Shkruan Osman Stafa
Nuk u kujtua askush për këto standarde kur mijëra qytetarë të zakonshëm përfundonin në burg për një mur avllie, për një kotec pulash, për një lidhje të paligjshme energjie apo për një ndërtim pa leje.
Atëherë askush nuk foli për proporcionalitet, për masa alternative apo për standarde europiane.
Por sot, kur SPAK ka nisur të çojë para drejtësisë politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë, papritur hapet një debat i madh për “arrestin me burg”.
Koha e kësaj nisme nuk është rastësi. Ajo vjen pikërisht në momentin kur korrupsioni i niveleve të larta po përballet me drejtësinë. Dhe rreziku është i qartë: që pas kësaj retorike juridike të fshihet një përpjekje për të zbutur presionin ndaj atyre që për vite kanë abuzuar me pushtetin.
Sepse në këtë vend standardet shpesh ndryshojnë jo për të mbrojtur qytetarët e zakonshëm, por për të shpëtuar “elitën” kur ajo përballet me ligjin.
Drejtësia nuk mund të bëhet më e butë pikërisht në momentin kur po prek korrupsionin e madh. Përndryshe rrezikojmë që një tjetër mekanizëm i sistemit të përdoret jo për të mbrojtur lirinë e qytetarëve, por për të hapur rrugë shpëtimi për politikanët e korruptuar.








