Hiro Onoda, ushtari japonez që refuzoi të dorëzohej për 29 vite pas Luftës së Dytë Botërore

0
Shkruan Eduard Dedaj
Lejtnanti Hiro Onoda, ishte një oficer i shërbimit sekret të Ushtrisë Perandorake Japoneze, i dërguar në një garnizon në një ishull të Filipineve në vitin 1944, afër fundit të Luftës së Dytë Botërore. Pasi u urdhërua nga qendra të mos dorëzohej, ai e mbajti fjalën.
Nuk u dorëzua deri më 9 mars 1974, duke u bërë ushtari i fundit japonez që e bënte këtë. Pse pse Onoda refuzoi të besonte se Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar, dhe si arriti të fshihej në xhungël për më shumë se 29 vjet?
Hiro lindi më 19 mars 1922, në Kainan, Uakajama, në Japoninë Qendrore. Kur mbushi 18 vjeç, u regjistrua në Ushtrinë Perandorake Japoneze, dhe shumë shpejt nisi të trajnohej për të qenë pjesë e shërbimit sekret. Krahas stërvitjes për luftën guerile, Onoda mori leksione në histori, filozofi, arte marciale, propagandë dhe operacionet e fshehta.
Si shumë të tjerë, ai u udhëzua të parandalonte kapjen rob nga armiku, duke u udhëzuar që të vdiste duke luftuar ose të vetëvritej. Në dhjetorin e vitit 1944, Onoda u vendos në Lubang, një ishull i vogël në Filipine afër Luzonit, afro 93 milje në jugperëndim të kryeqytetit të vendit Manila.
Misioni i tij ishte të shkatërronte aeroportin e Lubangut dhe një skelë pranë portit, si dhe çdo aeroplan ose ekuipazh armik që do të përpiqej të zbarkonte në ishull, për të penguar një pushtim aleat që pritej të ndodhte në fillim të vitit 1945. Por pak javë nga mbërritja e tij, misioni që kishte marrë përsipër dështoi.
Eprorët i thanë se kishin nevojë për portin dhe pistat ajrore për të evakuuar njerëzit e tyre, dhe Onoda u urdhërua të ndihmonte në këtë operacion. Por dështimi për të përfunduar misionin e tij, e rëndoi shumë psikologjikisht Onodën. Më 28 shkurt 1945, amerikanët sulmuan dhe arritën të vënë nën kontroll pjesën veriore të ishullit.
Shumica e ushtarëve japonezë që mbronin ishullin ose ishin vrarë, kapur rob ose arratisur. Eprori i njësisë ku bënte pjesë Onoda, majori Joshimi Taniguçi, urdhëroi Onodën dhe 3 kolegët e tij të mbetur ende në detyrë, që të rezistonin duke luftuar dhe të mos dorëzoheshin asnjëherë.
Po ashtu, iu ndalua të kryenin vetëvrasje. Onodës i thanë:“Mund të duhen 3 apo 5 vite, por çfarëdo që të ndodhë, ne do të kthehemi tek ju!”. Onoda, në atë kohë 23 vjeç, e besoi përbetimin e eprorit dhe u fsheh në xhungël. Dorëzimi i Japonisë u njoftua nga Perandori Hirohito më 15 gusht 1945, dhe u nënshkrua zyrtarisht më 2 shtator 1945.
Në ishullin Lubang u hodhën fletëpalosje që njoftonin dorëzimin e Japonisë. Por kur një celulë ushtarësh japonezë të fshehur në male, i treguan Onodës dhe shokëve të tij një nga fletëpalosjet në tetor 1945, Onoda e cilësoi atë një gënjeshtër të armikut. Disa fletëpalosje të tjera u hodhën nga ajri mbi ishull.
Ato përmbanin një urdhër zyrtar për dorëzimin e çdo japonezi, dhe mbanin firmën e gjeneralit Tomojuki Jamashita i Ushtrisë së Zonës së Katërmbëdhjetë. I trajnuar në propagandë, Onada e cilësoi sërish të rremë këtë njoftim. Ai pretendoi se fletëpalosja ishte plot me gabime, dhe një falsifikim i bërë nga amerikanët, me synim kapjen e ushtarëve japonezë të fshehur në xhungël.
Kështu Onoda dhe 3 kolegët e tij mbetën të fshehur në xhungël, duke zhvilluar një luftë guerile kundër popullsisë civile të Lubangut, forcave të policisë lokale, dhe disa grupeve amerikane dhe filipinase që ishin dërguar enkas për t’i gjetur ata. Onoda dhe shokët e tij, supozuan se ata ishin të burgosur japonezë, të detyruar të kërkonin shokët kundër vullnetit të tyre.
Ushtarakët japoneze jetonin me një dietë ushqimore të varfër, të përbërë nga lëkura bananesh, arra kokosi dhe orizi që e vidhnin nga fermerët vendas, duke besuar se armiku po përpiqej që t’i detyronte të vdisnin nga uria. Gjatë Luftës së Koresë, Onoda dëgjoi avionët që fluturonin mbi kokat e tyre, duke supozuar se kishte nisur një kundër-ofensivë e ushtrisë japoneze, pavarësisht nga ato që pretendonin gazetat e botuara në ishull, të cilat Onoda i quajti sërish si “propagandë e amerikanëve”.
Por një nga kolegët e tij, Juiçi Akacu, nisi gjithnjë e më shumë të dyshonte se lufta mund të kishte përfunduar. Në vitin 1949, ai u shkëput nga grupi dhe pasi kaloi 6 muaj vetëm në xhungël, iu dorëzua forcave filipinase në vitin 1950. Akacu u dha autoriteteve informacione për grupin. Në vitin 1952, ata hodhën ajri në ishull letra dhe fotove të familjarëve. Por Onoda besoi sërish se ato ishin falsifikime. Një vit më vonë, shoku i Onodës, Shoiçi Shimada, u plagos në këmbë nga policia e zonës gjatë një bastisje në një fshat peshkatarësh. Ndërkohë në virin 1954, Shimada u qëllua për vdekje nga një grup kërkimi i dërguar për të kërkuar ushtarët.
Pas atij momenti, Onoda dhe shoku i vetëm i mbetur, Kinshiçi Kozuka, e kaluan shumicën e kohës në shpella, duke mbledhur informacione mbi objektet ushtarake dhe lëvizjet e armikut, dhe duke u përfshirë në përleshje sporadike me armë me fshatarët e zonës.
Gjatë disa viteve ata vranë 30 banorë të ishullit, duke supozuar gabimisht se ishin ushtarë armiq, teksa iu shmangën përplasjeve me policinë. Në Lubang, nisën të qarkullojnë histori rreth një ushtari mitik që fshihej në periferi të fshatit të tyre dhe që plagoste apo vriste ata që afroheshin. Në kujtimet e tij botuara më vonë, Onoda shkruan se duke nisur nga viti 1959, ai dhe Kozuka kishin zhvilluar aq shumë ide fikse në kokë, sa që arritën në një pikë, ku nuk ishin në gjendje të kuptonin asgjë që nuk përputhej me to.
Onoda ishte indoktrinuar shumë nga ideologjitë e Japonisë së kohës së luftës, ku ushtarët supozohej të vdisnin për kauzën e tyre, siç u pa në rastin e pilotëve kamikaze. Pasojat për ushtarët që braktisnin detyrat e tyre apo nuk respektonin standardet tradicionale ishin të rënda.
Në tetorin e vitit 1972, edhe Kozuka u vra nga të shtënat e grupi kërkimi të policisë lokale. Edhe ajo ngjarje e përforcoi besimin e Onodës se lufta vazhdonte. Ai qëndroi i fshehur në ishull, tashmë krejtësisht i vetëm, edhe për 18 muaj të tjerë.
Qeveria japoneze, që i kishte shpallur ushtarët të vdekur që në vitin 1959, u trondit nga lajmi mbi vdekjen e Kozukës, duke rritur gjasat që Onoda të ishte ende gjallë. Në vitin 1974, historia e Onodës bëri xhiron e botës. I mërzitur nga jeta në Japoni, studenti dhe aventurieri ekscentrik japonez, Norio Suzuki, u magjeps pas kësaj historie.
Ai shkoi në ishullin Lubang dhe e gjeti Onodën pas vetëm 4 ditësh. Ata u bënë shpejt miq me njëri-tjetrin, ndërsa Onoda i tha Suzukit se nuk do të dorëzohej, nëse nuk merrte një urdhër zyrtar. Kështu Suzuki u rikthye në Japoni së bashku me fotografitë që vërtetonin takimin midis tyre, pasi kishte premtuar se do të gjente eprorin e Onodës.
Autoritetet ndihmuan në gjetjen e majorit Joshimi Taniguçi, që tanimë punonte si librashitës. Më 9 mars 1974, Taniguçi anuloi zyrtarisht urdhrin e tij të dikurshëm, duke ia dorëzuar personalisht Onodës, që u lirua nga detyrat e tij me urdhër të vetë perandorit.
I dërrmuar, Onoda qau me ngashërim dhe u dorëzua. Me vete të kishte një shpatë, një pushkë, 500 fishekë, disa granata dore dhe një kamë që ia kishte dhënë nëna e tij para se të nisej, me këshillën që të vriste veten nëse do të kapej ndonjëherë rob nga armiku.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu