Kreu i PD Sali Berisha akuzoi drejtuesin e ri të AKSHI-t, Igli Tafa se i ka dhënë tenderin 75 milionë euro baxhanakut të kryeministrit Edi Rama. Në deklaratën e sotme për mediat kryedemokrati theksoi edhe një herë se AKSHI është kopshti privat i Ramës.
“Në krye të kopshtit privat të tij, AKSHI-t, vendoset famëziu Igli Tafa. Çfarë përfaqëson Igli Tafa? Drejtorin e Sigurisë Kibernetike, i cili është edhe autori i tenderit 75 milionë euro për baxhon e Ramës apo për kunatin e florinjtë të Linda Ramës, në të cilën nuk vërtetohet asnjë punim, asnjë shpenzim, përveç plaçkitjes nga thesari i shtetit të 75 milionë eurove, nga të cilat transhi i fundit prej 25 milionë u lëvrua meurdhër direkt të Edi Ramës nga Ministri i Financave një muaj më parë dhe unë e denoncova në këtë sallë, e denoncova edhe në parlament”, tha Berisha.
“Pra, Igli Tafa është një kukull, një vegël e klanit të Surrelit që do të majmet me çdo çmim nga AKSHI, nga i cili kanë plaçkitur qindra e qindra milionë euro. Igli Tafa ka pasur një rrogë dy herë më të madhe dhe Edi Rama ka marrë përsipër t’i rregullojë rrogën. Edi Rama po krijon tani AKSHI-n si sipërmarrje shtetërore private ku duart e zeza të klanit Rama nëpërmjet klanit Frangu shtrihen dhe e kapin plotësisht. Pra, Edi Rama nuk heq dot kurrë dorë nga vjedhja, është i gatshëm gjer minutën që do qëndrojë në pushtet, të vjedhë gjer në palcë qytetarët shqiptare”, vijoi kryedemokrati.








