Gazeta e famshme britanike The Guardian: Kosova pret Albinin dhe Vjosën për t’u dhënë fund hajdutëve

0

“Kosovarët duket se presin shumë nga aleanca e re Kurti-Osmani, duke pretenduar se Kurti meriton një shans të dytë për t’i dhënë fund kaosit politik dhe për të zgjidhur problemet e thella që ka vendi. Por nëse ata dështojnë, ky do të jetë një zhgënjim i madh”.
Kështu komenton e përditshmja The Guardian” e cila i ka kushtuar një shkrim kreut të LVV-së, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit si dhe koalicionit parazgjedhor që ata firmosën para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Gazetari i Guardian, Patrik Wintour, shkruan se kandidati për kryeministër dhe kandidatja për presidente të Kosovës kanë deklaruar se një aleancë e re politike është mënyra e vetme për luftimin e korrupsionit në vend.

Aty thuhet se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë një koalicion mund të fitojë shumicën.

Në këtë shkrim përmenden sondazhet që janë duke i nxjerrë të parët Kurtin dhe Osmanin si dhe fakti se ata vijnë nga parti të ndryshme.

Guardian shkruan se Kurti u bë i njohur që nga aktivitetet e tij studentore në fund të viteve të 90 kundër regjimit ta Sllobodan Millosheviqit.

“Ai u bë i famshëm si një aktivist studentor me flokë të gjatë në fund të viteve 1990, duke demonstruar kundër shtypjes në rritje të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia e Sllobodan Milosheviç. Ai udhëhoqi protestat studentore në Universitetin e Prishtinës, punoi për krahun politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u burgos nga regjimi i Millosheviçit për gati tre vjet.

Tani që ka veshur kostum dhe i ka prerë flokët, ai këmbëngul se nuk e ka humbur vendosmërinë e tij. “Eshtë më mirë të ecësh përpara edhe nëse rrezikon një vdekje epike, sepse kështu do të kesh shansin për ringjallje, sesa të qëndrosh në pushtet me të gjitha mjetet me kompromise dhe koncesione për të gjithë “.

Ndërsa, Osmani, 38 vjeç, u emërua presidente në detyrë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit dhe arrestimit së tij nga Specialja.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë dakorduar në marrëveshjen parazgjedhore që Osmani të emërohet presidente nga Kuvendi i Kosovës.

Osmani thotë se ajo dhe Kurti kanë mësuar se çfarë i duhet vendit të tyre.

“Pengesa më e madhe para nesh është ky mur i madh i krimit dhe korrupsionit ndër vite. Në mënyrë që ta shkatërrojmë ne duhet të bashkojmë forcat. Ne mund të kemi pasur dallime në të kaluarën, por ajo që na ka sjellë së bashku është diçka shumë më e fortë dhe që po lufton armikun kryesor të brendshëm të vendit tonë – kapjen e shtetit. Nuk është se na mungojnë institucionet për të luftuar korrupsionin, por ishte vullneti politik. Sapo politikanët e nivelit të lartë të jenë të korruptuar, ai depërton nëpër sistem”, citohet të ketë thënë Osmani.

Ajo thotë se votuesit s’janë të interesuar për premtime elektorale e ideologji.

Kurti ndërkaq tha se: “Korrupsioni ka qenë i madh, por është shumë i përqendruar në majë të shtetit, ne besojmë se mund ta mposhtim atë”.

Ai argumenton se mungesa e sundimit të ligjit pengon investitorët.

“Shakaja në Kosovë është pse makiatot janë kaq të mira dhe përgjigjja është sepse ato bëhen nga ata me master në sociologji”. Remitancat nga diaspora arrijnë 1.5 miliardë euro në vit kur buxheti i shtetit është 2.5 miliardë euro.

Të dy kandidatët mirëpresin njohjen nga Izraeli, por duket se janë të gatshëm të dëgjojnë Uashingtonin për çështjen e ambasadës.

Kurti ka deklaruar: ”Unë nuk mendoj se mund të përballojmë më shumë mosmarrëveshje midis Uashingtonit dhe Brukselit kur bëhet fjalë për Ballkanin. Nëse ka kontradikta, super fuqitë e tjera si Rusia do të përfshihen në rajon”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu