Presidenti kroat Millanoviq: Askush nuk do të hyjë në BE, ndoshta as Mali i Zi

0

Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq, mbajti një leksion të enjten për studentët e Universitetit të Veriut në Koprivnica, ku foli për sfidat globale dhe kontekstin politik bashkëkohor, ndërsa iu referua edhe rolit të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe luftës në Ukrainë.

Duke folur për nenin 5 të aleancës së NATO-s, Millanoviq theksoi se ai “kërkon një reagim në mënyrë adekuate”.

Megjithatë, ai ia kushtoi pjesën më të madhe të fjalimit të tij luftës në Ukrainë, të cilën e quajti një “luftë rraskapitëse”, në vend të një lufte klasike pozicionesh si Lufta e Parë Botërore.

Millanoviq beson se lufta mund të ishte shmangur nëse, siç tha ai, “mënyra pretencioze e të menduarit evropiane nuk do të kishte këmbëngulur në tezën se çdo vend ka të drejtë të zgjedhë se cilës aleancë ushtarake do t’i bashkohet”.

Presidenti i Kroacisë pohoi gjithashtu se zgjerimi i Bashkimit Evropian ndodhet në një ngërç, duke thënë: “Askush nuk do të hyjë më në BE, ndoshta as Mali i Zi. Shtetet po mashtrohen nga premtime të rreme për anëtarësim në mënyrë që të nxjerrin kompromise të caktuara prej tyre.”

Ai shtoi se vendet pritet të përshtasin politikën e tyre të jashtme sipas interesave të Perëndimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për përballjen me Rusinë. Si shembull, ai përmendi Gjeorgjinë, një vend me rritje të fortë ekonomike falë vendndodhjes së saj gjeografike, e cila, sipas tij, përdoret edhe për qëllime gjeopolitike.

Duke iu referuar situatës në BE, Millanoviq tha se Unioni nuk është më fuqia botërore që ishte dikur.

“Evropa shkon në Kinë dhe u jep leksione mbi të drejtat e njeriut, në vend që të merret me rënien e tregut të veturave evropiane”, tha ai, duke shtuar se sot lojtarët kryesorë globalë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina.

Sipas mendimit të tij, Evropa nuk i ka më burimet, as nuk po udhëheq në inovacion dhe njohuri.

Megjithatë, ai vlerësoi se Bashkimi Evropian ishte një projekt i suksesshëm sepse parandaloi konfliktet midis shteteve anëtare dhe kontribuoi në stabilitetin rajonal.

“Vendet jetojnë relativisht në harmoni”, tha ai, duke shtuar se megjithëse Kroacia ka marrë fonde të konsiderueshme nga BE-ja, ajo edhe i ka dhënë shumë Unionit.

Së fundmi, ai theksoi se i kupton shqetësimet e vendeve që kufizohen me Rusinë, por se Kroacia, siç tha ai, ndodhet “në një pozicion të mirë falë gjeografisë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu