Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, përmes një postimi në Facebook ka shkruar për rastin Dehari, ku ka thënë se vrasësit dhe urdhërdhënësit duhet të dënohen, përcjellë “Bota sot”.
Ai publikisht ka kërkuar nga prokuroria që të shpall urdhërarrest për Sylë Hoxhën, Baton Haxhiun, Nexhmi Krasniqin, Dhurata Hoxhën dhe Vehbi Kajtazin.
Postimi i plotë:
Astriti u vra. Vrasësit dhe urdhërdhënësit duhet të dënohen.
Prokuroria duhet menjëherë, ama menjëherë, qysh sot, të shpallë urdhërarrest për Sylë Hoxhen, Nexhmi Krasniqin, Dhurata Hoxhën, Baton Haxhiun, Vehbi Kajtazin e plot të tjerë, në mënyrë që të zbulohet e vërteta.
Nuk do të ndalemi kurr deri te e vërteta për Astritin.
Në ditën kur familjes së Astrit Deharit, ish-aktivistit të Vetëvendosjes iu dorëzua raporti i ekspertizës, i kryer në Lozanë të Zvicrës, që konstatonte se ai nuk kishte kryer vetëvrasje, prindërit e tij kanë shpalosur ekskluzivisht në Pressing faktet për vdekjen e tij, shkruan Gazeta Express.
Në T7, familja Dehari ka thënë se e ka ditur që raporti i ekspertizës nga hetuesit zviceranë do të konstatonte vrasjen e djalit të tyre.
“Që tre vjet pas vdekjes së Astritit e dinim se kështu do dilte raporti. E kemi pritur dhe e kemi ditur se ai është vrarë”, ka thënë nëna e të ndjerit, Xhemile Dehari.
Po ashtu, edhe Avni Dehari, babai i ish-aktivistit, u deklarua se djali i tyre e ka ditur që është vrarë në burg.
“E kemi pritur dhe e kemi ditur që është vrarë në burg. Edhe pse kemi pasur raporte të institucioneve të drejtësisë që Astriti është vetëvra. Por ne gjatë gjithë kohës e kemi ditur se atë e kanë vrarë”, shtoi ai.
Prindërit e të ndjerit kanë ngritur dyshime edhe për arritjen e raportit në Kosovë. Ata thonë se raporti kishte ardhur në vend qysh prej datës 4 tetor, mirëpo, është vonuar qëllimisht.
“Raporti ka ardhur me datën 4 tetor. Nuk i kuptojmë këto vonesa. U arsyetuan se raporti u dërgua për përkthim. Por ata thanë se përkthimi do zgjaste diku tre ditë. Nuk na lejuan ta shohim raportin origjinal”, tha Dehari.
Babai i Deharit ka thënë se djali i tij vazhdimisht ka qenë i kërcënuar që të pranojë veprën për të cilën akuzohej.
“Astriti ka deklaruar se natën po e marrin në pyetje, po e nxjerrin nga burgu. E kanë kërcënuar se do ta dërgojnë në Kumanovë. Vazhdimisht disa persona brenda burgut e kanë kërcënuar që ta pranonte veprën për të cilën akuzohej”, është shprehur babai i Astrit Deharit. Përveç Astrit Deharit, edhe të akuzuarit tjerë janë kërcënuar.
“Të gjithë të akuzuarit janë kërcënuar. Atdhe Arifit i kanë thënë, ke kujdes mos vepro edhe ti si Astriti që të bësh vetëvrasje”, shtoi babai i Astrit Deharit.
Në Pressing mbrëmë ka folur edhe avokati mbrojtës i familjes Dehari, Tomë Gashi. Ai është deklaruar se qëllimi i fajësimit të Astrit Deharit për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës ka qenë për shkak se partitë tjera dëshironin ta shpallin VV-në si organizatë terroriste.
“Të gjitha partitë pa dallim kishin dalë me deklarata. Qëllimi ishte të largohej VV-ja nga skena politike. Qëllimi ishte ta shpallnin VV-në si organizatë terroriste”, shtoi ai.
Tutje Gashi ka shtuar se raporti i ekspertizës e heq mundësinë e vetëvrasjes nga ana e ish-aktivistit të VV-së.
“Së pari që shishja e plastikës të qëndronte ashtu në gojën e tij nuk ishte normale. Vetë instinkti njerëzor nuk e lejon këtë dhe këtë e ka konfirmuar edhe raporti”.
Po ashtu, Tomë Gashi thotë edhe se asnjë institut mjekësor, duke përfshirë atë në Kosovë, asnjëherë nuk kanë thënë se Dehari ka bërë vetëvrasje.
Në anën tjetër, ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, është lidhur direkt në emision në T7 ku familja Dehari së bashku me Tomë Gashin po tregonin faktet e vrasjes së Astrit Deharit.
Mahmuti, si njohës i gjuhës frënge, ka treguar gabimet në përkthim të ekspertizës nga Instituti Mjekësor në Lozanë të Zvicrës, nga ana e prokurorisë në rastin Dehari.
“Duhet të përmendet se i pranishëm ka qenë edhe një person i tretë, thuhet në raport. Është përkthyer se mund të merret parasysh se ekziston mundësia që të jetë i pranishëm edhe një person i tretë. Kjo ndryshon gjithçka”, ka thënë Mahmuti.
“Pastaj në gjuhën frënge thuhet qartë se prej analizave ekziston edhe ADN e huaj. Në përkthim thuhet se ADN e huaj mund të ekzistojë. Kjo është bërë në mënyrë që të fshihet krimi më i madh i pasluftës. Këtu kemi të bëjmë me të dhëna shumë të rëndësishme. Duke thënë objektivisht se personi i tretë është i pranishëm raporti e vërteton këtë. Të thuash që ka pasur pak ose aspak ADN është e pavërtetë. Kjo vërteton se ekspertët neutralë kanë bërë një hetim të shkëlqyer”, shton ai.






