Shqipëria që nuk u çlirua kurrë nga Komunizmi dhe heshtja e gjatë e Perëndimit!

0

Shkruan Zef Bushati

Në historinë moderne evropiane ka pak vende ku hija e komunizmit ka qëndruar kaq gjatë mbi shoqëri, politikë dhe moral. Shqipëria është ndër to. Aty ku shumë kombe e mbyllën kapitullin e ideologjisë së vjetër menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, Shqipëria mbeti peng i një tranzicioni të komanduar, të manipuluar dhe të mbikëqyrur nga po të njëjtat “duar” që dikur firmosnin Urdhra Burgimesh për Agjitacion e Propagande, Internimesh dhe Pushkatimesh. Komunistët shqiptarë, të vjetër dhe të rinj, të deklaruar dhe të maskuar, nuk e kanë lëshuar asnjëherë pushtetin real. Vetëm ngjyrat, logot dhe format janë ndërruar. Përmbajtja, kultura politike, sjellja e pushtetit dhe mënyra sesi kontrollohet shteti kanë mbetur të njëjtat. Dhe kjo është tragjedia e madhe e këtij vendi e këtij populli të vuajtur.
Iluzioni i vitit 1990 ! Viti 1990 u pa si zgjimi i madh, si ora kur shqiptarët menduan se po lindëte drita. Por shumë shpejt u kuptua se ajo që u quajt “ndryshim sistemi” ishte një skenar i hartuar në zyrat e errëta të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste.
Edhe krijimi i Opozitës së parë u ndikua, u filtrua dhe u infiltrua nga Komunistet dhe strukturat e vjetra të Sigurimit të Shtetit. Dhe kjo shpjegon pse në 35 vitet e fundit, pothuajse çdo rotacion politik ka rezultuar në të njëjtin realitet: pushtetin e vërtetë e ruajtën ata, komunistet, që e trashëguan nga koha e diktaturës.
Pse komunizmi nuk vdiq në Shqipëri
Sepse asnjëherë nuk pati:
• Lustracion të vërtetë
• Drejtësi për krimet e regjimit komunist
• Reformë reale ekonomike që të thërrmonte oligarkinë e vjetër komuniste
• Spastrimin e shërbimeve sekrete
• Shkëputjen e politikës nga Sigurimi i Shtetit Komunist dhe dosjet sekrete te tij.
Këto mosveprime nuk ishin rastësi. Ishin strategji. Një sistem që nuk u rrëzua, por u kamuflua.
Antikomunistët, të tradhtuar dy herë.
E para, nga regjimi diktatorial.
E dyta, nga tranzicioni që u premtoi liri, por u dha vetëm iluzione dhe varferi.
Brezi i persekutuar, brezi që besoi te Amerika, te Europa, te Liria, sot jeton një tjetër zhgënjim. Ata shohin si persekutorët e djeshëm janë bërë e bëhen milionerët, oligarkët, drejtuesit e institucioneve shtetërore, krijuesit e opinionit dhe mentorët e politikës së sotme. Një paradoks i neveritshëm europian.
Sa do të zgjasë ky realitet?
Pushteti i trashëguar nga komunizmi nuk është i përjetshëm. Por ai është i qëndrueshëm për një arsye: është i organizuar. Ka pasuri, struktura, informacion, rrjete dhe trashëgimtarë politikë.
Megjithatë, koha nuk fal asnjë regjim të ngritur mbi gënjeshtër. Brezi i vjetër po largohet natyrshëm. Brezi i ri nuk ka më frikë, nuk ka nostalgji dhe nuk ka borxhe morale ndaj së shkuarës. Europa po shtrëngon kushtet. Amerika, megjithë ngadalësinë, po e shtyn reformën në drejtësi deri në rrënim të strukturave të vjetra. Dhe atëherë, kur shteti i së drejtës të ngrihet mbi themele të reja, sistemi i vjetër do të shembet jo me revolucione, por me zbrazjen e ngadaltë të pushtetit të tij të brendshëm.
“Zoti vonon, por nuk harron”
Kjo shprehje që ka shoqëruar antikomunistët shqiptarë për dekada nuk është thjesht lutje. Është paralajmërim. Sepse asnjë padrejtësi historike nuk ka mbijetuar pafundësisht. Ajo që po ndodh në Shqipëri nuk është fundi i historisë, është faza e fundit e një regjimi që po konsumon vetveten duke mos prodhuar më as moral, as elitë, as legjitimitet.
Shqipëria ka qëndruar gjatë në hijen e komunizmit, por hija nuk mund të mbulojë përgjithmonë një popull që ka nisur t’i hapë sytë. E ardhmja nuk është në duart e atyre që e mbajnë peng të shkuarën, por të atyre që guxojnë të flasin, të kujtojnë dhe të mos harrojnë. Kjo është koha të thuhet qartë: sistemi i vjetër nuk do zgjasë pafund. Por fundi i tij varet nga sa e fortë do jetë zgjimi i ndërgjegjes së shqiptarëve

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu