Shkruan Zef Ndreka
– Katër njerëz mund të gjykohen, por një popull dhe lufta e tij për liri nuk mund të ulen në bankën e të akuzuarve.
Fotografia e Kryeprokurorit të Hagës po qarkullon me pohimin se Gjykata Speciale është kundër UÇK-së.
Ky pohim me zë e figurë, prek pikërisht plagën më të ndjeshme të këtij procesi.
A po gjykohen katër individë për përgjegjësi konkrete penale, apo përmes tyre po rishkruhet historia politike dhe ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
Pavarësisht se vetë Trupi Gjykues, në shpalljen e vendimit, ka këmbëngulur se çështja ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së, kjo jo vetëm nuk e mbyll debatin, përkundrazi.
Rezultati i shkallës së parë ishte jashtëzakonisht i rëndë. Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, me llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim. Ata u shpallën fajtorë për katër kategori krimesh lufte. Në të njëjtën kohë, një fakt që shpesh humbet në debatin publik është se të katërt u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, sepse Prokuroria nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e sulmit të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile.
Akuzat e Prokurorisë nuk u pranuan të gjitha nga gjykata. Prandaj edhe Apeli nuk duhet parë si një betejë për të ulur disa vite burg. Ai do të jetë një betejë mbi themelet juridike të përgjegjësisë së katër ish-drejtuesve.
Gjykata e shkallës së parë e mbështeti përgjegjësinë e tyre në kontributin që, sipas saj, ata dhanë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Pikërisht këtu pritet të përqendrohet një pjesë vendimtare e përplasjes juridike.
Sa bindshëm është provuar lidhja midis pozitës së tyre politike apo ushtarake dhe krimeve konkrete të kryera në terren?
A është provuar dijenia, qëllimi dhe kontributi individual në standardin e kërkuar penal, apo përgjegjësia është zgjeruar nga pozita drejtuese drejt përgjegjësisë kolektive?
Kjo është shumë më tepër se sa logjikë formale juridike.
Në luftën guerile si ajo e Kosovës, çështja e strukturës së komandimit, kontrollit real mbi njësitë dhe aftësisë së udhëheqjes politike për të urdhëruar apo parandaluar veprime konkrete është thelbësore. Për këtë arsye dëshmitë e mbrojtjes mbi mënyrën sesi funksiononte UÇK-ja marrin peshë të veçantë. Por Apeli nuk do ta rigjykojë çështjen thjesht sepse ekziston një interpretim tjetër politik i luftës. Mbrojtja duhet të tregojë gabime konkrete juridike, faktike ose procedurale në aktgjykim.
Në këtë pikë ndodhet shpresa reale e katër të dënuarve. Nuk ka lidhje presioni i rrugës, as deklaratat politike dhe as tek ideja se Gjykata mund të zhbëhet me një vendim të Prishtinës, por tek aftësia e mbrojtjes për të goditur juridikisht arsyetimin e vendimit.
Paneli i Apelit tashmë është caktuar dhe përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen. Afati për njoftimet e apelit është 27 nëntori. Kjo do të thotë se, juridikisht, vendimi i 16 shtatorit nuk është fjala e fundit.
Edhe dënimet shumë të ndryshme 25, 18, 13 dhe 25 vjet, tregojnë se vetë gjykata ka bërë diferencime mes përgjegjësive individuale. Apeli mund të lërë në fuqi vendimin, mund të korrigjojë konstatime të caktuara dhe dënimet, ose, nëse konstaton gabime që kanë ndikuar në rezultatin e gjykimit, mund të ndërhyjë më thellë në aktgjykim. Prandaj sot askush nuk mund të deklarojë me siguri se cili do të jetë fati përfundimtar i Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Por ekziston edhe një dimension historik që nuk mund të anashkalohet.
UÇK-ja nuk mund të barazohet me katër të pandehur dhe as me krimet individuale që mund të kenë kryer persona të caktuar gjatë luftës. Lufta e UÇK-së lindi në rrethanat e represionit serb dhe përfundoi në kontekstin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës. Një gjykatë penale mund të gjykojë individë, por ajo nuk mund të japë një aktgjykim penal mbi të drejtën e një populli për liri.
Pikërisht këtu qëndron problemi politik i perceptimit të Gjykatës Speciale. Kur në bankën e të akuzuarve ndodhet pothuajse e gjithë kupola politike e UÇK-së, kur procesi zgjat prej vitesh dhe kur katër figura që lidhen drejtpërdrejt me historinë e çlirimit marrin dënime kaq të rënda, për një pjesë të madhe të shqiptarëve kufiri midis “gjykimit të individëve” dhe “gjykimit të UÇK-së” bëhet gjithnjë e më i vështirë për tu dalluar.
Megjithatë, përgjigjja më e fortë ndaj një vendimi që konsiderohet i padrejtë duhet të mbetet juridike dhe demokratike. Kosova e krijoi këtë mekanizëm përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit të vitit 2015.
Përpjekja për ta rrëzuar atë politikisht në mes të procesit mund të dëmtojë pikërisht Kosovën dhe marrëdhëniet e saj me partnerët ndërkombëtarë.
Prandaj beteja tani është në Apel, ku duhet të shtrohet pyetja më e rëndësishme:
A është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësia penale individuale e secilit prej katër ish-drejtuesve për krimet konkrete, apo pesha e funksioneve që ata mbanin në UÇK është shndërruar në një urë juridike për t’ua atribuar veprimet e të tjerëve?
Nëse Apeli gjen dobësi serioze në këtë lidhje, fati i katër liderëve mund të ndryshojë ndjeshëm. Në të kundërt, dënimet e shkallës së parë mund të mbeten në fuqi, tërësisht ose në pjesën më të madhe.
Por cilido qoftë vendimi përfundimtar, një dallim duhet të mbetet i panegociueshëm në kujtesën historike.
Krimi, kur provohet, është individual. UÇK-ja është pjesë e historisë së luftës për çlirimin e Kosovës. Katër njerëz mund të gjykohen, por një popull dhe lufta e tij për liri nuk mund të ulen në bankën e të akuzuarve.
Mbase, pikërisht mbi këtë vijë do të zhvillohet beteja më e madhe pas Hagës në Apel, jo vetëm për fatin personal të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, por për mënyrën se si do të shkruhet historia e luftës së Kosovës për brezat që vijnë.



