Bandat kanë njerëzit e tyre në Parlament

0

Shkruan Julian Hoxhaj

Në pikëpamjen e demokracisë, ne jemi në pikën më të errët dhe më të ulët; nuk flitet më për demokraci në Shqipëri, kur në Kuvend tashmë ka deputetë të zgjedhur nga grupe kriminale shumë të fuqishme në vendin tonë. Këto grupe të fuqishme kanë koncesione ekonomike me bekimin e qeverisë, përmes firmave të Ramës, i cili u ka legalizuar pastrimin e parave këtyre grupeve.

Rasti i Arkend Ballës, i denoncuar nga opozita, është një nga ato raste që në këto zgjedhje bie në sy. Së pari, ai është një deputet me dyshime të shumta lidhur me deklaratat e tij të pasurisë. Nga njëra anë, deklaron punësime modeste, si çdo qytetar me paga modeste, por nga ana tjetër deklaron kursime deri në 2.3 milionë euro. Nuk dihet nëse këto janë gabime apo lapsuse të bëra në formularin e deklarimit të pasurisë, apo ai i ka vërtetë të depozituara në bankë.

Elementi i dytë është lidhja e tij me bandat ose me persona të skeduar nga drejtësia, si grupi i Durrësit, Tropojanit dhe mafia italiane. Grupi i vëllezërve Danaj në Vlorë, që kanë qenë punonjës të Arkend Ballës, janë pikërisht këto dy grupe që kanë qenë punëdhënës të tij dhe që kanë përfituar në kohë të ndryshme leje ndërtimi për hotele në Durrës dhe Vlorë nga Edi Rama.

Ky është një tregues se këto grupe të fuqishme kanë njerëzit e tyre në Kuvend. Elementi tjetër është se ne nuk i njohim të gjithë deputetët, por ka indicie që shumë prej kandidatëve që dolën deputet në zgjedhjet e 11 majit në qarqet më të nxehta, si Durrës, Elbasan, Fier dhe Vlorë, kanë gjasa të kenë një lloj sponsorizimi pas tyre. Sara Mile në Elbasan, Ervin Hoda, Ministria Gonxhe që u përfol në Vlorë, janë emra të rinj dhe aktualë që dyshohen se kanë mbështetje nga këto grupe.

Kjo është një këmbanë e fortë alarmi, e cila duhet të na zgjojë të gjithëve, qytetarëve shqiptarë. Problemi është se këta njerëz janë ata që do të firmosin ligje të ndryshme, do të propozojnë ligje me porosi në Kuvend për koncesione të ndryshme ekonomike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu