Shkruan Zef Ndreka
Vjosa Osmani dhe LDK-ja, një energji tjetër në skenën politike.
Albin Kurti është provuar në qeverisje për shumë vite në Kosovë dhe sot duket qartë se një pjesë e madhe e qytetarëve janë të zhgënjyer nga mënyra e tij e të bërit politikë. Sjellje të vazhdueshme konfliktesh, vetëm sulme ndaj opozitës, përplasjet pa lligjikë me aleatët ndërkombëtarë dhe tendenca për të kapur e përqendruar pushtetin në dorën e tij, më kanë krijuar bindjen se ai funksionon më mirë si figurë opozitare sesa si drejtues shteti.
Për të mirën e Kosovës, kështu duhet të ndodhë.
Kosova ndërkohë shihet se ka mbetur në vendnumëro në shumë procese të rëndësishme, si në raportet me partnerët strategjikë, në integrimin euro-atlantik dhe në zhvillimin ekonomik. Qytetarët e Kosovës kërkojnë me të drejtë më shumë qetësi, më shumë vizion e bashkëpunim institucional dhe jo tensione të përhershme politike.
Nga ana tjetër, me fillimin e fushatës elektorale për deputetë dhe zgjedhjen e Presidentit, po vihet re një energji tjetër në skenën politike. Vjosa Osmani dhe LDK po shfaqen më të organizuar dhe më bindës në komunikimin me qytetarët. Edhe pse është ende herët për përfundime definitive deri në qershor, duket se shkëlqimi politik i Kurtit ka nisur të zbehet, sepse premtimet e vjetra nuk ndezin më dhe i mungojnë idetë e reja që mund të mobilizonin elektoratin.
Sot Kosova ka nevojë për një kurs të ri politik, më pragmatist, më institucional dhe më të afërt me interesin qytetar dhe partnerët ndërkombëtarë. Të gjiths shenjat po na tregojnë se koha e ndryshimit mund të ketë mbërritur…



