Beleri pyet SHBA dhe BE pas dënimit: Kjo është drejtësia që ju dëshironi për ne? Herët a vonë, unë do ta gjej drejtësinë

0

Fredi Beleri ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së, sot e cila e dënoi atë me dy vite burgim nën akuzën e blerjes së votave. Në një deklaratë publike, Beleri e ka cilësuar seancën e sotme “parodi”.

Teksa akuzon Gjykatën për mungesë transparence, Beleri insiston në “pafajësinë” e tij, duke thënë se krimi i tij i vetëm është “se kërkoi tokat stërgjyshore si himariot që është”.

“Krimi i kryer nga unë është se bashkëqytetarët e mi himariotë më zgjodhën kryetar bashkie, duke dalë kundër planeve të kryeministrit shqiptar, Edi Rama”, thuhet në deklaratën e Belerit.

Deklaratë e plotë kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Dhionisios Alfred Beleri

Seanca e sotme ishte një parodi. Me dëshmi penaliteti të falsifikuar, pa prova, pa asnjë dëshmitar tjetër veç atij të paguar nga policia, me gjyqtare “të emëruar”, brenda një kafazi prej xhami, duke mos patur mundësinë e komunikimit me avokatin, sot, gjykata shqiptare më dënoi me dy vite burgim.

Krimi që kam kryer është se ne, himariotët, kërkojmë të jemi zotër të tokave tona stërgjyshore. Krimi i kryer nga unë është se bashkëqytetarët e mi himariotë më zgjodhën kryetar bashkie, duke dalë kundër planeve të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

SHBA dhe BE, kjo është drejtësia që ju dëshironi për ne? Gjyqtarëve po u lë komentet e popullit shqiptar. Unë do të vazhdoj përpjekjet e mia për Drejtësi dhe Demokraci, në emër të bashkëqytetarëve të mi. Herët a vonë, unë do ta gjej drejtësinë. Kam aq durim sa duhet për ta çuar deri në fund këtë çështje.

Kryetari i Zgjedhur i Bashkisë Himarë
Dhionisios Alfred Beleri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu