Shkruan Kostantin Luçi
Në El Junkal të Kolumbisë ngrihet një monument unik në botë: statuja e Krishtit të Kryqëzuar, e cila është njëkohësisht dhe kisha më e madhe në formën e një kryqi. E ndërtuar në vitin 1959 nga skulptori amerikan Marshal Frederik, kjo strukturë 80 metra e gjatë ka një kapacitet prej 800 personash dhe shërben jo vetëm si vend adhurimi, por edhe si simbol frymëzimi për besimtarët që jetonin larg kishës më të afërt.
Ky monument nuk është thjesht një vepër arti, por një shprehje madhështore e dashurisë dhe përkushtimit të Kishës Katolike në Kolumbi, një vend ku krishterimi katolik u përhap për herë të parë në vitin 1508 dhe ku, që nga viti 1534, nisi të japë fryte përmes krijimit të dy dioqezave të para.
Rritja e Kishës Katolike vazhdoi me vrull gjatë shekullit të 17-të, duke pasur ndikim të thellë në jetën arsimore dhe shpirtërore të vendit. Ajo kontribuoi në themelimin e shkollave dhe universiteteve si Shën Bartolomeu, Universiteti i Rozarios, Shën Tomës dhe institucione të tjera që formuan breza të tërë me dije dhe vlera.
Përtej mureve të saj, Kisha nuk reshti së kontribuari për njerëzit në nevojë, duke qëndruar gjithmonë pranë komuniteteve të margjinalizuara dhe duke ushqyer shpirtërisht popullin kolumbian.