Revolta e hoxhallarëve kundër imamëve të vdekjes!

0

Në Kuran, vdekja, pra jeta tjetër edhe mund të jetë shpëtim, e gjyqin e bëjnë të tjerët, e jo një imam injorant që rri në punë vetëm se ka baxhanakun deputet të Partisë Socialiste…

“Fatva” digjitale e Ahmet Kalasë, një nga klerikët më të rëndësishëm muslimanë të Shqipërisë, pas vdekjes së gazetarit nga Kosova, Arton Turkaj, ka sjellë një përplasje të fortë brenda ulemës muslimane në vend.

Qasja ekstremiste dhe fanatike e Kalasë, që konsiderohet një vehabist socialist, si pasojë e lidhjeve familjare me pushtetin në Tiranë, nuk është pritur fare mirë edhe nga kolegë të tij, që kanë qenë përgjithësisht ‘ortodoksë’ në qëndrimet teologjike.

Justinian Topulli, një hoxhë i shkolluar e i mirëasrsimuar, i cili përveç se i përket një familje të madhe gjirokastrite, është edhe jo ekstremist në diskutime publike, ka qenë mjaft kritik ndaj kolegut të tij, imam i xhamisë së Rrugës së Kavajës.

Topulli, i cili për një kohë edhe kryetar i shoqatës së hoxhallarëve, por edhe i njohur në publik si opozitar i grupit drejtues të KMSH-së, ka shprehur pezmin e tij, duke e argumentuar edhe me teorinë e Islamit që imam Kalaja ka bërë një mëkat të rëndë.

“Nga Aishja (radija Allahu anha) përcillet se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: ‘Mos i shani të vdekurit, sepse ata kanë mbërritur tek ajo që kanë bërë’. (Buhariu nr. 6516)

Nga Mugire ibn Shubeh përcillet se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Mos i shani të vdekurit, sepse kështu lëndoni të gjallët.” (Tirmidhi nr. 1982)”.

Topulli, e ka goditur në zemër kolegun e tij, duke sjellë dy ligje të rënda të trashëgimisë muslimane. Një thënie të gruas më të famshme të profetit Muhamet, Aishes, e cila ishte edhe e bija e Ebu Bekrit, pasardhësit të parë të tij, por edhe të vetë profetit.

Është një qëndrim i fortë, ku jo vetëm e kundërshton qëndrimin e kolegut, por i hedh fytyrës dy referenca të rënda juridike, por realisht e shkatërron totalisht dhe i bën të ditur se nuk është i denjë të jetë një udhëheqës fetar.

Komentet në postimin e Justinian Topullit janë të shumta. Ka mjaft që e përkrahin, por edhe të tjerë që e sulmojnë se është shumë i butë.

Por nuk ka vonuar shumë që pas postimit të Topullit, një tjetër emër i njohur në radhët e VIP-ave të muslimanëve në vend gjithashtu godet Kalanë.

Ky është Ilir Hoxholli, një besimtar i angazhuar në aksione bamirësie, ndërkohë që dikur ka qenë edhe drejtuesi shtetëror për komunitetet fetare.

“Tregohuni të mëshirshëm me ata që ndërrojnë jetë, të vdekurit nuk u shkojnë fjalët tuaja ndërsa të gjallët i lëndoni…”, shkruan Hoxholli, duke sulmuar hapur Ahmet Kalanë. I cili pas një postimi krejt të shlirë për krishtlindjen me shaka shkruante: “Urime krishtlindjen, ua boftë Allahu kabull”. Pra asnjë blasfemi, asnjë sharje. Edhe vetë Kurani e njeh Jezu Krishtin si Profet të Zotit, por edhe nënën e tij Maria (Mereme) e konsideron të shenjtë. Në tokat shqiptare nuk ka pasur asnjëherë problem thelbësor mes të krishterëve dhe muslimanëve, madje as në Perandorinë Osmane, kur Sulltani ishte edhe Kalif pra kreu i fesë. Kishat dhe komuniteti, pak a shumë në letra janë konsideruar si të ruajtura nga osmanët. Atëherë përsë ky agresion i ekstremistëve muslimanë ndaj të krishterëve?

Duket qartë se është një qëndrim që ka të bëjë me pafuqinë e hoxhallarëve për të folur me njerëzit, e ndaj përdorin kërcënimin pra mallkimin për të treguar frustrimin e tyre. Feja është vullnet i lire, por edhe pjesë e shoqërisë. Në një shtet laik, feja nuk mund të ketë pushtet absolut, pra që të flasë për vdekjen, pasi është pushtet moral që flet për të mirën. Vdekja sipas çdo feje është atribut i Zotit. Ku e di Ahmet Kalaja se Zoti e ndëshkoi gazetarin? Sepse edhe duke iu referuar Kuranit apo edhe Biblës, vdekja, pra jeta tjetër edhe mund të jetë shpëtim, e gjyqin e bëjnë të tjerët, e jo një imam injorant që rri në punë vetëm se ka baxhanakun deputet të Partisë Socialiste./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu