Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi sot se kryeministri Edi Rama, pasi e paketoi Erion Veliajn, u tha të tijve mos guxoni ta mbroni.
Sipas tij deklaratat e fundit të Ramës tregojnë se ai është në harmoni të plotë me SPAK-un.
“Dje Edi Rama, pasi e paketoi Erion Veliajn, u tha mos guxoni ta mbroni se atje do të shkoni.
Çfarë ishte ajo deklaratë dje? A nuk tregoi se ai është në harmoni të plotë me Spakun?
Tre ditë më parë kërkonte votat e PD për ta shkrirë dhe për ta zhdukur, tani e përdor atë si kamxhik ndaj kandidatëve të tij”.
Berisha tha po ashtu 26 partitë që janë pjesë e Aleanca për Shqipërinë Madhështore dhe morën 8 vende të sigurta në listë, përfaqësojnë një të tretën e elektoratit.
“Një koalicion shumë i mirë u bë, natyrisht në këtë koalicion vërtet PD ka dhënë 8 vende në listat e garantuara, por demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti në tërësinë e tyre përfaqësojnë herë-herë edhe një të tretën e elektoratit shqiptar.
Pavarësisht se të marra veçmas janë parti modeste në votat e tyre, por të marra së bashku kanë një elektorat qindra mijëra votash.
Dhe unë u them se kjo është një fitore e vërtetë e aleancës për Shqipërinë Madhështore. Ndaj edhe e përshëndes sot dhe garantoj se është në përputhje me statutin e partisë.
Sikundër, përcaktimet statusore për kuotat e vajzave dhe grave në listat e mbyllura dhe të hapura dhe për kuotat e të rinjve në të dy palët e listave, janë eprore ndaj gjithçkaje tjetër për listat e PD-së”.