Kur Saliu na këndon çdo mbrëmje Ezanin e Akshamit

0

 Shkruan Sokol Pepushaj

SPAK-un që po drejton Altin Dumani, e kemi më besimtar se në kohët e largëta të Adriatik Llallës dhe Arben Krajës.

Prokurorët çdo aksham dëgjojnë Ezanin e Saliut, që po e bën mirë hoxhën e fshatit.

Saliu këndon për mëkatet e pushtetit.

Thotë se asgjë nuk ka ndryshuar, as në nivelin e korrupsionit, as kanë rënë malet, as janë ngritur fushat, e laviret e bulevardit janë shtuar, që kur nuse në fshat na erdhi Kimetja e na koriti Arben Krajën e Adriatik Llallën.

Llalla ka rënë me një këmbë në llucë, Kraja ka pastruar shollën e samarit, Dumani ka veshur ca petka me lule plot petla që të ngjajë me Ina Ramën, por të gjithë janë të përdalë.

Vërtetë, ku ndryshon prokuror Kraja me prokur Dumanin, more aman?!

Hyjnesha e drejtësisë Themis, do e hiqte shiritin nga sytë, nëse do guxoja të dyshoj se njëri prokuror është i korruptuar e tjetri i ndershëm.

Në sytë e fshatit, edhe të logjikës njerëzore, të gjithë janë njëlloj, apo jo?!

Ose japin drejtësi, ose jo, rrugë të mesme ende kjo Botë nuk njeh.

Se është kështu, se fshati dyshon për tradhti, Altin Dumani ka veshur këto ditë ca petka me lule dhe ajros petalet e vyshkura në freskun e rrymave oqeanike, për të mbytur dritën në “Rrugën e Qumështit”, atje larg, në sistemin diellor ku Dosja Rama- McGonigal i rrotullohet SPAK-ut si satelit i komanduar nga Sulltani i Surrelit.

Që ende komandon gjithçka Babloku, nuk na ngjan e saktë.

Saktësisht, Babloku rri në vrojtore të qeverisjes, nga ku vrojton edhe zbokthin në flokë të prokurorëve, edhe ku lavërdajnë ata.

Qe prokurorët janë harbuar nga epshi për pasuri, që ata flirtojnë me hamshorët e korrupsionit, nuk ka njeri që nuk e ka mësuar.

Për natë, këtë melodi, këndon në ezanin e akshamit hoxha i opozitës.

Ç’punë ka Amerika me Saliun, ne na duhet për Hoxhë.

Ai ka zë të fortë, melodioz, njeh anatominë e moralit në çdo cep të pushtetit. Fshati kënaqet kur këndon nga ballkoni për mëkatet e McGonigalit, për laviret tona që shesin nderin me para tek Edi Rama, Erion Veliaj, Tony Blair, Alexandër Soros dhe çdo qeros kinez, rus apo amerikan.

Sa nxori sekretet Saliu, Altin Dumani mori një velenxë të qëndisur nga Kimetja e doli në shëtitore të Shkodrës, atje ku shijet janë elitare, ku rrugët janë plot me ashikë të demokracisë.

Qeflinjtë  e flladit të perëndimit, e përqeshën si të përdalë.

Po Altini u tregua bandill.

Hoqi faqëzën nga faqet, u betua në kokë të Kimetes, se Saliu gjysmën e ezanit e këndon mirë e gjysmën keq.

Ligjërimi i ligët, sipas kreut të SPAK-ut, shkon për ata prokurorë që është e vërtetë se flirtojnë me banditë, po në këtë sëkëlldi, ka edhe milcë për bletët e koshereve të drejtësisë.

SPAK-u, paçka se ka shumë fjalë të këqija për të, ende ne besojmë se po, po mbledhë nektar në nekropol të inceneratorëve, dosjes Rama-McGonigal, politikanëve, zyrtarëve, investitorëve strategjikë e s’ka të keqe se ca besimtarë dëgjojnë dhe besojnë.

Në fakt Saliu kështu na duhet, Hoxhë që na këndon çdo mbrëmje Ezanin e Akshamit./Pamfleti 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu