Shkruan Zef Bushati
“O Njerëz, binduni: Injoranca është Armiku më i madh i juaji.” Dhe, për fat të keq, kësaj here, si rrallëherë në këto 50 vitet e fundit, Injoranca u shfaq në qendër të Strasburgut, pikërisht aty ku po ndërtohet xhamia më e madhe në Evropë. Drejtuesja e seancës në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i ndërpreu fjalën, pas vetëm dy minutash, ish Presidentit të Republikës, ish Kryeministrit dhe aktualisht Deputet e Kryetar i Partisë më të madhe opozitare në Parlamentin e Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha. Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA, përmes një vendimi politik të administratës Biden, i mbështetur publikisht nga rrjete lobimi të njohura, pa akuza penale, pa motiv juridik dhe pa një shpjegim zyrtar, prej më shumë se dy vitesh gjendet përballë një procesi hetimor edhe në Shqipëri nga SPAK, si dhe nën një breshëri akuzash dhe shpifjesh nga pseudo-analistë servilë të pushtetit socialist. Prej 10–15 vitesh, helm dhe baltë hidhen pa pushim nga individë pa moral e pa karakter, të cilët e shpallin publikisht në media televizive dhe të shkruara si kriminel, si vrasës të qindra njerëzve, si të korruptuar dhe abuzues të pushtetit, akuza që SPAK prej tre vitesh nuk ka qenë në gjendje t’i vërtetojë, por që, çuditërisht, i “vërtetojnë” disa persona që edhe vetë mbartin akuza të rënda publike. E gjithë kjo zollumahi prodhohet nga “injorantë të zgjuar”, të cilët nuk e kuptojnë një parim themelor të shtetit të së drejtës: Fajtor nuk shpall as televizioni, as gazeta, por Prokuroria dhe Gjykata. Fatkeqësisht, pjesë e kësaj “bande morale”u bë edhe një spikere e Asamblesë së Këshillit të Evropës. O Shqiptare , lëreni Drejtësinë të bëjë punën e saj për këdo qoftë, lider socialist apo lider demokrat. Lëreni SPAK-un, Prokurorinë dhe Gjykatat të veprojnë pa presion dhe pa linçim publik. Prisni vendimin e Gjykatës dhe vetëm atëherë bëni komentet tuaja. Ju, nuk ndikoni dot në vendimet e Gjykatës përmes Ekraneve TV apo faqeve të Gazetave. Ju vetëm sa i vini njollë turpi vetes tuaj dhe turpëroni shqiptarët, brenda Shqipërisë dhe kudo nëpër botë. “Gomarin nga balta e nxjerr i zoti, jo bota.” Të përpiqemi të gjithë të ruajmë figurën, karakterin, moralin, ndershmërinë dhe bujarinë e shqiptarit, nderin e shtëpisë shqiptare, që është e Zotit dhe e Mikut.








