Përplasje mes qeverisë dhe drejtësisë mes faturave të larta financiare

0

Shqipëria po përballet me kosto të konsiderueshme financiare nga vendime gjyqësore dhe procese arbitrazhi ndërkombëtar, ndërsa debati mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë është ashpërsuar.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se 92 raste janë fituar nga ish-gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga procesi i vettingut, duke sjellë – sipas tij – një faturë prej rreth 12 milionë eurosh për buxhetin e shtetit. Ai i cilësoi këto vendime si shembull të “pavarësisë së papërgjegjshme”, duke pretenduar se po trajtohen si viktima persona të larguar nga sistemi.

Nga ana tjetër, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve reaguan duke akuzuar kryeministrin për presion politik dhe cenim të pavarësisë së drejtësisë.

Paralelisht, shteti shqiptar përballet me detyrime të larta nga çështje arbitrazhi ndërkombëtar. Sipas të dhënave zyrtare, detyrimet e mbetura dhe ato kontigjente arrijnë në rreth 180 milionë euro. Ndër çështjet kryesore përfshihen:

•Rasti “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë” me një vlerë prej rreth 108 milionë euro.

•Çështja “Copri Actors” për autostradën Tiranë–Elbasan me rreth 42.4 milionë euro.

•Konflikti me “Construzioni Dondi” me 13.4 milionë euro.

•Arbitrazhi me “GBC Oil” me rreth 12.2 milionë euro.

Në planin e brendshëm, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka raportuar se vetëm për largime të padrejta nga puna në administratë, fatura ka arritur në 14 milionë euro në vitin 2024 dhe rreth 19 milionë euro në vitin 2025. Institucionet me detyrimet më të larta për vendime gjyqësore janë Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa përplasjet politike vijojnë, kostot financiare të proceseve gjyqësore dhe arbitrazheve vazhdojnë të rëndojnë mbi buxhetin e shtetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu