Gjykata e Posaçme revokoi ditën e sotme masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për kreun e PD-së, Sali Berisha, të vendosur që më 30 Dhjetor të vitit të kaluar në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sipas avokatit Genc Gjokutaj, vendikmi i GJKKO-së është i zbatueshëm që ditën e sotme. Nisur nga ky fakt, burime për mediat bëjnë me dije se Sali Berisha do shkojë në zyrën e tij në selinë e PD-së që ditën e sotme, duke u rikthyer kështu pas 331 ditësh në selinë blu.
“Mbi masën e kërkesës tonë, sot gjykata revokoi masën e arrestit të shtëpisë, një masë . Nga sot Sali Berisha është i lirë. Ndaj tij nuk ka asnjë masë tjetër sigurie. Gjykata përcaktoi se nuk ekzistojnë më kushtet që Berisha të qëndrojë në masa sigurie. Prokurori kërkoi që të lihej në fuqi masa “arrest shtëpie”. Kërkesa jonë është bërë pas vendimit të Kushtetueses. Vendimi i gjykatës është i zbatueshëm që sot, që sot ai është i lirë.”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Mësohet se Berisha do të shkojë në orën 13:30 në selinë e PD-së, kur pritet të japë dhe deklaratat e para për mediat pas këtij vendimi.
VENDIMI I GJKKO
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila u përcaktua me short për të marrë vendimin nëse çështja e dosjes “Partizani” do të dërgohet ose jo për gjykim.
Ajo mund të dërgojë për gjykim dosjen, mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen. Davidhi brenda 10 ditësh cakton datën e seancës paraprake. Seanca për të marrë këtë vendim është planifikuar të mbahet më 16 Dhjetor në orën 11:00, pasi janë shtyrë dy seanca të mëparshme për shkak se avokatët e Berishës kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Sali Berisha ndodhej në izolim që prej 30 Dhjetorit të vitit 2023, kur Gjykata e Posaçme vendosi t’i caktonte masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi lideri demokrat nuk zbatoi masën e mëparshme “Detyrim paraqitje”, duke e konsideruar si antikushtetuese.
Pas këtij vendimi, avokatët e Berishës kanë bërë një sërë ankimimesh për t’i revokuar masën “Arrest shtëpie”, por kërkesat e tyre janë rrëzuar si në Shkallën e Parë, po ashtu edhe në Apelin e Posaçëm.
Për çështjen në fjalë Berisha është marrë i pandehur për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij Jamarbër bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Kujtojmë se pak ditë më parë u dha dhe vendimi i Gjykata Kushtetuese për padinë e Berishës në lidhje me masat e sigurisë të para të lëshuar nga SPAK, “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, ku lideri demokrat i konsideronte të paligjshme pa i hequr imunitetin Kuvendi.
Kushtetuesja mori një vendim në favor të Ramës, duke e lënë sërish kryetarin e opozitës në izolim, pasi sipas saj, masat e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” nuk përbëjnë kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.
Në lidhje me masën “ndalim i daljes jashtë shtetit”, Kushtetuesja deklaroi se kjo ka të bëjë me lirinë e levizjes të garantuar nga neni 38 të Kushtetutës, e cila është e ndryshme nga liria personale e garantuar nga neni 27 i Kushtetutës dhe për pasojë Berisha në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt.
Në lidhje me parimin e proporcionalitetit të lidhur me standardin e arsyetimit, Gjykata Kushtetuese ka konsideruar si proporcionale vetëm masën “detyrim paraqitje” dhe jo atë të “ndalimt të daljes jashtë shtetit”. Gjithsesi, duke lënë në fuqi masën “detyrim paraqitje”, Sali Berishës i ngelej në fuqi dhe masa e ndërmarrë më vonë nga SPAK “Arrest në shtëpi”, por ditën e sotme u hoq nga GJKKO.