“Këndoj për ata që ikën..”

0
Shkruan Ledia Dushi
Duket, për fat të keq, se nuk ka ende kurrgjë të re sa i përket fatit të poetëve të njëmendtë shqiptarë, qysh në lindje, “fatit injorant” që u këndojnë mbi krye, u përziejnë të njëjtën lëndë të zezë të dhimbjes së pambarim dhe të vetë Pambarimit, duke i shndërruar në Diej, e Diejt nuk kanë varr, nuk lindin për të zbritur në tokë, por për ta shndritur Tokën, e nëse u duhet të rrinë në tokë për do ditë, veçse vuajnë… Rrugëve, i ngarkuar me shtrigninë mrekulluese të artit që fshihte brenda vetes, ecte, lëkundej, endej dhe donte që askush të mos pikëllohej për fatin e tij. Dhe kjo ishte dëshira e një njeriu i cili nuk e di nëse kishte mbetur ndonjë gjë në botë që ta gëzonte… Këto janë fjalët e tij. Këto janë fjalët e një njeriu që bota e mbyti. E ashtu siç thotë Pol Elyari: “Le ta pyesim nëse ai luftoi, para se bota ta mbyste…”
I lindur në Shkodër, në zemrën më pulsuese, më të përgjakur e më të goditur të poezisë e kulturës shqiptare në përgjithësi, në vetë thelbin tragjik të poezisë shqipe e të jetës shqiptare, Frederik Rreshpja do ta ndiente praninë e kësaj fryme “mallkuese” që në fëmijërinë e hershme; do t’i blatohej poezisë si askush tjetër, deri në orën e mbrame të gjallimit. Rëndesa e kohës duket se ia vështirësonte përpjekjen për ta hapur përfundimisht e plotësisht gurin e çmueshëm ku ai ruante artin. Ndoshta ishte poeti i parë demokrat i këtij vendi…?!
Lirikat e tij e tejkalojnë kohën. Lirikat e tij e bëjnë të huaj kohën. Ai i bënte shteg rrugës së vet. Kjo rrugë që, në të vërtetë, ishte rruga e rinisë shkodrane, binte ndesh me mjedisin vdekjeprurës që po sajonte “qeverisja” e kohës. Vargjet ishin zjarri i shpirtit dhe thellësia e ndjenjave, që gjithsesi përplaseshin me shterpësinë dhe hipokrizinë e asaj politike.
Kjo ndeshje ndodhte brenda vetë poetit. Këtë ndeshje të tjerët nuk arrinin ta shihnin. Ata shihnin vetëm Frederikun të zhytur në një botë të turbullt, tek notonte në tymnajën nga ku gjallonte arti, si një diell ëmbëlsisht i vuajtur që lëshonte rrezet e një pikëllimi hyjnor. Kjo gjë ia stuhiste shpirtin, prandaj ai ishte shndërruar në një bohem të vërtetë, në një plëngprishës të madh të vetvetes, nihilist për mjedisin dhe të tjerët, por gjithmonë, dhembshurisht i dashur. Në fundin e jetës ai thoshte se çdo gjë e kishte humbur në mënyrë serioze dhe nuk ankohej për këtë fat. Dhe shtonte se, kur trishtohet, shkruan… Ia kishte gjetur që në krye të herës vetes barin kundër së ligës, barin dhe trumzën e butë…
Poezitë e tij të para ishin ndryshe nga poezia që koha po gjymtonte. Ato përshkoheshin nga një pezëm që ngjante me një thirrje për të shpëtuar artin e vërtetë që po shpërbëhej, thirrje për të shpëtuar vetë shpirtin nga bjerrja. Kjo gjë e bën atë, tashmë pa asnjë dyshim, poetin e parë demokrat. Sigurisht, e priste burgu. Filloi një jetë tjetër që, në fakt, ishte tmerri dhe çnjerëzimi me emrin Spaç. U dënua dhe u ridënua…
Diktatura dukej sikur vdiq por, në të vërtetë, për Frederik Rreshpen ajo vetëm u rrëzua. U përbiruan muret e saj, nga ku fluturoi edhe ky shpend i ngujuar. Kishte shumë ëndrra të ruajtura dhe tashmë dukej se edhe mundësi për t’i jetuar. Deshi të fluturonte diku lart, por ishte e pamundur, mungonte oksigjeni, prandaj krahëthyer ra në tokë, nga ku u ngrit përsëri poeti bohem Frederik Rreshpja, me rrobat e vjetra, me kapelën mbi sy, duke na dhënë të kuptonim se shpirti i poetit është shumë më i madhërishëm se trupi. Notonte në mjerimin shpirtëror të një populli të lodhur që kërkonte çlirimin nga një shtet me ndërgjegje të cunguar. I lënë në harresë nga vetja dhe nga të tjerët, ai thërret nga thellësia e shpirtit se nuk do që të pikëllohet kush për fatin e tij dhe se ka ardhur ora që ai të vdesë përsëri… (Në vitin 1991 ishte kryeredaktor i gazetës “ORA” si edhe kandidat për deputet. Nga viti 1992, ai ishte president i shtypshkronjës “Europa”. Ka qenë edhe drejtor i revistës kulturore-letrare “Europa”, si dhe i gazetës “Lajmi i mbrëmjes”. Në vitin 2000, ai ishte i rrënuar ekonomikisht.)
Ky ishte qytetari Frederik Rreshpja, i cili u nda nesh për t’u kthyer në jetën e përjetshme në shkurtin e vitit 2006. E poeti? Përhumbesh e asgjësohesh nëpër poezinë e tij, të bëhet sikur kalon menjëherë një portë, si nëpër sendet e imagjinuara e të pagjasa, dhe gjendesh në një ferr shajnues. Poeti lirik, më i shkëlqyeri ndër lirikët bashkëkohorë shqiptarë, të bën të vozitesh në një lundër të ndërtuar me vegime marramendëse e më tej, në një livadh hyjnor ku merr jetë gjithçka njerëzore. Të duket se duke folur për Frederikun poet u cenon të drejtën të tjerëve që ta shijojnë poezinë e tij. Në të vërtetë, ai nuk kishte e as nuk ka nevojë për vlerësime të tipit: “i madhi”, “i mrekullueshmi”, “i paarritshmi”, “i papërsëritshmi”, “gjeniu”, e për hir të së vërtetës, ai i ka të gjitha këto, por më së pari dhe çka është më e rëndësishmja, ai është Poeti.
Ai shkroi gjithë jetën e tij pa kërkuar kurrgjë.
Në të vërtetë, kjo ishte kërkesa e tij e vetme, t’u jepej fjalëve e të ikte me to… e me to na bëri të ndihemi aq të mirë e të gjallë, të gjallë prej fjalësh e ndjesish të jashtëzakonshme e të vërteta gjer në dhimbje. Ai nuk mundi të na japë gjë tjetër përpos vetes dhe këtë e ofronte pa pikën e dyshimit e të pendimit, deri në fir… Dhe tani ndodhet diku lart dhe larg, prej nga nuk mund të ikë më, sepse Ai vetëm ikte, nga kasollja, nga dritat e rrejshme, nga Shkodra, nga Tirana, nga spitalet, hotelet, azilet, ikte nga dashuritë, nga vetja, e përfundimisht edhe nga Toka…
Dhe ai përsëri nuk kërkon asgjë prej nesh, ndërkohë që na e ka dorëzuar krejt zërin, ngjyrat, aromat, vegimet e shpirtit të tij. Është tash nevoja jonë, ndërgjegjja jonë e dërrmuar që na nxit ta afrojmë më afër nesh, më afër atyre që e duan dhe e respektojnë përdritjen e artit, më afër të rinjve që duhet të dinë se si mund të kalosh nëpër të ardhmen e, mbi të gjitha, më afër atyre që duan dhe çmojnë më shumë se asgjë, lirinë. Vdekja e ndeshi Rreshpen për ta ngulitur përfundimisht brenda nesh. Tashmë, atje ku ka shkuar, Ai nuk është më Vetëm. Ndjesë pastë Miku ynë, gjithnjë i Përjashtuar, gjithnjë Humbës, gjithnjë i Mashtruar, e Zoti na ndjeftë ne që duam të pastrojmë ndërgjegjet tona duke u përpjekur t’i japim atë çka Ai njeri që ishte Humbëtira e Vetes, duhet ta kishte qysh në të gjallë, qysh gjithnjë. Por, çka është gjallimi, në mos humbëtirë për njerëzit që u “rëndon” shpirti, e veç enden nëpër ajrì…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu