Akademik Rexhep Qosja përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se burim i korrupsionit është LDK’ja dhe Vjosa Osmani nuk ka fuqi ta luftojë atë, shkruan Realiteti.
Qosja ka thënë se është një opinion i përgithshëm në Kosovë i atyre që njohin funksionimin e partive politike të Kosovës prej fillimit të krijimit të tyre, pas rënies së komunizmit, se burimi i korrupsionit dhe i nepotizmit në Kosovë është Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Është një opinion që mund të quhet i përgjithshëm në Kosovë se PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA, si parti që ishin në pushtet, janë parti në të cilat kanë lulëzuar ku e kur më shumë e ku e kur më pak korrupsioni dhe nepotizmi. Por, është një opinion i përgithshëm në Kosovë i atyre që njohin funksionimin e partive politike të Kosovës prej fillimit të krijimit të tyre, pas rënies së komunizmit, se burimi i korrupsionit dhe i nepotizmit në Kosovë është Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo e vërtetë e sjell bindjen se PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA nxitjen dhe mësimin për korrupsion e nepotizëm e kanë marrë në shkollën korruptive dhe nepotiste të LDK-së. Por, PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA këtë mësim e kanë mësuar jashtëzakonisht suksesshëm, duke e përsosur dhe duke e vrazhdësuar më tej, duke e sjellë në gjendjen në të cilin është ai mësim tragjik i marrë prej LDK-së, që e ka rënduar dhe po e rëndon pamatshëm shumë Kosovën. Për këto arsye, mund të thuhet se kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, me gjithë përvojën e saj të gjatë politike dhe përgatitjen e saj profesionale, nuk mund ta bëjë bindshëm e pranueshëm për opinionin syçelë, rilindjen e vlerave, që fillon me luftën e pa kompromis politike e shtetërore kundër korrupsionit e nepotizmit. Dhe këtë luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit nuk mund ta ndihmojë, për arsyet e lartpërmendura, as me slloganin e pabesueshëm “Beso”, ka shkruar ai.
Ky është shkrimi i plotë i Qoses:
ZGJEDHJET E PARAKOHSHME DHE KRIZA E VLERAVE
1.
Me 25 shtator 2019 filloi fushata e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen me 6 tetor.
Në të vërtetë me 25 shtator filloi fushata e ligjshme e caktuar prej kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, por fushata e jashtëligjshme filloi një ditë mbasi kryetari e shpalli vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Nuk ishte kjo hera e parë dhe sigurisht nuk do të jetë as hera e fundit që partitë tona nuk duan të dinë as për kadi e as për vali, domethënë as për gjykatës e as për kryetar!
Këto zgjedhje, të parakohshme, si zgjedhjet e para dy dhe para katër vjetëve, po mbahen në kushtet e krizës së vlerave dhe të një krize morale politike, shoqërore dhe intelektuale.
Çka pritet prej këtyre zgjedhjeve?
Çka pritet prej partive që do të fitojnë zgjedhjet e do të krijojnë Qeverinë.
Çka pritet prej prijësve të partive – e anëtarët e partive tona edhe më tej, shpesh, bëjnë çka duan, çka u thonë prijësit e jo çka u thonë bindjet.
2.
Jetojmë në një kohë të krizës së vlerave politike, demokratike, kulturore e kombëtare në jetën tonë.
Para syve tanë po shemben disa nga vlerat etike dhe zakonore që popullin shqiptar e kanë mbajtur të qëndrueshëm në historinë shumë e shpesh të trazuar ballkanike dhe evropiane.
Para syve tanë po shpërfillen, shkelen, vlerat e demokracisë aq shumë të dëshiruar!
Sa të keqen po e shohim, po e dëgjojmë e disa po e përjetojnë!
E vërteta po pushtohet prej gënjeshtrave.
E drejta po sundohet prej padrejtësisë.
E vërteta dhe e drejta po dhunohen prej shkelësve të ligjshëm e të paligjshëm.
Përgjegjshmëria po pushtohet prej papërgjegjshmërisë.
Fjala e mbajtur e quajtur besë po sundohet prej pabesisë.
Dinjiteti po sundohet prej shpërfilljes.
Premtimet obliguese po sundohen prej mashtrimeve.
Politika e qëndrueshme largarritëse po sundohet prej poltronizmit të llojllojshëm ndaj të huajve e arrogancës ndaj bashkatdhetarëve.
Politika kushtuar interesave publike po sundohet prej politikës për interesa vetjake.
Atdhetarizmi gjithëkombëtar është pushtuar prej lokalizmit, në disa medie prej lokalizmit fashistoid!
Mediet e dëshiruara të pavarura, sidomos ato elektronike, veprojnë si medie të kolonizuara duke mbrojtur interesat e klasës politike të pasuruar në sajë të karrierës politike!
Nuk është e çuditshme, prandaj, pse në kushtet e këtilla të krizës së vlerave, në jetën tonë janë përshtrirë dhe përthelluar pamatshëm të këqijat e mëdha shumë dëmsjellëse:
Korrupsioni,
Nepotizmi dhe
Krimi i organizuar.
Zhvatja e të mirave materiale të qytetarëve të Kosovës është bërë e përditshme dhe kur e ku e arsyetuar me ligje!
Privilegjet dhe lukset e pushtetarëve të posteve të rendit të parë e të dytë janë bërë praktikë e shpallur e ligjshme me vendime, me rezoluta e me ligje!
Pandëshkueshmëria e të ashtuquajturve peshq të mëdhenj në politikë dhe e kryesve të punëve të tyre të pista, është bërë një mendësi gjyqësore tragjike e sistemit juridik të kapur prej sundimtarëve tanë në shtetin e kapur në të vërtetë në shtetin e tyre privat!
Përpos njëmendësisë shoqërore e shtetërore ashtu po zhvatet, po shpërdorohet edhe historia kombëtare. Ajo, historia, është bërë porsi shteti, pronë private e partive dhe e prijësve të tyre. Dhe për leverdi të partive, grupeve a individëve prej falsifikuesve politikë e falsifikuesve pseudoshkencorë po falsifikohet sidomos historia politike e popullit dhe historia e letërsisë!
Tani e tremijë vjet Evropa, djepi i qytetërimit Perëndimor, u shpreh njohje heronjve të Mendjes dhe heronjve të Pushkës.
Në Kosovë dhe pjesërisht në Shqipëri sot jo vetëm shpërfillen po kur e ku urrehen heronjtë e Mendjes. Dëshmi e kësaj shpërfilljeje të tyre është folklorizimi heroizues arkitekturor, skulpturor, pikturor, filmor e studimor i historisë dhe i kulturës sonë! Pasojë e kësaj shpërfilljeje është rënia e krijimtarisë sonë mendore në sasi dhe në cilësi.
Heronjtë e politikës, në të cilën interesat vetjake shpërfillin interesat e përgjithshme, politikanët milionerë, nuk duan të dinë sepse nuk dinë dhe sepse nuk duan të mësojnë se përparimi, qytetërimi, kultura, artet, shkencat, identitetet kombëtare të popujve janë fryti madhor, përparues dhe zhvillimor, i heronjve të Mendjes.
3.
Nuk ka dyshim se të gjitha këto të këqija politike, shtetërore, shoqërore të perceptuara prej qytetarëve si mallkim politik jo vetëm historik po dhe i përtashëm, po i sjellin dëshpërim popullit, në mënyrë të veçantë rinisë. Hajde e mos e thuaj me dëshpërim të madh, se pasojë e këtij mallkimi politik dhe historik është degdisja e gjithnjë e më shumë të rinjve tanë në botë. Hajde e mos e thekso shqetësimin e veçantë, për të cilin pëshpëritet në kryeqytetin e Kosovës e në mbarë Kosovën, se disa mija të rinj nuk duan të martohen sepse duan të ikin në botë pa marrë me vete obligime ndaj bashkëshorteve dhe fëmijëve!
Rënia morale politike, kriza e vlerave në jetën tonë të sotme, përthellimi e përshtrirja e të këqijave siç janë korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar, kolonializimi i numrit më të madh të medieve sidomos elektronike, kapja e gjyqësorit dhe e shtetit, pseudokultura e pandëshkueshmërisë së pushtetarëve të rendit të parë, shfrytëzimi i posteve shtetërore e politike për pasurim, shndërrimi, pra, i këtyre të këqijave në sistem i shton obligimet dhe e rrit rolin e intelektualëve, rolin e shumë institucioneve shtetërore, arsimore, kulturore e të shumë shoqatave e organizatave të tjera për mospajtim.
Pa ato vlera, sot të sunduara prej kundërvlerave, sot të pushtuara prej të këqijave të sipërtheksuara, ne do të mbesim ku ishim: të prapangelur, të pazhvilluar në ekonomi, në arsim, në shëndetësi sa duhet e si duhet, në shkenca, në letërsi, në artet e tjera, në kulturë, në qytetërim.
Pa rilindjen e atyre vlerave, që na kanë mbajtur të qëndrueshëm gjatë historisë dhe të atyre vlerave që mund të na mbajnë si popull me kulturë e qytetërim modern, si popull të lirë, të pavarur, të dinjitetshëm, të atyre vlerave të reja që e rrisin dhe që e pasurojnë sot identitetin tonë kombëtar, ne do të mbetemi të robëruar: në të kaluarën prej robëruesve të huaj e sot prej dhunëtarëve tanë sundimtarë!
E, rilindjes së këtyre vlerave jetike për qenien tonë në këto hapësira në të cilat ishim jo me shekuj po me mija vjet e prej të cilave të këqijat e sipërthëna sot po na degdisin rrugëve të botës, mund t’i kontribuojnë sa iu takon, sa duhet e si duhet, në radhë të parë ato vetje, ato institucione, ato organizata, ato shoqata që u sipërtheksuan.
Dhe, ky kontribut i tyre do të mund të bëhet, do të mund të njëmendësohet vetëm në qoftë se pranojnë dhe zbatojnë kulturën e mosheshtjes para të këqijave politike, shtetërore, shoqërore; në qoftë se e bëjnë të veten atë kulturë e cila përmban vetëdijen aq qartë të theksuar në librat e shenjtë: se heshtja e tillë është mëkat, aq qartë të theksuar prej mendimtarëve të demokracisë moderne: se heshtja e tillë para kundërvlerave, para të këqijave politike, është heshtje vdekjesjellëse.
Të gjitha ato të këqija, para së gjithash politike, për të cilat u fol më sipër, domethënë të gjitha ato që po ndodhin e si po ndodhin, të gjitha ato që po bëhen e si po bëhen, të gjitha ato që po fliten e si po fliten, të gjitha ato që po zhvaten e si po zhvaten, të gjitha ato që po plaçkiten e si po plaçkiten, të gjitha ato që e dëshmojnë krizën e vlerave dhe rënien e moralit tonë, të gjitha ato e fyejnë mendjen tonë, e fyejnë dinjitetin tonë, e fyejnë guximin tonë për të menduar, për të pasur mendimin tonë të paraqitur lirisht. Siç e kanë thënë dhe të tjerë në vendet komuniste, që tashmë janë a presin të bëhen pjesëtarë të Bashkimit Evropian, ne tani për tani lëmë përshtypjen e një publiku të heshtur, të frikësuar, pa mendim të pavarur, pa atë sovranitetin që i takon popullit, dhe vetëm popullit, të dënuar për të dëgjuar e për të shikuar të shtangur, si statuja gjipsi, se çka po bëjnë, çka po marrin e çka po dhurojnë, çka po zhvatin e sa po zhvatin, mujsharët dhe dhunëtarët tanë të pushtetshëm, që në politikë kanë hyrë me nga një palë rroba të vjetruara e tani nuk e tregojnë sasinë e milionave dhe e tregojnë të pasurive të tyre të ndryshme.
Është koha të hetohet ajo pasuri e tyre!
Është koha të japin llogari, sqarime, arsyetime para popullit të gjithë milionerët politikë të pasuruar paligjshëm e panjerëzishëm, duke përdorur e shpërdorur për leverditë e veta politikën që bëjnë e që e zhbëjnë!
4.
Çka mund të bëjnë e çka do të duhej të bënin partitë politike për rilindjen e atyre vlerave të sipërtheksuara, sot të pushtuara prej kundërvlerave të sipërtheksuara.
Nuk ka dyshim se prej tyre pritet që të bëjnë luftën politike, partiake e shtetërore që shteti i Kosovës të shërohet prej krizës së vlerave, prandaj edhe prej krizës morale, domethënë, prej tyre pritet të bëjnë çmos për rilindjen sado të ngadalshme qoftë, të vlerave politike, qytetare, demokratike, kulturore e qytetëruese në Kosovë. Ato, partitë politike, do të duhej të bënin çka s’kanë bërë deri sot: që Presidenca e Kosovës, që Kuvendi i Kosovës, që Qeveria e Kosovës, të bëhen së pari vetë pasqyrë e vlerave të vendit, të popullit e të shtetit.
Por, a do të mund ta bëjnë këtë të gjitha partitë?!
Lejohem të them se partitë politike që ishin në pushtet gjatë këtyre njëzet vjetëve, me gjithë qëllimet më të mira, me gjithë deklaratat e zjarrta retorike që po japin përfaqësuesit e tyre, objektivisht, realisht, nuk do të mund ta bëjnë sa duhet e si duhet betejën për rilindjen e vlerave në radhë të parë sepse e kaluara politike – shtetërore i bën të pabesueshme për zgjedhësit që s’janë vetëm votues, por janë zgjedhës, për zgjedhësit që kanë mbamendje e s’harrojnë, që kanë sy për të parë e veshë për të dëgjuar çka krejt kanë bërë e çka krejt s’kanë bërë e është dashur të bëjnë për të mirën e Kosovës.
Është një opinion që mund të quhet i përgjithshëm në Kosovë se PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA, si parti që ishin në pushtet, janë parti në të cilat kanë lulëzuar ku e kur më shumë e ku e kur më pak korrupsioni dhe nepotizmi. Por, është një opinion i përgithshëm në Kosovë i atyre që njohin funksionimin e partive politike të Kosovës prej fillimit të krijimit të tyre, pas rënies së komunizmit, se burimi i korrupsionit dhe i nepotizmit në Kosovë është Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo e vërtetë e sjell bindjen se PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA nxitjen dhe mësimin për korrupsion e nepotizëm e kanë marrë në shkollën korruptive dhe nepotiste të LDK-së. Por, PDK-ja, AAK-ja dhe NISMA këtë mësim e kanë mësuar jashtëzakonisht suksesshëm, duke e përsosur dhe duke e vrazhdësuar më tej, duke e sjellë në gjendjen në të cilin është ai mësim tragjik i marrë prej LDK-së, që e ka rënduar dhe po e rëndon pamatshëm shumë Kosovën.
Për këto arsye, mund të thuhet se kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, me gjithë përvojën e saj të gjatë politike dhe përgatitjen e saj profesionale, nuk mund ta bëjë bindshëm e pranueshëm për opinionin syçelë, rilindjen e vlerave, që fillon me luftën e pa kompromis politike e shtetërore kundër korrupsionit e nepotizmit. Dhe këtë luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit nuk mund ta ndihmojë, për arsyet e lartpërmendura, as me slloganin e pabesueshëm “Beso”.
Pengesa e parë që s’mund ta bëjë ajo këtë luftë është shtëpia e kryetarit të parë të LDK-së, Ibrahim Rugova, e ndërtuar në mënyrë korruptive, me mjete të plaçkitura prej popullit. Kësaj pengese të parë që del para kandidates Vjosa Osmani duhet shtuar edhe mjetet mbi shtatë mijë euro në muaj, që janë mjetet financiare të 23 familjeve, me të cilat financohet sot, pa asnjë arsye, pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë përgjegjshmëri politike, pa asnjë moral politik e shoqëror familja e të njëjtit ish kryetar, mandej vetura e caktuar për bashkëshorten e tij që me gjithë shoferin paguhet prej qeverisë së Kosovës, mandej ngritja qeveritare e anëtarëve të familjes së tij në poste politike e shtetërore, dhe privilegjet e tjera që nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë në shtetet demokratike, të qytetëruara.
Pengesa e dytë e luftës së premtuar të kandidates për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmani, kundër të keqes më të madhe të Kosovës, korrupsionit dhe përbërësit tjetër të madh të korrupsionit – nepotizmit, është vetë kryetari i sotëm i LDK-së, Isa Mustafa.
Nuk dua t’i përsëris ato që shkrova kur ai u zgjodh kryeministër i Kosovës, por dua të them: kryetari i sotëm i LDK-së, Isa Mustafa, siç dihet e siç shkruhet, është njëri ndër politikanët kosovarë më të pasur, të pasuruar e të bërë akademik në sajë të politikës së tij të korruptuar, në sajë të konfliktit të interesit, në sajë të posteve politike e shtetërore të cilat pamëshirshëm i ka shfrytëzuar për të rritur pasurinë e tij të tundshme e të patundshme!
Sa mund të jetë numri i atyre votuesve që mund të përkrahin kandidaten e LDK-së për kryeministre të Kosovës duke ditur se ajo nuk do të mund të çelë gojën sot, as nesër, as kurrë për t’i bërë pasuri shoqërore shtëpinë e ndërtuar me korrupsion të Ibrahim Rugovës dhe pasuritë e krijuara në sajë të posteve politike e shtetërore të Isa Mustafës? Nuk e di. Por, mendja demokratike e thotë se numri i votave që do të fitojnë kandidatët për kryeministër të Kosovës duhet të varet prej jetëshkrimit politik e shtetëror le të thuhet 20-vjeçar të partisë që i ka përzgjedhur për kandidat.
Kjo që u tha për kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin, duhet të thuhet edhe për milionerët politikë të kandiduar për deputetë dhe për kryeministra të Kosovës të partive të tjera.
5.
Kush na mbeti mandej i besueshëm se do të bëjë betejën për rilindjen e vlerave dhe shpëtimin e Kosovës prej kundërvlerave?
Cilat parti realisht mund të gëzojnë besimin se do të bëjnë luftën kundër të këqijave të mëdha – korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar, kapjes së shtetit, zhvatjeve të pasurisë kombëtare të Kosovës? Cilat parti mund të gëzojnë besimin se do të bëjnë luftën për shtetin ligjor, për shtetin social, për demokraci fytyrëpastër, për punësim të liruar nga padrejtësitë e tmerrshme nepotiste, për çkapjen e drejtësisë prej duarve të milionerëve politikë e për vlera të tjera?
Cilat parti?
Kosova ka forca politike që mund t’u besohet sot dhe këto forca janë partitë që s’kanë qenë në pushtet qeveritar deri sot. E këto janë: Vetëvendosja – lëvizje politike deri sot pa mëkate politike, lëvizje politike politikisht e dëlirë dhe pjesa e ndarë prej Vetëvendosjes – Partia Socialdemokrate.
Në fund të këtyre gjykimeve politike s’mund të mos e shtoj edhe një mendim: përpos racionale, zgjedhjet kurdo e kudo shpesh ishin e janë edhe iracionale. A do të jenë zgjedhjet e parakohshme që mbahen më 6 tetor, racionale, që do t’i sjellin Kosovës qeveritarë pa mëkate politike, të pakorruptuar, apo zgjedhje iracionale, që do t’i sjellin Kosovës edhe politikanë të korruptuar, të pasuruar e të bërë milionerë politikë duke shfrytëzuar postet politike e shtetërore; milionerë politikë që e ndëshkuan Kosovën me Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe me autorizime gati të republikës, që për fat e ndali Gjykata Kushtetuese e Kosovës; që ia tëhuajtën Kosovës afro 9000 hektarë tokë me rëndësi të madhe edhe gjeostrategjike të dhuruar Malit të Zi; që e cenuan rëndë Kosovën me pajtimin e disahershëm për Gjykatën Speciale (njëetnike) e cila do dënojë ish luftëtarët e UÇK-së dhe ashtu do ndëshkojë luftën tonë çlirimtare; që me veprimet e palejueshme dhe mosveprimet e duhura e penguan Kosovën dhe qytetarët e saj në procesin historik të integrimeve evropiane – mbetet të shihet.
Të pritmet e drejta, historike, e të padrejta, kundërhistorike siç dihet e kanë shënuar shpesh historinë shqiptare!
Uroj të na punojnë mendja e vullneti e të veprojmë ndershëm e njësueshëm mbështetur në shtetin e së drejtës dhe në parimet demokratike për të mirën tonë të përgjithshme e për të mirën tonë individuale. Për të mirën e Kosovës, të Kosovës, të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.