Arratiset nga burgu Moisi Habilaj/ Si e mbrojti Edi Rama drogmenin nga prangat e Zaganit (VIDEO)

0

I arratisuri i fundit i bandës së Habilajve, Moisiu nuk ishte një ushtar dosido në organizatën që trafikonte drogë dhe armë drejt Italisë. Për sa kohë Saimir Tahiri qe Ministër i Brendshëm, Moisi Habilaj drejtonte një bandë, që sipas autoriteteve italiane trafikoi rreth 30 ton kanabis dhe qarkulloi disa qindra miliona euro në 4 vitet që xhiroi drogën në të dyja anët e kufirit.

Antimafia e Katanias i ka përgjuar prej vitit 2013. Guardia di Finanza i ndoqi, që kur agjentët e saj në Itali e Tiranë ranë në gjurmët e tyre, si persona që, pa u trazuar, dërgonin tonelata me drogë drejt klaneve mafioze siçiliane, me gomone, skaf, peshkarexha e makina. Në përgjimet e italianëve Moisi Habilaj dhe bashkëpuntorët e tij dëgjohen të flasin për kushëririn e largët.

Kur i kishte blerë dhurata nënës dhe bashkëshortes së tij, kur kërkon 30 mjë euro cash për t’ia dërguar, apo kur thotë se përfiton 5 milionë euro në muaj, se nuk i dalin as 20 milionë për fushatë elektorale.

Këto ditë, Moisi Habilaj e priti në arrest shtëpie dënimin nga drejtësia italiane. Por kur karabinierët shkuan ta marrin sepse gjykata e dënoi me 15 vite burg, ai nuk gjendej më në shtëpi.

Arratisja e Moisi Habilajt nuk habit. Shumica e anëtarve të tjerë të grupit janë jashtë burgut. Përveç Jaeld Çelës, ish drejtori i Policisë së Vlorës i cili iu dorëzua policisë në maj të vitit 2020 dhe sot pret dënimin në qeli. Polici Jaeld Çela akuzohet se bashkëpunoi me Habilajt, kurse një polic tjetër, Dritan Zagani iu kundërvu duke u përballur me një stuhi akuzash të nivelit më të lartë shtetëror. Dita kur Moisi Habilaja arratiset nga dënimi me 15 vite burg, është edhe dita kur ia vlen të kujtohet kush i doli në krah në Shqipëri.

Kushëri me Saimir Tahirin dhe përdoruesi i mjetit të tij personal, të famshmit Audi me targën AA003GB, Moisi Habilaj e sfidoi ish-shefin e antidrogës, Dritan Zaganin dhe bashkë me klanin e tij e përndoqi deri në burgosje duke e detyruar të largohet nga vendi. Zagani zbuloi se Habilajt kishin makinën e ministrit në dispozicion dhe se ata kryenin trafik droge drejt Greqisë, pasi asnjë polic nuk guxonte të kontrollonte makinën personale të Ministrit të Brendshëm.

Çfarë thoshte Zagani?

Në një intervistë të 4 shtatorit të vitit 2015, ish-polici rendiste tre arsye pse Habilajt dhe Tahiri ishin bashkëpuntorë.

Së pari, Dritan Zagani mbështetej tek pronësia e skafit që Moisi Habilaj dhe dy vëllezërit e tij përdornin. Sipas tij, skafi ishte i regjistruar në emrin e Saimir Tahirit, por mirëmbahej nga tre persona, A.H., M.H. dhe L.H. nga Vlora.

“Saimir Tahiri kishte një skaf që mbahej për xhiro për pushime në jug në bregdet. Në mungesë të tij, ky skaf (jo shumë i fuqishëm) mirëmbahej dhe përdorej nga 3 vëllezër. Skafi ishte i regjistruar në emrin e Tahirit. Tre vëllezërit që e mbanin skafin ishin: A.H., M.H. dhe L.H. nga Vlora. Këta të tre ishin kontigjet i trafikut të drogës që kur unë punoja në Vlorë vite më parë. Këta u fuqizuar kur erdhi PS në pushtet.”

Së dyti, Dritan Zagani bazohej tek bashkëpronësia e makinës së Tahirit. Ai tregoi me detaje mënyrën se si zbuloi se makinën e ministrit të Brendshëm e përdornin vëllezërit Habilaj.

