Kurti sërish në “luftë” me amerikanët, DASH: Jemi kundër vendimit për heqjen e dinarit serb

0

Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se është thellësisht i zhgënjyer nga vendimi i Kurtit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë një shuplakë nga SHBA. Heqja e dinarit serb nga qarkullimi në territorin e Republikës së Kosovës është parë si lëvizje e gabuar dhe tepër e nxituar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një prononcim për ‘Zërin e Amerikës’, Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se është thellësisht i zhgënjyer nga vendimi i Kurtit dhe se kundërshtojnë planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departmetit amerikan të Shtetit.

Më tej DASH është shprehur se i kanë kërkuar autoriteteve në Kosovë që të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo vendimmarrje e nxituar, si dhe të argumentojnë përse ky vendim duhej marrë me urgjencë.

Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, thuhet në përgjigjen e DASH.

Gjithashtu Departamenti i Shtetit nënvizoi se qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme.

Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në përgjigje.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier tha se SHBA e kundërshton hyrjen në fuqi të vendimit të Bankës Qendrore për përdorimin e euros si të vetmen valut në vend, teksa theksoi se kjo mund të çojë në tensione të reja në Kosovë.

Ne mendojmë se kjo çështje meriton vërtet një shqyrtim më të kujdesshëm, por edhe një diskutim brenda dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne jemi të shqetësuar se ajo potencialisht do të përshkallëzojë tensionet etnike dhe rezulton problematik për jetën e përditshme të një numri të qytetarëve të Kosovës”, tha ambasadori amerikan pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Edhe Bashkimi Evropian i bëri thirrje të enjten Kosovës që të ofrojë periudhë mjaftueshëm të gjatë kalimtare për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore e cila përcakton se euroja është monedha e vetme që mund të përdoret për pagesa.

Bashkimi Evropian dhe diplomatët në Prishtinë pajtohen që rregullorja “synon të rrisë transparencën financiare, të sigurojë qëndrueshmërinë financiare dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave”, por kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit “derisa të zgjidhen çështjet që sigurojnë se askush nuk do të dëmtohet”.

Rregullorja ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb por edhe shqetësimet e diplomatëve perëndimorë se ajo mund të nxisë tensione të reja.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç diskutoi të mërkurën mbrëma me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore për këtë çështje por nuk u dhanë hollësi rreth diskutimeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu