Nën hijen e Teutës

0

Shkruan Zef Ndreka

“Nën hijen e Redonit”, titullohet një poezi për Teutën, që më tepër, është një dialog mes së shkuarës dhe së tashmes, mes gurit të lashtë dhe fjalës së sotme.

E lexuar pikërisht në çastin kur shtatorja e Teutës u zbulua në Ballkonin Panoramik të Shëngjinit nga Koli Kunora, moderator i aktivitetit, i dha këtij momenti të veçantë të ceremonisë një dimension të rrallë simbolik, sepse Teuta u kthye aty ku duhet të ishte, përballë detit, mbi shkëmb, me horizontin e Ilirisë përpara.
“Bija e detit, e gurit, e betimit të gjakut” janë figura poetike që e ngrejnë Teutën nga historia në simbol. Sidomos vargu “Toka jonë nuk është për shitje, as emri ynë për harresë” tingëllon si një testament i kujtesës.
Statuja nuk është vetëm bronz, por një pikë takimi mes historisë, artit, peizazhit dhe kujtesës kombëtare. Përballë Ulqinit, Kepit të Rodonit dhe Adriatikut, Teuta duket sikur nuk vështron vetëm horizontin por vështron edhe shekujt.
Një kryevepër arti pra u vendos në Shëngjin, prodhuar nga skulptori Julian Muçollari. Por bashkë me të u ngrit edhe një kujtesë.
Teuta na flet përsëri. Dhe këtë herë, flet përmes gurit, detit, artit dhe fjalës.
Një moment i bukur jo vetëm për Lezhën, por për gjithë shqiptarinë është kjo ngjarje me simbolikë të veçantë për kujtesën shqiptare.
Nën hijen e Redonit.
Ku vala përplaset në shkëmb,
Ku shqiponjat sillën rreth majave të thepisuna,
Aty lindi fjala e pathënë-Teuta.
Bija e detit, e gurit, e betimit të gjakut.
Fryu era e veriut mbi brigje
Trokiti këmbë kali në pragun e tempullit
Dhe deti u ngrit..!
U ngrit si dëshmi e fuqisë së saj.
Unë jam bija e Ilirisë,
E lindur prej dheut të stërgjyshërve,
E rritur me qumështin e listave të shënjtë,
Dhe me këngën e shpatës që su përdredh.
Se ajo nuk ishte vetëm grua,
Ajo ishte flamur, ishte betejë,
Ishte urdhëri i perendive.
Nga buzët e saj si gurë,
shkëputur nga mali,
Ranë fjalët që ngrejnë flamur,
për epokat që vijnë,
O Ilirë, ju bij të erës dhe zjarrit!
Ngrihuni mbi gjunjët e dhimbjes,
Se toka jonë nuk është për shitje,
As emri ynë për harresë.
Sot kur fjala prek bregun,
Dhe era ledhaton rrënojat e kështjellave,
Teuta flet prapë, në gjak, në dhe, në këngë.
Kush e dëgjon- nderon Ilirinë..!
Viktor Brozi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu