Telefonata prej 90 minutash mes presidentit amerikan, Donald Trump me homolog rus ka përfunduar. Thirrja e së martës mes Trump dhe Putin, erdhi pasi Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se po i afrohet një marrëveshjeje të përkohshme armëpushimi për të ndalur luftën midis Rusisë dhe Ukrainës.
Por rezultati i telefonatës do të jetë një provë kyçe nëse Trump, mund të arrijë premtimin e tij të fushatës për t’i dhënë fund luftës dhe nëse miqësia e tij ndaj Rusisë ka dhënë rezultat.
Një përparësi kryesore për thirrjen, i thanë CNN burime të njohura me bisedimet, ishte sigurimi i një marrëveshjeje për lëshimet që Rusia është e gatshme të bëjë – duke përfshirë nëse është e gatshme të tërheqë forcat nga territori që ka marrë në tre vitet e fundit që nga pushtimi i Ukrainës.
Vetë Trump sugjeroi të njëjtën gjë ndërsa fliste me gazetarët në bordin e Air Force One të dielën, duke thënë se negociatorët amerikanë kanë diskutuar “ndarjen e aseteve të caktuara”.
“Do të flasim për tokën, shumë ndryshe nga sa ishte para luftës, siç e dini, do të flasim për tokën, do të flasim për termocentralet, kjo është një pyetje e madhe”, tha Trump
Kremlini kishte thënë se Putini ishte përgatitur për diskutimin me Trump, duke i kërkuar stafit të tij të përpunonte pikat e bisedimeve mbi pozicionin e Rusisë.
“Thirrja po shkon mirë dhe ende në progres“, postoi zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Dan Scavino në mediat sociale rreth orës 11 të mëngjesit, duke vënë në dukje se liderët kishin filluar të flisnin në orën 10:00.
Kjo është telefonata e dytë e dy liderëve botërorë që pas marrjes së mandatit të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë nga Trump. Pak ditë pasi mori detyrën, presidenti amerikan zhvilloi një sërë telefonatash me liderët botërorë, duke përfshirë një me presidentin rus Vladimir Putin dhe një tjetër me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kremlini tha se ishte një bisedë “pozitive dhe konstruktive” pasi të dy liderët ranë dakord të fillonin negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Kjo telefonatë e papritur befasoi botën, ndërsa këtë herë, liderët e tjerë botërorë patën mundësi të flasin me Trump paraprakisht.
Presidenti francez Macron dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Starmer konfirmuan se ata folën me Trump në fillim të kësaj jave, duke i theksuar që Ukraina duhet të vihet në “pozitën më të fortë të mundshme”.