Pas ankesave të shumta të abonentëve të kompanisë One Albania lidhur me rritjen e tarifave që pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj 2026, ka ardhur edhe reagimi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Kreu i AKEP Gentian Sala, në një prononcim për News 24, tha se institucioni që ai drejton është në komunikim të vazhdueshëm me operatorin dhe se çështja po ndiqet nga afër. Por deri më tani nuk kanë marrë ende një vendim.
“Kemi komunikim të vazhdueshëm me operatorin telefonik, por edhe javën që kaloi specifikisht për këtë çështje. Nëse ka vend për vendim, do marrim një vendim; për çdo ankesë do ketë një përgjigje”, u shpreh Sala.
Reagimi vjen pas shqetësimeve të abonentëve, të cilët kanë shprehur pakënaqësi në rrjetet sociale dhe për mediat, duke e cilësuar rritjen e tarifave si të padrejtë, pasi sipas tyre shërbimi mbetet i pandryshuar pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Sipas njoftimit të dërguar nga kompania, rritja e tarifave do të jetë deri në 2.2% dhe bazohet në indeksin e çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT. Megjithëse përqindja e rritjes konsiderohet e ulët, abonentët argumentojnë se efekti i saj i përsëritur çdo vit kthehet në një barrë të shtuar për familjet, duke paguar më shumë për të njëjtin nivel shërbimi.



