Shkruan Zef Ndreka
Kënga “Lulja e Kurbinit”, me tekst të Fran Laskës, muzikë të Mark Gjokës dhe kënduar mjeshtërisht nga Kurt Lika, është një ndër krijimet më të bukura të viteve të fundit që ka ditur të rikthejë në skenë frymën e këngës popullore veriore me shpirt, krenari dhe ndjenjë të thellë identiteti.
Në thelb, kjo këngë është një himn për dashurinë dhe për tokën e Kurbinit, një vend që në vargjet e poetit Laska nuk është vetëm hapësirë gjeografike, por shenjë krenarie, burim frymëzimi dhe mit poetik.
Poeti përdor një gjuhë të pastër popullore, me një ritëm që i ngjan rrjedhës së ujit të krojeve e melodisë së bilbilave.
“Kush ka dal’ tek kroi i bardhë,
Vjen një vashë e vjen një djalë…”
Ky fillim është tipik për poezinë popullore lirike një hyrje e qetë, që krijon skenën e takimit dashuror në natyrë.
Uji, lulja dhe zana janë simbole të pastërtisë, bukurisë dhe fatit, që i japin vargjeve një dimension mitik.
“O moj lulja e Kurbinit,
Mos më ik pash dritën e synit”, mbetën shpirti i këngës.
“Lulja” nuk është vetëm një vajzë, ajo është simbol i bukurisë, i shpirtit të vendit, i krenarisë lokale që merr përmasë kombëtare.
Në dashurinë e djalit për vajzën, poetikisht fshihet dashuria për vendlindjen, për rrënjën e vet.
Ndërsa vargjet:
“M’i thuj’ zanës se kush jam,
Jam Kurbinas Kapedan.”, mbeten si shpallje dashurie.
Këtu ndjenja e dashurisë ndërthuret me krenarinë e prejardhjes. Fjala “Kapedan” e ngre figurën e djalit në nivel simbolik si përfaqësues i burrërisë, i nderit dhe i karakterit të fortë kurbinas. Ky është momenti ku kënga fiton tonin epiko-lirik, duke kaluar nga intimiteti në krenari kolektive.
“Kush ka dal’ tek mali i bardhë,
Ja ka thanë bjeshka një fjalë…”
Këtu natyra bëhet bashkëbiseduese me njeriun, një element tipik i poezisë tradicionale shqiptare.
Mali, blini, bilbili, shega, të gjitha këto krijojnë një peizazh të gjallë, plot jetë, që përforcon lidhjen shpirtërore të njeriut me vendin e vet.
Falë melodisë së ëmbël të Mark Gjokës dhe interpretimit të ngrohtë të Kurt Likës, kënga ka prekur emocionalisht publikun në të gjithë veriun e Shqipërisë, sepse në të gjen veten çdo krahinë që ruan me dashuri zakonet, fjalën dhe ndjenjën shqiptare.
Në këtë mënyrë, “Lulja e Kurbinit” është një këngë dashurie, por më shumë mbetët një poemë e gjallë për vendin, ndjenjën dhe shpirtin kurbinas, e ndërtuar me finesë poetike dhe me frymë popullore autentike.
LULJA E KURBINIT
Muzika: Mark Gjoka
Teksti: Fran Laska
Këndon: Kurt Lika, Kurbin
I
Kush ka dal’ tek kroi i bardhë,
Vjen një vashë e vjen një djalë,
Merr një lule e këput një fletë,
Thuj’ marakun që ke në jetë,
Ndalu pak aty nan’ kru’,
Se vjen zana me pushu.
Ref:
O moj lulja e Kurbinit,
Mos më ik pash dritën e synit,
M’i thuj’ zanës se kush jam,
Jam Kurbinas Kapedan.
II
Kush ka dal’ tek mali i bardhë,
Ja ka thanë bjeshka një fjalë,
Ndalo pak nan’ hije të blinit,
Se vijnë vashat e Kurbinit,
Mbushet mali plot me shegë,
Këndojnë bilbilat degë më degë.








