Shkruan Rifat Kullolli
Nuk ka tradhti më të poshtër se ajo që të vjen nga “i joti”. Për ne socialistët e ndershëm, për ne që kemi sakrifikuar ndër vite bindjen dhe votën tonë të palëkundur , me shpresën e një Shqipërie më të drejtë, më sociale, më solidare ,sot realiteti nuk është vetëm një “dështim” i manipuluar i të majtës me manovra të inskenuara nga Edi Rama e langenj, por është dhe një masakër shpirtërore për të gjithë të majtën.

Ajo që po ndodh me pasurinë kombëtare nën administrimin e partisë mavi, nuk është “zhvillim”, por një likuidim i aseteve të popullit.
Mavi-ja po e trajton tokën si mall shkëmbimi..
Toka bujqësore, si pasuria më e parikuperueshme, po transformohet në resorte, kulla e vila të pafund , thua se po vijnë milionat e kinezëve për të banuar
Bregdeti, që duhet të ishte pasuria sovrane e çdo shqiptari, po pritet në rripa dhe po u falet “klientëve” të oborrit. Kjo nuk është politikë majtiste . Ky është feudalizëm modern ku fshatari humb rrugën e prodhimit e të zhvillimit , ndërsa oligarku rrethon pronën me roje…
Rilindja MAVI privatizoi dhe frymëmarrjen..
Kur shëndetësia dhe shërbimet bazë, kthehen në koncesione (PPP), shteti nuk po na shërben, por na shet tek privati. Ne socialistët votuam për një shtet që të shëron, por morën shtetin e “specialisteve” që na faturuan edhe vjedhjen edhe dhimbjen.
Dhimbja më e madhe nuk është tek shifrat e llogarive bankare të pafund të ministrave, por tek syri i shuar i shqiptarëve..
Ne i dhamë votën që të na kthente dinjitetin, por ai na ktheu shpinën për t’u ulur në tavolina me ata që dikur i quanim ”armiq të popullit’.”
Është një zhgënjim total që djeg si kripa në plagë. Ne socialistët e vjetër, që besonim tek barazia, sot shohin sesi Partia jonë është shndërruar në një korporatë private ku vendimet merren nëpër hotele luksozë dhe jo nëpër salla mbledhjesh para kamerave e syve të shqiptarëve
Shqipëria “në shitje”..Pa asnjë Rezervë
Ndërsa makina propagandistike MAVI flet për “Shqipërinë 2030”, realiteti i dhimbshëm është se deri atëherë, mbase nuk do të ketë mbetur asnjë metër katror tokë publike pa u rrethuar me mure të larta.
Pasojat nuk i ndjen Edi Rama, por e ndjejmë ne..
Iku rinia, sepse vendi nuk ofron garë, por nënshtrim.
Iku shpresa, sepse ai që erdhi si “shpëtimtari i të varfërve”, u bë varrmihesi i tyre dhe mbrojtësi më i zjarrtë i të pasurve.
Në vend që të krijonte nje shtet social per të gjithë shqiptarët ,krijoi një shtet autokratik që ushqehet me gjakun e të majtës për të ushqyer xhepat e një të djathte ekstreme, asaj të parasë dhe pushtetit absolut.
Shqiptari sot nuk po qan thjesht humbjen e një vote, por po qan humbjen e atdheut që po i shitet nën këmbë, copë pas cope, derisa të mbetemi qiraxhinj në shtëpinë tonë.. .