“Në një moment desha të verifikoja me kë do takohej A.D. (trafikant i dyshuar droge) në Vlorë. Aty pashë një Audi A8 me xhama të zi me targë “AA 003 GB”. A.D. zbriti nga makina e tij dhe u fut te Audi. U mundova ta ndjek, isha vënë re nga ata dhe në vend që t’i ndiqja ata më ndiqnin ata mua dhe e lash fare. Shënova targën e Audit. Nesër në zyrë futem në sistemin TIMS dhe kërkoj targën e Audit. Del emri i Saimir Tahirit. Ishte prill i vitit 2014, para se të më arrestonin. Makinën e ministrit e përdornin këta tre persona trafikantë në Vlorë. Se kisha marrë vesh ça po bëhej. Doja të verifikoja me kë u takua A.D.

Thirra direkt Skënderin, shefin e sektorit. Shikoje ça ka ktu i thash. Nuk e di ti tha? Këtë e mbajnë kushurinjtë e ministrit në Vlorë, vëllezërit Habilaj. Është makina e ministrit, e mbajnë ata.”

Së treti, Zagani tregoi se si një nga njerëzit më të besuar të Tahirit, Ervin Hodaj, ndërhyri për të liruar dy nga vëllezërit kur u shoqëruan në ambientet e policisë pasi kishin fyer dhe kundërshtuar me forcë një kontroll të policisë.

“Këtë makinë policia e ka ndaluar në dy të natës në autostradën Gjirokastër-Levan. Kanë bërë debat e sherr me cunat tanë. Nuk kanë pranuar të kontrollhen. Janë shoqëruar deri në drejtori. Kanë qenë të pirë dhe të shoqëruar me dy femra. Sa janë futur brenda kanë filluar të ofendojnë policat. Mori në celular drejtori, Ervin Hodaj, dhe tha lirojini ata. Aty mësova kush paska qenë në Audi atë nate (kur ndoqi trafikantin A.D). Pastaj në Vlorë e verifikova disa herë që e kishin ata.”

Si iu përgjigj Rama këtyre akuzave të rënda për Ministrin e tij të Brendshëm? Pak ditë më pas, kryeministri i Shqipërisë doli vetë në krah të Tahirit duke e shfajqësuar atë dhe bashkë me të, edhe Habilajt. Në një sallë të mbushur me qindra policë, në një aktivitet të quajtur “Antidroga”, Rama e quajti Zaganin “një kriminel”.

“Një kriminel, një nga ata të cilët policia e shtetit, policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajon t’i identifikojë në radhët e veta dhe t’i pastrojë nga radhët e veta; një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte opreacionet e policisë, është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje edhe i kreut të shtetit së fundi. Heroi! Heroi që na kërkoka përgjigje, ndërkohë që ai është në kërkim. Heroi që nuk paraqitet në prokurori dhe të përgjigjet njëherë për akuzat e ngritura mbi të. Por është paraqitur për azil politik, në një shtet tjetër, pasi ka thyer vendimin e gjykatës të detyrimit të paraqitjes. Kaq mjafton për të kuptuar se sa poshtë ka rënë ky pazar. Kaq mjafton për të kuptuar se sa e ulët është bërë kjo lojë. Kaq mjafton për ta kuptuar se sa e dëshpëruar është në fakt industria e baltës.”

Për ta nxjerrë bllof u desh të kalonin 2 vjet dhe një operacion i gjatë i shërbimeve italiane, që nxorri në pah trafikun ndërkombëtar të drogës, me implikimin e policëve shqiptarë.

Vetë Saimir Tahiri në një nga momentet e tij të dobësisë në emisionin Opinion, kur foli për Habilajt tha se duhej të kishte qenë më i kujdesshëm.

“Unë duhej të kisha kërkuar mirë kujt po ia shisja makinën. Pa paragjykuar fare dhe pa menduar se kjo makinë u ishte shitur ca njerëzve që kanë aktivitet kriminal, më shkoi mendja që të kërkoja makinën time dhe të shkoja me pushime. Kjo më ngarkon me përgjegjësi morale pa asnjë diskutim, por jo me faj” tha Tahiri në një nga daljet e tij në Opinion, pasi kishte plasur skandali i trafikut të drogës.

Në fakt, çfarë e implikon Tahirin ishte mbështetja që i dha kushërinjve trafikantë edhe pasi u vu në dijeni për akuzat e Dritan Zaganit dhe në këtë implikim ai nuk ishte vetëm, sepse në çdo hap kishte me vete edhe “shefin e madh”.©Lapsi.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu