Djemtë e Erzen Breçanit, njëri trafikant droge, tjetri i këputi këmbën 23-vjeçares

0

Pas një hetimi të gjerë të SPAK, Eralbi Breçani, djali i ish-drejtorit të Policisë, Erzen Breçani është në kërkim nga Policia, pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Vetë Erzen Breçani u arrestua dje, teksa po futej në stadiumin Air Albania për të ndjekur ndeshjen e Kombëtares.

Ish-numri 1 i Policisë së Tiranës pritet të sqarojë dijeninë e tij mbi akuzat e SPAK.

Por në fakt, emri i Erzen Breçanit nuk është lakuar gjithmonë për mirë. Para disa viteve djali tjetër i tij u përfshi në një ngjarje të rëndë, por çuditërisht u mbyll dhe u harrua pa asnjë të dënuar.

Më 10 qershor 2021, djali i vogël i Erzen Breçanit, shkaktoi një aksident fatal. Ai përplasi 24-vjeçaren Xhesina Gega me një makinë “Mercedez Benz”, lloji AMG, me targa “AA 888 XX” në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë dhe u largua me shpejtësi.

Vajza përfundoi në spitalin e Traumës ku humbi edhe njërën këmbë.

Përplasja ka qenë e fortë dhe identifikimi i 23-vjeçares u bë me shumë vështirësi për shkak të plagëve të marra. Jehon Breçani humbi kontrollin e makinës dhe u përplas fillimisht me murin, më pas me një pemë dhe më pas ka goditur 23-vjeçaren që ndodhej në trotuar.

Por çfarë ndodhi më pas? Policia e arrestoi të riun, ai doli në gjykatë, qëndroi 2 javë në arrest me burg dhe më pas, Gjykata e Tiranës, edhe pse Prokuroria kërkonte arrest me burg dhe jo “arrest shtëpie”, ai ia doli të dalë pa lagur nga kjo histori.

“Rezulton se nga faktet e mbledhura, dëmtimet e shkaktuara ndaj viktimës që në momentin e parë të ngjarjes kanë qenë tepër të rënda, çka ka bërë të detyrueshëm dërgimin e saj në Spitalin e Traumës, ndërkohë që, është konstatuar po ashtu se si pasojë e përplasjes së fortë, e reja e aksidentuar ka humbur njërën nga gjymtyrët e poshtme, duke i shkaktuar gjymtin të përhershëm në masën 1/3-n e aftësisë së përgjithshme.

Referuar rrethanave të ngjarjes, drejtuesi i mjetit nuk ka qenë duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

Kjo vepër penale për të cilën akuzohet 19-vjeçari konsiderohet e një rrezikshmërie të lartë, dhe dispozitat përkatëse ligjore përcaktojnë burgimin nga 1 deri në 5 vjet”, arsyetonte Prokuroria në kërkesën drejtuar gjykatës. Por kërkesa u rrëzua dhe Jehon Breçani rifitoi lirinë.

A pati një tentativë për ta favorizuar djalin e ish-drejtorit të Policisë? Këtë nuk mund ta themi me siguri, por e dyshimtë është nëse gjykata do të ishte treguar po kaq bujare nëse në kafaz do të ishte një njeri pa ndikim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu