Qeveria teknike si iluzion dhe kriza reale e demokracisë shqiptare

0

Shkruan Zef Ndreka

Debati për qeverinë teknike rikthehet në Shqipëri pothuajse para çdo procesi zgjedhor. Ai shfaqet si kërkesë politike e opozitës dhe si premtim moral për zgjedhje të ndershme. Por në realitet, ky debat shpesh shërben për të fshehur një problem shumë më të thellë që është kriza strukturore e rotacionit të pushtetit dhe zbrazja graduale e demokracisë reale.
Në planin kushtetues, Shqipëria nuk njeh qeverinë teknike si institucion të detyrueshëm. Ajo ka ekzistuar vetëm si produkt i marrëveshjeve politike, në rrethana të jashtëzakonshme, kur kriza ka rrezikuar funksionimin e sistemit.
Sot, një krizë e tillë formale nuk ekziston. Institucionet funksionojnë, zgjedhjet zhvillohen rregullisht dhe pushteti ka legjitimitet juridik. Pikërisht këtu lind paradoksi.ku demokracia funksionon në formë, por jo në përmbajtje.
Qeveria teknike kërkohet si zgjidhje, por ajo trajton simptomën, jo sëmundjen.
Problemi nuk është se zgjedhjet nuk mbahen, por se ato mbahen në një terren të pabarabartë. Pushteti hyn në garë me avantazh strukturor, me administratën, burimet publike, ndikimin ekonomik dhe kontroll. Opozita, përballë kësaj, shpesh hyn në zgjedhje pa besim real se mund të fitojë. Kjo e kthen garën në formalitet dhe jo në konkurrencë politike autentike.
Një tjetër element kyç është drejtësia e re. SPAK ka prodhuar goditje të rëndësishme dhe ka ndryshuar perceptimin e pandëshkueshmërisë. Megjithatë, roli i tij mbetet korrigjues, jo transformues. Ai ndëshkon individë, por nuk e ndryshon arkitekturën e pushtetit politik. Kjo krijon një ekuilibër të ri, ku pushteti ndëshkohet selektivisht, por nuk rrezikohet realisht. Si pasojë, sistemi pastrohet pjesërisht, por mbetet i mbyllur ndaj rotacionit.
Në këtë kontekst, edhe faktori ndërkombëtar luan një rol të rëndësishëm. Partnerët perëndimorë nuk kërkojnë domosdoshmërisht ndryshim pushteti, por stabilitet. Për ta, zgjedhjet janë mjet legjitimimi, jo domosdoshmërisht instrument ndryshimi.
Kjo qasje forcon status quo-në dhe dobëson presionin për reforma politike thelbësore.
Pasojat për shoqërinë janë të dukshme. Besimi te vota bie, pjesëmarrja elektorale zvogëlohet dhe politika shihet gjithnjë e më shumë si teatër i mbyllur. Rinia largohet, cinizmi rritet dhe ideja se “asgjë nuk ndryshon” po normalizohet.
Kjo është shenja më e rrezikshme e regresit demokratik po represion të hapur, por dorëheqja e heshtur e qytetarit.
Në këtë realitet, qeveria teknike shfaqet si mit shpëtimtar. Por edhe nëse do të krijohej, ajo nuk do të zgjidhte problemin themelor. Pa një opozitë të besueshme, pa barazi reale në garë dhe pa mekanizma që e bëjnë humbjen e pushtetit të mundshme, çdo qeveri teknike apo politike do të prodhonte të njëjtin rezultat.
Kriza e sotme e demokracisë shqiptare nuk është krizë procedurash, por krizë shprese dhe alternative. Rotacioni nuk është çështje vullneti të pushtetit, por rezultat i presionit politik dhe shoqëror. Ai nuk dhurohet, por imponohet nga një shoqëri që beson se vota e saj ka kuptim.
Derisa kjo të ndodhë, debati për qeverinë teknike do të mbetet një diskutim rreth formës, ndërsa thelbi, pra demokracia reale do të vazhdojë të zbrazet.
Shqipëria nuk rrezikon të kthehet në diktaturë klasike, por rrezikon diçka më të heshtur dhe më të qëndrueshme që është stabiliteti autoritar elektoral, ku pushteti fiton rregullisht dhe qytetari humb gradualisht besimin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu