungojnë qëndrimet e PD-së zyrtare për Gërdecin, për Kullat, për ÇEZ-in e të tjera skandale që do ta fundosnin politikën e vjetër.
Pra, Basha, ka vendosur të mos bëjë politike, nga paaftësitë dhe me shumë nga pengjet e shumëfishta që ka mbi kurriz. Por ka zgjedhur të mbajë peng atë pjesë të opozitës demokratike sa për ti siguruar atij dhe ndonjë tjetri një vend në parlamentin e ardhshëm, gjë që edhe mund të mos ndodhë pasi e ka fshehur trenin e PD-së në një binar pa lidhje me politikën dhe pushtetin duke devijuar nga idealet dhe e ardhmja…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu