Ministrja Haxhiu: Radojiçiç duhet të gjykohet në Kosovë

0

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar zyrtarisht fletëarrest ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiçit, i cili mori pjesë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici, Afrim Bunjaku.

Haxhiu tha se Kosova është e vendosur ta kërkojë nga Serbia dorëzimin e Radojiçiçit, megjithëse e sheh këtë mjaft sfiduese.
“Që nga momenti kur ka ndodhur sulmi terrorist, institucionet e Kosovës, në këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit. Ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë, për hir të transparencës, kanë mbajtur konferenca, ku në hollësi kanë shpjeguar se si ka ndodhur sulmi dhe ku janë ndodhur terroristët. Sa i përket procesit gjyqësor, sigurisht që ende nuk ka filluar. Mirëpo, janë ndërmarrë masa paraprake për trajtimin e terroristëve. Disa prej tyre tani janë në paraburgim për sulm ndaj rendit kushtetues dhe vepra të tjera terroriste”, tha Haxhiu.

Sipas saj, grupi terrorist ka tentuar që t’i ndikojë edhe serbët lokalë, por ata nuk i janë bashkuar.

“Ministria e Drejtësisë e ka obligim që t’i adresojë kërkesat e Gjykatës në institucionet tjera. Në këtë rast, kur bëhet fjalë për fletreshtim ndërkombëtar, ne jemi në pritje të Gjykatës që të bëjë kërkesë për fletrreshtim ndërkombëtar, dhe menjëherë pa vonesa do të veprojmë në përputhje me kompetencat që i kemi. Do të ketë përpjekje maksimale që të gjithë sulmuesit të identifikohen, sepse ka qenë një grup i madh i armatosur që ka tentuar ta shtrijë ndikimin edhe te serbët e tjerë. Fatmirësisht, serbët lokalë nuk i janë bashkuar”, tha ajo.

Haxhiu tha se Serbia do të bëjë përpjekje për t’i trajtuar rastet vetë për t’i amnistuar kriminelët. Por, ajo është shprehur e bindur se “krimet e tilla nuk do të amnistohen”.

“Legjislacioni vendor dhe konventat ndërkombëtare parashohin që gjykimi ndaj terroristit Radojiçiq të bëhet në Republikën e Kosovës, sepse sulmi ka ndodhur në territorin e saj. Para pak ditësh, pamë një bastisje në pronat e terroristit Radojiçiq, po ashtu do të ketë edhe konfiskime të pasurisë së tij që e ka krijuar nga krimi. Nuk ka përgjegjësi Serbia që ta hetojë sulmin që ka ndodhur në Kosovë. Në fakt, partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të na ndihmojnë në një hetim ndërkombëtar mbi ato bazat ushtarake ku trajnohen terroristët, në Serbi pra”.

“Edhe për krimet e luftës, edhe për këtë sulm terrorist, do të ketë përpjekje të Serbisë që ta marrin trajtimin e rasteve atje, kinse të duken se po bëjnë hetime dhe t’i amnistojnë kriminelët. Ne jemi të vendosur që ta kërkojmë dorëzimin e kriminelit Radojiçiq në Kosovë, për të vazhduar pastaj me gjykimin. E kuptoj që është sfiduese sepse vetë Serbia e ka dirigjuar këtë sulm terrorist dhe nuk ka ndodhur vetëm me një individ, siç përpiqej të thoshte avokati i terroristit Radojiçiç, por është Serbia pas këtij sulmi”.

“Po bëjmë përpjekje maksimale që t’i sjellim kriminelët në Kosovë. Ka një vendosmëri. Krimet e tilla nuk do të amnistohen, krimet e tilla do ta marrin përgjigjen institucionale bazuar në legjislacionin në fuqi”, tha Albulena Haxhiu.

Sulmin e veriut ajo e ka cilësuar terrorist, me qëllim të cënimit të integritetit dhe sovranitetit të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu