Ironia e Boçit: Basha përjashtohet si kandidat se nuk plotëson kriteret që vetë caktoi

0

Luçiano Boçi, i cili është nënkryetar në PD e drejtuar nga Sali Berisha, tha se Lulzim Basha nuk ka depozituar dorëheqjen e tij në Gjykatë, ndaj ai ligjërisht njihet si kryetar i PD-së, duke theksuar se ajo që po ndodh gjoja me procese zgjedhore është thjesht një farsë.

Duke folur në studion e Euronews Albania, Boçi tha se Basha nuk iku asnjëherë ligjërisht si kryetar i PD-së, madje edhe sikur të fitojë Gjergj Hani në 29 korrik, ai nuk mund të regjistrohet dot, pasi çështja e kësaj partie është në gjykim.

Duke iu referuar kritereve që vetë Basha apo grupimi i tij ka përcaktuar për të kandiduar për Kryetar të PD-së, Boçi tha se ato përjashtojnë edhe Lulzim Bashën. “A e ka dëmtuar Lulzim Basha PD? Po e ka dëmtuar. A mori pjesë active në fushatë? Jo nuk mori. Kaq mjafton që ai të mos kandidojë dot sepse nuk përmbush ato kritere që ka vendosur vetë”, tha Boçi.

Boçi u shpreh në favor të një bashkimi të demokratëve, ndërsa akuzoi grupimin e Lulzim Bashës që vijon të gabojë me qëndrimet e tij.

“Mënyra se si mund të bashkohemi është tërheqja e padive nga gjykatat, duke i dhënë fund kësaj mbajtjes zvarrë të vulës dhe siglës me vendime gjykatash.

Demokratët kanë folur me votën e tyre se kë mbështesin, ku janë të rreshtuar”, tha Boçi. Sipas tij, përgjegjësinë duhet ta mbajnë drejtuesit apo ish-drejtuesit dhe jo ti lihen përgjegjësitë demokratëve të thjeshtë.

“Politika është garë, le të konkurojnë edhe Basha edhe Alibeaj përballë zotit Berisha. Çfarë po ndodh sot? Kalohet logo te disa që s’kanë njerëz dhe njerëzit në shumicë ndodhen me z. Berisha”, tha Boçi, duke shtuar se duhet një reflektim, duhet një diskutim me demokratët e thjeshtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu