Shkruan Arban Murçaj
Në momentin që del para publikut dhe thua: “Rama është kriminel”, “ky është hajdut”, “ai është tradhtar”, apo përdor etiketime të tjera fyese, ke humbur që në fillim mundësinë për të ndërtuar një politikë të re komunikimi.
Në këto 35 vite kemi parë dhe dëgjuar gjithçka. Kemi dëgjuar fyerje ndaj nënave, motrave, vajzave, familjeve dhe fiseve. Kemi parë akuza nga më të ulëtat, deri aty sa janë fabrikuar histori të turpshme për jetën private dhe familjare të kundërshtarëve politikë. Dikush është quajtur agjent, dikush tradhtar, dikujt i është sulmuar bashkëshortja, fëmijët dhe e gjithë familja. Me pak fjalë, nuk ka mbetur pothuajse asgjë pa u përdhosur në emër të politikës.
Dhe sot pyes veten: Çfarë presim nga të rinjtë që duan të hyjnë në politikë? Presim të sjellin një frymë të re, një kulturë tjetër komunikimi, një vizion të ri për shoqërinë. Por si mund të ndodhë kjo kur edhe brezi i ri, sapo merr mikrofonin, fillon të përdorë të njëjtin fjalor, të njëjtat akuza dhe të njëjtën gjuhë urrejtjeje që kemi dëgjuar për 35 vite?
A nuk duhet të shporret njëherë e mirë kjo kulturë politike e përbaltjes? A nuk kemi nevojë për njerëz që dinë të debatojnë me argumente, të kundërshtojnë me fakte dhe të propozojnë zgjidhje, pa e kthyer kundërshtarin politik në armik personal?
Sot, në shumë mbledhje politike, madje edhe në njësitë më të vogla administrative, dëgjon gjithçka, përveç asaj që duhet të dëgjosh. Në vend të diskutimeve për rrugët, shkollat, ekonominë, emigracionin dhe problemet e qytetarëve, dëgjon urrejtje, injorancë, banalitet dhe përbaltje. Duket sikur politika shqiptare ka harruar të diskutojë për të ardhmen dhe është përqendruar vetëm te mënyra se si të shkatërrojë kundërshtarin.
Dhe këtu lind një pyetje: A e kanë vjellë politikanët tanë helmin e tyre mbi shoqërinë?
Unë mendoj se po. E kanë bërë baltën aq të madhe, sa rrezikojmë të mbytemi të gjithë brenda saj.
Dhe dua të bëj edhe një pranim personal: Edhe unë, në një moment apo në një tjetër, mund të jem bërë pjesë e kësaj fryme të përbaltjes. Por ndoshta pikërisht këtu duhet të fillojë reflektimi. Nuk mund të kërkojmë ndryshim nga të tjerët, nëse nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë edhe vetë.
Kjo mënyrë komunikimi më kujton një nga mekanizmat më të errët të kohës së Enver Hoxhës. Kur nuk kishte kundërshtarë apo tradhtarë, ata duhej të shpikeshin. Duhej krijuar një armik, duhej gjetur dikush për t’u sulmuar, për t’u izoluar dhe për t’u mbajtur shoqëria nën frikë e përçarje.
Sot, në vend që të ndërtojmë një kulturë demokratike, duket sikur vazhdojmë të ushqejmë të njëjtën mendësi: nëse nuk ke një armik, krijoje një të tillë!
Dhe kjo nuk është më vetëm një problem i Shqipërisë apo Kosovës. E njëjta frymë po depërton edhe në trojet e tjera shqiptare. Aty ku politika duhet të ishte shembull bashkimi, maturie dhe dinjiteti, po mbillet e njëjta kulturë urrejtjeje dhe përçarjeje.
Një mesazh për politikanët në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare:
Mos prisni që rinia të sjellë një politikë të re, kur ju vetë vazhdoni t’i mësoni se politika bëhet duke sharë, fyer dhe baltosur.
Mos kërkoni një brez të ri me mendësi të re, ndërkohë që i ofroni të njëjtin model të vjetër, të konsumuar dhe të dështuar.
Nuk është trimëri të ofendosh kundërshtarin. Nuk është vizion të shpifësh për familjen e tij. Nuk është politikë të prodhosh urrejtje.
Politika është përgjegjësi, ide, argument, punë dhe vizion për të ardhmen.
Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare nuk kanë nevojë për politikanë që dinë të urrejnë më shumë. Kanë nevojë për politikanë që dinë të ndërtojnë më shumë.
Sepse pas 35 vitesh, ndoshta pyetja nuk është më se kush e shau më fort kundërshtarin, por:
A kemi ende njerëz me guximin të ndërtojnë një politikë ndryshe, apo jemi dënuar të dëgjojmë të njëjtat sharje edhe për 35 vitet e ardhshme?




