Ç’është ky eklips mbi ambasadën Amerikane?!

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Hija mbi ambasadën Amerikane është një eklips i përkohshëm.

Mos prisni të mbajnë qëndrime, jo vetëm për skandalet me inceneratorët, hajdutëritë e ministrave apo turpin që ka mbuluar nga këmbët në kokë ligjet e shtetit apo rregullat e moralit, por as nëse vritet opozita apo digjet Parlamenti, nuk rrotullohet asnjë gur nga ai mal, që sa më shumë e gjuajnë me dyshime shqiptarët, më i fortë bëhet e më shumë hesht.

Aristokratët hajdutë, prej dy vitesh, kanë ngritur në art strukturën monumentale antiamerikane, figurën e Sali Berishës.

Rreth gjigantit Sali sillen elitat e politikës, mafies dhe diplomacisë.

Edhe forcën, edhe qëllimin, edhe errësirën mesjetare dy vjeçare, i kanë fokusuar në një pikë, aty ku i ka rënë pika lajmësit, e nuk ka zë të na tregojë ç’po bëhet me ato paratë e taksave tona, që ende pulsojnë nëpër muskuj të dosjes Rama- McGonigal, apo si po i rri xhaketa Altin Dumanit.

Edhe pse andej ka terr, mjerimi i tokës dhe pasuria e hajdutëve kanë dalë në diell.

19 kullat vigane të dhëndrit të Saliut, janë vetëm një mëkat i vogël që po shlyhet me pendesën, ngujim në një kullë.

Nga frëngjitë e tundimit, lëshojnë tymnaja prokurorë e gjykatës milionerë me ‘kap ç’të kapësh’, avokatë, analistë e diplomatë, që ose trillojnë miletin, ose tredhin vetveten, me bjeri kokës, kujtdo që të del përpara.

Disave u lënë shenjat e shkopinjve të bejsbollit nëpër faqet e kurrizit, të tjerëve, të vetëve, u shkrijnë borën e përjetshme të korrupsionit që ka krijuar ngrica, shpellave të gadishullit.

Akujt mes Greqisë dhe Bablokut që ka ngrirë në burg prej 8 muajsh Fredi Belerin, për një akuzë 400 dollarë korrupsion, filozofi i lashtësisë Platoni, synon t’i shkrijë me këshillën “Të gjithë kanë brenda vetes dijen e të vërtetën, dhe ajo çka duhet të bëjnë, është thjesht t’i ri sjellin në mënd.

Pra, truri i zhvillimeve me pengesa, nuk qenka vetëm Saliu.

Në kuplet, të gjithë mblidhen në qelëz e recitojnë, “askush nuk është mbi ligjin”, në realitet, futen nëpër hojëzat e mjaltit, pickojnë e thithin, betohen se sistemi është tis, ndaj janë bërë ca si pis, por si aristokratë të hajdutërisë, sakrifikojnë deri në dhimbje të Bablokut, që ambasada amerikane as ja fashon, as ja ngacmon plagët.

Saliun e shkretë, që ta themi, është vite dritë larg si hajdut nga familja kryeministrore, e bëjnë sillë për oreksin e Mafies dhe eklips mbi Ambasadën Amerikane, vetëm të provojnë fatin, se mos litari mbi qafë të pushtetit, ka ndonjë nyje të lidhur tek heshtja e amerikanëve, bëni ç’të doni, ne as shohim, as dëgjojmë./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu