Shkruan Zef Ndreka
Shqipëria, ndodhet në prag fushate elektorale, edhe pse jo zyrtarisht, ajo ka filluar e ashpër sidomos jashtë trojeve të vendit.
Këtë e tregojnë pamjet filmike të aktiviteteve politike në Europë dhe Amerikë, të partive kryesore si PD dhe PS, por edhe të partive të reja të vogla si ajo e Llapajt, e Shehajt etj.
Llogaritë dhe bilancët elektorale, sigurisht do ti zhballancojnë votat e emigrantëve, të cilët edhe pse jetojnë jashtë Shqipërisë, mbetën fanatik të pandryshuar të bindjeve të tyre.
Ky është problemi më i madh sot i shoqërisë mbarë shqiptare.
Për fat të keq, populli e do diktaturën, në kuptimin më kompleks të saj. Atij, po për fat të keq, i pëlqen fakti që të jetë i poshtëruar, i ofenduar. Pse jo edhe i trembur!
Të gjitha këto “pëlqime”, na tregojnë qartë se si popull kemi shfaqje të theksuara të mazohizmit.
Nënshtrimi pra, ndaj lidërve apo udhëheqësve të partive që synojnë pushtetin, ndoshta është edhe çështje fanatizmi të kultivuar ndër vite. Kjo mund të jetë arësyja pse një pjesë e luftës politike, sidomos sot e opozitës, është e shkaktuar nga fanatizmi, nga berishizmi, pa asnjë program, pa asnjë ideologji. Por, mund të jetë edhe sëmundje njërzore e shqiptarëve. Sepse, fanatizmi shfaqet si fenomen gjithnjë pas katastrofave apo kataklizmave të fuqishme në shoqëri.
Kështu pati ndodhur 30-të e kusur vite më parë me enveristët dhe vullnetarët e tij, ashtu sikurse po ndodh sot me berishistët dhe ndjekësit e tij.
Shumë prej fanatikëve berishistë mendojnë se kanë të drejtë për t’iu imponuar besimin e tyre absolut të tjerëve, me çdo lloj mënyre.
Ky është fanatizmi politik, i cili ashtu si fanatizmat e tjera si ai fetar psh, kanë të njëjtin mekanizëm, ku edhe sot, pas 32-viteve të ndërrimit të sistemit, të një demokracie totalisht të kontrolluar nga fanatizmi dhe fanatikët, është e tmerrshme të shohim që kjo shoqëri e ashtuquajtur demokratike, ende nga shumë ndjekës nuk konsiderohet si anomali në historinë tonë pluripartiake.
Fanatizmi në Shqipëri, mund të jetë kthyer për fat të keq edhe në një traditë jo kulturore, por që ka depertuar thellë dhe shumë shpejt në masën e njerzëve, të shtresave të dezinformuara.
Fanatizmi politik shumë lehtë, depërton tek njerëzit e pazhvilluar.
Por jo të gjithë janë fanatik në Shqipëri. Ende kemi plot njerëz që kuptojnë se të vertetat janë relative në këtë realitet. Për fat të mirë, këta njerëz na bëjnë të besojmë se mund të flitët për civilizim. Sepse pikërisht këta, i kundërvihen fanatizmit dhe fanatikëve, barbarizmave.
Beteja me rënjen e komunizmit në Shqipëri ende nuk ka mbaruar. Edhe pse synimi i rendit te ri demokratik është toleranca, demokracia, liria.