S’ra Fatmira Hajdari, ra kështjella e krimit dhe hajnisë, u çel dera e burgut

0
Shkruan Sokol Pepushaj

Ka pak minuta që ndodhi ajo që priste gjithë populli shqiptar. Fatmira Hajdari nuk e kalon Vetting-un.

U “dënua” si hajdute e mashtruese kalibri dhe si fshehëse e pasurisë që nuk ka as substancë, as emër? Pra, si me thënë, s’ka origjinë, nënë e baba gjithë kjo para?

Pasuria është si dashuria. Ka labirinthe gjithandej, nga jugu në veri e nga perëndimi në lindje.

Lind kjo pasuri e çmendur kudo. Lind diku në zyra partish, nëpër ministrira, në gjykata, hipoteka, sheshe, në kopshte apo prona të tjetërkujt. Të pasur sot janë kriminelët, deputetët, ministrat, krybashkiakët, pushtetarët e zyrtarët ngado e në cilëndo parti e bashki.

Kot nuk ka thënë Presidenti Ilir Meta, se me qetësi e dashuri i eklipsojnë akuzat për pasuri apo flori të vjedhur, sa here duan e si të duan.

Sipas milionerit Ilir Meta dhe të tjerëve, s’ka fare rëndësi se kush je e nga vjen. Kur je i pasur në mes të varfanjakëve edhe në qofsh kundërshtar politik, je i një substance dhe i paprekshëm nga drejtësia. Zënkat nëpër fushata apo rrugës së pushtetit janë manovra, janë karrem për budallenjtë që bëjnë tifozllek pa gjë në bark.

Dhe fati i tyre është se ka shumë fodullë me vullnet skllavi.

Ka shumë të varfër sot dhe, po ashtu, asish që nga hiçi u bënë pasanikë.

Vinte nga Librazhdi i varfër Fatmira dhe u martua me Azemin. Ishin pa kacille në xhep të dy, kishin rroga të vogla të dy, por dashuri të madhe për punë të mëdha kishin të dy.

Dhe çdo gjë që bënë, e bënë vërtetë të madhe.

Fatmira, nga këpucare dhe me një shkollë 8 vjeçare, kapërceu Ylberin e u bë me doktoraturë, si shumë deputetë që “qendisin” ligje e bëjnë para si Fatmira.

Mëpastaj, mori yryç si gruaja e Azemit, njërit ndër simbolet e demokracisë shqiptare, të vrarë mu në mes të Tiranës më 12 shtator të vitit 1998.

Si gjykatëse nuk arriti kurrë ta gjejë vrasësin e Azemit, po nuk është kjo tema për sot. Se edhe kjo është një re e ngarkuar plot shi përmbi fletët e historisë 22 vjeçare të anarkisë institucionale mbi çdo shkëndijë shprese apo qasjeje drejt standarteve euro-atlantike.

Atë kohë Azem Hajdari ishte i ri, 35-vjeç. Por kishte lënë rrugës punë të mëdha si udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, si “lundërtar” që u dha fort rremave të barkës komuniste për të dalë në breg të demokracisë.

Themi kështu, pasi në atë barkë ishte edhe komunisti Sali Berisha, njëri ndër të paktët që ka ngelur sot i gjallë dhe ende nuk po kalon në sitën e verifikimit të pasurive.

Por Azemi paska patur veç meritave të mëdha, edhe pasuri të mëdha.

Vëç shumë të tjerave që pritet të zbardhen më vonë, Fatmira Hajdari ka kryer fshehje të pasurisë.

Për një truall me vlera marramëndëse.

“887m2 truall, nuk ka deklaruar në 2013, as në 2015 në deklaratën e vettingut.

Tre njësi dhe 12 apartamente te Vilat Gjermane, 207,400 euro, pasuria në total. Ka mospërputhje të deklarimit të një apartamenti në deklarimet e vitit 2003 dhe në deklaratën vetting

KPK konstaton se subjekti nuk ka deklaruar fillimin e punimeve, investimin në një godinë 5 katëshe, dhe gjithashtu edhe të një objekti 10 katësh, ndërsa për këtë të fundit janë regjistruar të gjitha në emër të familjarëve. Në deklaratën vetting nuk janë të deklaruara qartë pasuria e lartëpërmendur 207,400 euro.

Djali Kiri Hajdari ka shitur një lokal me vlerë 160 mijë euro tek Qyteti Studenti, të ardhura që sipas Hajdarit janë përdorur për ndërtimin e godinës. Në lidhje me të ardhurat nga bar kafeja ndër vite është konstatuar se nuk ka qenë fitimprurës në vitet 2009-2011, ndërsa mungon dokumentacioni i të ardhurave. Mungon informacioni në lidhje me të ardhurat. Ka blerë dy makina Mercedez Benz 53 mijë euro dhe 19.800 euro” thekson KPK-ja”

Është kjo vetëm maja e ajsbergut për familjen Hajdari, që sot nisi rrugën pa kthim drejt sekuestrimit dhe përballjes me ligjet.

Të fshehësh një pallat 10 katesh në emra të tjerë, është vepër penale apo jo?

Po, burgu nuk po vjen vetëm për Fatmira Hajdarin.

Pasuri kanë fshehur të tërë, kush mundi e sa mundi.

Pra, gjyqtarja Hajdari ishte në rrugë, si Azemi, si Berisha, si Rama, si Meta apo Basha, Monika apo Fatmiri, si kolegët e saj, madje edhe si trupa gjykuese e Vetting-ut që edhe ajo ka hallet e veta ku t’i fshehi disa miliona.

Por po ndodh ajo që ka premtuar Amerika, ajo që populli pret si qyqja verën.

Padrejtësia po futet në rrugë të drejtësisë.

Sot po, padrejtësisë ndërkombëtarët ja mbyllën të tëra shtigjet.

E orientuan me pahirë në udhë të drejtësisë. U nis vetë për atje ku duhet, tek njeriu i thjeshtë dhe tek pasaniku i ndërlikuar.

Aty po shkarkohen e shkapeten sot energjitë.

Po shfaqet në horizont e vërteta.

E vërtetë është se ra Fatmira Hajdari, ajo që me Vendimin nr 2726, të datës 28.12.2017, i ka dhënë Sulejman Bashës, vjehrrit të kryeministrit Edi Ramës, tokën në Surrel.

Ajo pronë, ku sot janë sarajet e kryeministrit Rama, me vlerë ndërtuese mbi gjysëm milioni dollarë ishte humbur më pare, me vëndim gjykate.

Po vëndimin e gjykatës e bën të pavlefshëm një tjetër vëndim gjykate, normalisht pasi të vdesin pronarët.

Ndodhi jo se themi ne, por se ka ndodhë pikërisht kështu.

Fatmira Hajdari, pjestare e trupës gjykuese të Apelit, i ka quajtur “Palë në mungesë, që nuk kanë pranuar të paraqiten në seancë”, Fadil Toptanin e Xhemile Toptanin, që të dy të vdekur, 3 dhe 7 vite para se të zhvillohej ky proces gjyqësor.

Tha Fatmira se këta dëshmitarë nuk pranojnë të paraqiten, ndaj Surreli u merret atyre dhe i kalohet bashkëshortes së kryeministrit.

Pra, me pak fjalë, u është marrë prona e fituar në të gjallë Fadilit dhe Xhemiles.

Ata të vdekur ishin, ndaj e kapi Rama.

A nuk ka folur me të madhe kryeministri për kap ç’të kapësh?

Po, ka folur dhe ky rast është hiçgjë, para shumëgjëje që është vjedhur në këtë shtet si han pa porta.

Janë qindra mijëra prona të grabitura sot nga të gjitha Fatmirat që për fat të zi, deri sot ishin të paprekura.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) nuk fundos vetëm Fatmira Hajdarin, por tërë hajdarët, madje mund të thuhet se damkosi edhe simbolet antikomuniste që nga “lufta” me diktaturën dualën milionerë.

Kështu foli Fatmira, me lot krokodili në sy, se Azemi, që në vitet 90’, paska blerë vilë mu në mes të Tiranës.

Këtë tha sot gjygjtarja, se prona ku jeton si mbretëreshë, e ka blerë Azemi.

As Komisioni i Vetting-ut nuk u kujtua ta pyesë se ku i kapi gjithë ato para ish burri saj, pasi asokohe rroga më e lartë 20 dollarë të sotëm amerikanë ishte?

Nuk e pyeti Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por do ta pyesë tjeterkush, gjykata.

Po ndodh kështu, pasi po shëmbet kupola e krimit, e hajnisë dhe perversitetit politik e shoqëror.

Ra Fatmira, ranë të gjithë.

Janë vënë në rresht për sekuestro dhe burg./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu