Shqipëria, çfarë do të kishte qenë pa dalëzotjen e Presidentit amerikan, Woodrow Wilson?

0

Shkruan Albert Vataj

Woodrow Wilson fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara tri javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit 1912. Por duhet të kalonin disa vjet para se refuzimi prej tij i planeve për ndarjen e Shqipërisë t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në historinë shqiptare. Vizioni i presidentit Wilson për botën, roli i shqiptaro-amerikanëve dhe rrethanat historike kontribuan në vendimin që do të rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë. Kur i hedh një vështrim botës së pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1919-1920, dhe vendimit të Woodrow Wilsonit për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit se sikur rrjedha e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e Shqipërisë nuk do të ishte kjo që njohim sot. Ndoshta  një pjesë e fatit të Shqipërisë u mbrujt kur presidenti Wilson paraqiti parimin e vetëvendosjes së popujve, që, sipas historianit Bernd Fischer, ishte ndër më të rëndësishmit në planin e tij  prej 14 pikash, sipas të cilit kufijtë nuk mundet të caktoheshin më mbi bazën e politikës së Fuqive të Mëdha.

Por mendoj se ai ishte gjithashtu i interesuar për të mirën e popujve më të vegjël në Europë, të cilët nuk ishin marrë parasysh në politikën e Fuqive të Mëdha. Pra, ishte një politikë vizionare përsa i takon botëkuptimit, por ishte edhe një shqetësim shumë konkret për popuj të caktuar dhe shqiptarët përfituan nga kjo.

Në dhjetor të vitit 1918 presidenti Wilson u nis për në Europë ku  kaloi pjesën më të madhe të gjashtë muajve të ardhshëm, i përfshirë në negociatat e Konferencës së Paqes në Paris. Negociatat për fatin e Shqipërisë kishin të bënin me synimet për kontrollin e Adriatikut. Territoret shqiptare ishin copëtuar një herë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Por synimet e fqinjëve nuk ishin ndalur aty. Shqipëria, nëse do të kishte qenë në dorën e Italisë dhe Jugosllavisë, që mbështeteshin nga Britania dhe Franca, me siguri që do të ishte ndarë në bazë të Traktatit të Fshehtë të Londrës, që italianët e negociuan në vitin 1915.

Preambula e filozofisë së fshehtë shfaqet më 29 mars 1915, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, baroni Sonnino, i paraqiti kolegut të tij britanik, Edward Grey-t, një memorandum që përmbante planin italian për copëtimin e Shqipërisë. Duke qenë se ky plan në vija të përgjithshme pajtohej më atë të Rusisë, Franca dhe Britania nuk patën arsye për ta kundërshtuar. Kësisoj platforma e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes midis Italisë dhe Antantës ishte krijuar.

Bisedimet zgjatën disa javë, por më në fund marrëveshja u arrit, dhe traktati i fshehtë i Londrës, që përmbante copëtimin e Shqipërisë , u nënshkrua nga Italia dhe fuqitë e Antantës më 26 prill 1915. Pikat nyje të traktatit që arritën të cenonin territorin shqiptar përmblidheshin në nenin 6, i cili përcakton të drejtën e Italisë për të marrë sovranitetin e plotë mbi qytetin e Vlorës dhe distriktin e saj, mbi ishullin e Sazanit dhe një territor të gjerë për të siguruar mbrojtjen e këtyre pikave, që nga Vjosa në veri dhe në lindje dhe afërsisht gjer në kufirin verior të Himarës, në jug. Ndërsa nenin 7 niste me idenë se, nëse pjesa qendrore e Shqipërisë rezervohet për të formuar një shtet të vogël autonom të neutralizuar, ajo nuk do të kishte kundërshtim, për pjesët veriore dhe jugore, të cilat mund të ndaheshin midis Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, nëse për këtë paqëtohet edhe Franca, Britania dhe Rusia. Italia do të ngarkohet të përfaqësoj Shqipërinë në marrëdhëniet e saj më politikën e jashtme. Përfaqësuesit e tre fuqive të Antantës e pranuan traktatin dhe u morën vesh që kjo marrëveshje të mbahet e fshehtë, e cila sanksionohej nëpërmjet nenit 16. Një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, ashtu siç e kishte përcaktuar neni 2, Italia i shpallte luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Në bazë të kërkesës së ish–kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Jugosllavisë Milan Stojadinovic, shkrimtari serb Ivica Andric, që më vonë fitoi çmimin Nobel për Letërsi, kishte bërë një program për ndarjen e Shqipërisë. Programi ishte hartuar në vitet 1937-1939 derisa Andriq kishte qenë përfaqësues i MPJ-së së asaj kohe. Pas rënies së Stojadinoviqit, Andriq u bë ministër i Punëve të Jashtme i Jugosllavisë. Por çfarë vërente politika shqiptare e kohës e viteve 1920: së pari, ashtu si ishte zbatuar edhe për Poloninë, Trentinon, Alzasën e Lorenën, të shfuqizoheshin klauzolat e Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, që kishin të bënin me Shqipërinë, të përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike në bazë të parimit etnik.

Fuqitë europiane donin të vazhdonin diplomacinë tradicionale. Presidenti Wilson e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në diskutimet e tij në Paris. Një nga këto marrëveshje të fshehta ishte e ashtuquajtura Tittoni-Venizelos, e vitit 1919, kur Italia dhe Greqia kishin rënë dakord për marrjen e pjesëve të Shqipërisë. ”Disa nga Fuqitë e Mëdha kishin rënë dakord fshehtas, pa dijeninë apo angazhimin e Shteteve të Bashkuara, që ta ndanin Shqipërinë dhe presidenti Wilson kur e mori vesh një gjë të tillë tha se nuk do ta mbështeste”, thotë Robert Enholm, drejtor Ekzekutiv i Shtëpisë së Woodrow Wilsonit në Uashington, ku ish-Presidenti kaloi vitet pas largimit nga posti. Për historianin Nikolla Pano, rreziku që i kanosej Shqipërisë ishte synimi i fqinjëve, por edhe dobësia e qeverisjes së vendit. Profesor Pano thotë se në fillim të negociatave presidenti Wilson kishte prirjen të bënte disa lëshime. Por ajo që filloi ta bënte Wilsonin të mbështeste gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ishte fakti që Greqia dhe sidomos Italia u bënë gjithnjë e më kërkuese. Më 9 dhjetor 1919 Franca dhe Anglia – pa praninë e Shteteve të Bashkuara – arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës, por jo Korçën. Profesor Pano thotë se presidenti Wilson u befasua që italianët dhe grekët ishin të pakënaqur dhe donin më shumë pjesë territori nga Shqipëria dhe kur u ngrit pyetja e kufijve veriorë, ai u zhgënjye plotësisht, duke kuptuar se ajo që po propozohej do të sillte zhdukjen e Shqipërisë. Më 6 mars, presidenti Wilson me forcë i hodhi poshtë këto kërkesa dhe nga këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim dhe fati i Shqipërisë do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së Paqes. Meqë amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të luftës, fjala e Woodrow Wilsonit kishte peshë të madhe. Shtetet e Bashkuara nuk e kishin njohur shumë Shqipërinë, para një misioni për mbledhje faktesh në vitin 1914 nga ministri amerikan në Greqi, George Frederick Williams. Por historianët bien dakord se kishte edhe një faktor tjetër thelbësor në qëndrimin amerikan.

Faktori tjetër që duhet mbajtur parasysh në fillimin e skenarit të mbrojtjes së Shqipërisë, është roli i diasporës shqiptare, sidomos asaj në Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e saj, si Faik Konica e sidomos Fan Noli. Faik Konica ishte jashtë vendit gjatë pjesës më të madhe të luftës, por Fan Noli ishte në këtë kohë në Shtetet e Bashkuara, po ashtu edhe njerëz të tjerë të njohur, si Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako. Pano thotë se shqiptarët ndërmorën një fushatë masive propagande për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërësisë së saj territoriale. Dy ditë pas qëndrimit të shprehur nga Amerika në vitin 1920, gazeta ‘Dielli’ vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Kostë Çekrezi e bëri të qartë që Shtetet e Bashkuara e kishin shpëtuar Shqipërinë, në një intervistë në gazetën New York Times. Më pas atë vit Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve.

***

Woodrow Wilson ishte presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara. Ai shërbeu për dy mandate, nga viti 1913 deri në vitin 1921. Ai udhëhoqi Amerikën gjatë ‘Luftës së Parë Botërore’ dhe luajti një rol të madh në përfundimin e ‘Traktatit të Versajës’. Ai ishte gjithashtu i rëndësishëm në formimin e ‘Lidhjes së Kombeve’, e cila shërbeu si pararendëse e ‘Organizatës së Kombeve të Bashkuara’. Për rolin e tij kryesor në formimin e ‘Lidhjes së Kombeve’, Wilson iu dha ‘Çmimi Nobel i Paqes’ në vitin 1919. I lindur në një familje të devotshme presbiteriane, Wilson kishte një rekord të zakonshëm akademik në shkollë dhe ishte i prekur nga disleksia. Por ai i kapërceu problemet e tij dhe u bë një dijetar i përkushtuar. Ai vazhdoi studimet për drejtësi dhe fitoi doktoraturën në shkenca politike dhe histori. Ai filloi të jepte mësim në ‘Princeton University’ në 1890 dhe shërbeu si president i ‘Princeton University’ nga viti 1902 deri në 1910. Ai hyri në politikë në vitin 1910, duke u bërë guvernator i Nju Xhersit me biletën e Partisë Demokratike. Wilson u zgjodh si kandidat presidencial i Partisë Demokratike për zgjedhjet e vitit 1912 dhe ai i fitoi zgjedhjet mjaft lehtë. Kur shpërtheu ‘Lufta e Parë Botërore’, ai fillimisht adoptoi politikën e neutralitetit, por më vonë u detyrua të hynte në luftë për shkak të përplasjes së pakufizuar të nëndetëseve të Gjermanisë. Si president, ai ndërmori disa reforma progresive. Ai mbështeti Amendamentin e 19-të, duke i lejuar gratë të votojnë. Për udhëheqjen e tij të aftë, Woodrow Wilson renditet në mesin e dhjetë presidentëve më të mirë të SHBA.

Woodrow Wilson vdiq më 3 shkurt 1924, në moshën 67-vjeçare.
Trupi i tij u varros në një sarkofag në “Katedralen Kombëtare të Uashingtonit”. Ai është i vetmi president trupi i të cilit u varros në kryeqytetin e vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu