Kyrylo Budanov, ish-drejtuesi i inteligjencës ushtarake ukrainase dhe aktualisht shef i zyrës presidenciale të Volodymyr Zelenskyt, ka deklaruar se mbetet objektiv i Kremlinit, edhe pse sot është negociatori kryesor i Ukrainës në bisedimet me Rusinë për përfundimin e luftës.
Në një intervistë për “The Times”, gjenerali 40-vjeçar tha se tentativat për eliminimin e tij janë bërë pjesë e përditshmërisë së punës. Sipas mediave ukrainase, Budanov ka mbijetuar të paktën dhjetë atentate gjatë viteve të fundit dhe konsiderohet një nga figurat kryesore të rezistencës ukrainase ndaj Rusisë.
Ai është bërë i njohur për drejtimin e operacioneve sekrete dhe misioneve speciale kundër forcave ruse, përfshirë sulme në Krime dhe në territoret e pushtuara nga Moska. Për kontributin e tij, Budanov është nderuar me titullin “Hero i Ukrainës”, dekorata më e lartë ushtarake e vendit, ndërsa mediat raportojnë se ai ka lidhje të ngushta me CIA-n amerikane.
Edhe pse tashmë mban një rol diplomatik, Budanov tha se Rusia vijon ta konsiderojë një objektiv prioritar. Sipas tij, në negociata rëndësi ka rezultati dhe jo besimi tek pala tjetër. “Nuk kam nevojë t’i besoj askujt, duhet të arrij rezultat”, deklaroi ai, duke shtuar se ende beson në mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.
Budanov theksoi se eksperienca e tij në inteligjencë po rezulton e vlefshme në negociatat me Moskën, pasi vazhdon të ketë burime dhe kontakte informacioni brenda Rusisë. Ai tha se njeh mirë figurat kryesore ruse, mënyrën e funksionimit të Kremlinit dhe kufijtë e negociatorëve rusë. Sipas tij, rrjetet sekrete të komunikimit të ngritura më herët për shkëmbimin e të burgosurve po përdoren edhe në bisedimet aktuale.
Megjithatë, ai pranoi se nuk ka ende një datë të re për rifillimin e negociatave të paqes, pasi edhe shkëmbimi i planifikuar i të burgosurve gjatë armëpushimit të Ditës së Fitores nuk u realizua.
Budanov paralajmëroi se Rusia vazhdon të mbetet një kërcënim serioz ushtarak dhe ruan kapacitete për sulme bërthamore në çdo moment. Sipas tij, arsenali bërthamor rus është real dhe i rrezikshëm, por aktualisht nuk ka prova konkrete që Moska po përgatit një sulm të tillë. “Nëse do të kishte shenja përgatitjeje, unë do ta dija”, u shpreh ai.
Ai foli gjithashtu për atentatet ndaj tij, duke lënë të kuptohet se një pjesë e tyre nuk janë bërë publike. Në vitin 2024, shërbimi ukrainas SBU njoftoi se kishte zbuluar një plan për të goditur eskortën e tij me raketa balistike, ku dyshohej për përfshirjen e zyrtarëve ukrainas që bashkëpunonin fshehurazi me Rusinë. Sipas hetimeve, atentatorët planifikonin të përdornin edhe dronë kamikazë për të eliminuar të mbijetuarit pas sulmit.
Në një tjetër episod, bashkëshortja e tij, Marianna Budanova, dyshohet se u helmua me metale të rënda në një operacion që autoritetet ukrainase ia atribuojnë Rusisë. Ndërsa në vitin 2019, një bombë e vendosur poshtë automjetit të Budanovit shpërtheu para kohe, duke plagosur rëndë agjentin rus që e kishte vendosur. Mediat ukrainase raportuan se Budanov kishte ndjekur me armë në dorë autorin tjetër të atentatit, i cili arriti të largohej.
Në intervistë, Budanov ndaloi edhe te zhvillimi i teknologjisë ushtarake ukrainase, duke deklaruar se lufta po hyn në një fazë të re ku dronët inteligjentë dhe sistemet autonome do të kenë rol vendimtar në fushëbetejë. Ai tha se Ukraina ka krijuar tashmë prototipe të dronëve autonomë dhe po zgjeron sulmet me rreze të gjatë ndaj infrastrukturës energjetike dhe naftës ruse.
Sipas tij, Ukraina po kalon gradualisht nga një vend që përfiton ndihmë ushtarake perëndimore në një eksportues të teknologjisë dhe eksperiencës së luftës moderne. Budanov deklaroi se Kievi është i gatshëm të ndajë njohuritë e tij me aleatët, veçanërisht në mbrojtjen ajrore dhe luftën me dronë, duke shtuar se shumë shtete perëndimore nuk janë ende të përgatitura për kërcënimet e reja ushtarake.
Ai komentoi edhe zhvillimet politike në Ukrainë pas hetimeve për korrupsion që prekën ish-shefin e zyrës presidenciale Andriy Yermak. Budanov u distancua nga paraardhësi i tij dhe premtoi një model drejtimi me më shumë përgjegjësi për vartësit dhe më pak centralizim të pushtetit.
Në fund, Budanov mbrojti vazhdimin e mobilizimit ushtarak në Ukrainë, duke theksuar se vendi nuk mund të mbështetet vetëm te vullnetarët për të përballuar luftën. “Po zhvillohet një luftë totale ku marrin pjesë miliona njerëz. Nuk ka rrugë tjetër, përndryshe vendi do të bjerë”, deklaroi ai.



