Kolegji Zgjedhor nisi sot shqyrtimin e ankimeve të opozitës për farsën elektorale të 11 Majit.
Fillimisht Kolegji Zgjedhor mori në shqyrtim ankimin për qarkun e Lezhës.
Përfaqësuesit e PD deklaruan në fillim se prania e Ilir Rusmalit, këshilltarit të presidentit, në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, cenoi parimin e paanshmërisë.
“Ne kemi kërkuar përjashtimin e këtij anëtari, pasi për shkak të pozicionit që mban si këshilltar i presidentit, vendimet e mëparshme që ka marrë, apo fjalëve drejtuar përfaqësuesve të ankimuesve, mendojmë ishte në shkelje të paanshmërisë. Vetë ky anëtar ka shkruar vendimmarrjen për përjashtimin e tij. Ai as nuk duhet të ishte i pranishëm, as të merrte vendim, as të shkruante vendimin për kërkesën tonë për përjashtimin e tij”, tha përfaqësuesi i PD, Marash Logu.
Ndërkohë, KQZ fillimisht mori në mbrojtje Ilir Rusmalin, duke deklaruar se as ka shkelur ligjin dhe as është në konflikt interesi.
Përfaqësuesja e KQZ shkoi edhe më larg, duke marrë në mbrojtje farsën elektorale. Ajo tha se opozita nuk ka paraqitur asnjë provë për këtë gjë.
Gazetari Isa Myzyraj raporton se përfaqësuesja e KQZ shkoi edhe më larg, kur deklaroi se nuk ka prova për përdorimin e burimeve shtetërore në këto zgjedhje.
Edhe pse një gjë e tillë thuhet hapur në raportin paraprak të OSBE/ODIHR, kjo gjë u mohua jo vetëm nga KQZ, por edhe nga PS.
Këta të fundit sulmuan raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë duke thënë se raportet e ODIHR nuk janë arsye për të vlerësuar se zgjedhjet ishin të parregullta.